Flet profesori ndërkombëtar: Ja ku është hartuar plani Thaçi-Vuçiq-Rama

  • 09 April 2019 - 18:48
Flet profesori ndërkombëtar: Ja ku është hartuar plani Thaçi-Vuçiq-Rama

Analistët vlerësojnë se presidenti Hashim Thaçi mund të përfundojë në Gjykatën Speciale. A janë të lodhur edhe ndërkombëtarët me tërë klasën politike në Kosovë ku ambasadori britanik dhe ai amerikan thonë se edhe durimi ka një fund? A është ky tani edhe sinjali më serioz për Kosovën dhe “parinë” e saj të degraduar e mashtruese!?

Këtyre pyetjeve, u është përgjigjur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Kosova Sot”.

“Unë parashikoj se plani Thaçi-Vuçiq-Rama i projektuar në Beograd dhe sponsorizuar në Moskë për ndarjen e Kosovës të dështojë. Dështimi i këtij plani do të thotë që presidenti i Kosovës do të jetë objekt i lëndës së regjistruar në Gjykatën Speciale. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë do të thotë se Serbia e ka kursyer dhe mbrojtur Hashim Thaçin, duke mos i dërguar në Hagë provat dhe faktet që mund të ketë kundër tij. Nëse Beogradi nuk i çon këto prova, atëherë është e qartë se fatkeqësisht presidenti i Kosovës është spiun i Serbisë dhe Rusisë dhe mbrohet për ta përdorur në ndonjë projekt tjetër të radhës kundër Kosovës dhe shqiptarëve! Por fundi politik i Hashim Thaçit është konsumuar tashmë”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shansin ta realizojë ndryshimin politik për të sjellë edhe ndryshimin e këtij sistemi.

“E konsumoi me përpjekjet e tij për tjetërsimin e territorit të vendit. Ndërkohë që Thaçi dhe shumica e klasës politike në Kosovë kanë mbërritur në finish për shkak të korrupsionit, nepotizmit, politizimit dhe përçarjes së skenës politike e publike, mosrealizimit të kushteve dhe standardeve demokratike për të ndërtuar një shtet të mirëfilltë të së drejtës e kështu me radhë. Duart e politikës futen kudo, në gjyqësor, në stafet akademike, në gazetari e media, në sipërmarrje dhe të bërit biznes, në buxhetin e shtetit dhe pasuritë e Kosovës. Duhet të marrë fund kjo situatë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka shansin ta realizojë ndryshimin politik për të sjellë edhe ndryshimin e këtij sistemi. “Vetëvendosja” nuk është provuar në qeverisje dhe ka shanse të zërë vend si aktor i pakonsumuar. Por kushti kryesor për to është shkëputja e plotë e tyre nga ndikimi, influence dhe praktikat qeverisëse të Hashim Thaçit! Pa realizuar këtë nuk mund të ketë ndryshim sistemi dhe mendësish në qeverisjen e vendit!”, ka deklaruar ndër tjerash në intervistën për “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)