Pozitë e opozitë barrikadohen përballë VETTING-ut

  • 10 April 2019 - 07:33
Pozitë e opozitë barrikadohen përballë VETTING-ut

Mehmeti: Vetting-u është i domosdoshëm për të pasur një shtet të së drejtës, dhe për të nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, si dhe për të filluar ndjekjen ndaj atyre politikanëve që kanë bërë pasuri në kurriz të popullit

 “Çuditërisht, si pozita, e cila jo vetëm që i shërben hapur mafio-oligarkisë, por edhe pjesën më vitale të familjarëve e ka të involvuar në të, ashtu edhe opozita, e cila ka mjaft pjesëtarë të inkriminuar, po i frikësohen njëjtë Vetting-ut në vend, përkundër faktit se në një gjendje normale, çdo opozitë do ta shndërronte këtë çështje në kauzën dhe aksionin më të madh politik të saj.

Për këtë arsye rasti kurrë nuk ka qenë më urgjent sesa tani dhe në këtë kohë për një VETTING të njëmendtë dhe të gjithanshëm në Kosovë. E, meqenëse jo vetëm Qeveria që nuk po e bën ligjin për VETTING-un, si për drejtësinë ashtu edhe për politikën, por as opozita nuk denjon ta hapë këtë çështje në Kuvend dhe të sjellë ligjin për VETTING-un, atëherë vetë qytetarët dhe i gjithë populli duhet të koordinohen me segmentet, të cilat janë për vendosjen e rendit e të ligjit, si dhe të ngrihen e ta imponojnë një Vetting vërtet kaq shumë të nevojshëm në Kosovë”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Pozita, ashtu edhe opozita, po i frikësohen një Vetting-u në Kosovë, prandaj Qeveria vazhdon të rrijë komode dhe nuk e bën ligjin për Vetting, theksojnë analistët. Sipas tyre, as opozita nuk denjon të hapë këtë çështje në Kuvend dhe të sjellë vetë ligjin për VETTING-un. Kësisoj, sipas analistëve, politikanët e inkriminuar, ashtu edhe gjyqtarët e prokurorët, po e ndiejnë veten të amnistuar dhe mund të vazhdojnë zhvatjen me paligjshmëritë e tyre të pandalshme.

Sipas analistëve, me këta politikanë të inkriminuar, por edhe me këta prokurorë, policë hetues e gjyqtarë nuk ka shans të kemi sundim të ligjit, nuk ka shans që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, por as nuk ka shans që të arrestohet e lëre më të dënohet mafia politike kriminale në Kosovë. Analistët thonë se kjo mafia është aq e fuqishme, saqë asnjë bos i nivelit të lartë, qoftë nga politika e inkriminuar apo nga mafio-oligarkia e nëntokës kriminale, nuk ka shans të sillet në bankën e të akuzuarve, e lëre më të përfundojë në burg.

 

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Prokurorët e gjykatësit e kamur nuk e justifikojnë dot pasurinë

“Prokuroria dhe gjykatat kanë njerëz të paaftë, por mjaft të pasur. Të jetosh me të ardhura personale dhe të disponosh pasuri të madhe të tundshme e të patundshme s’ka tjetër veç i dyshimtë je. Në anën tjetër, ky sistem është shndërruar në një forcë që po e ruan sistemin politik dhe ekonomik të dyshimtë. Politikanët dhe klasa ekonomike janë ndarë tërësisht nga shoqëria. Në sektorin privat kemi një pasurim të grupeve të veçanta. Kështu është edhe në politikë.

Kuadrot e këtyre fushave janë shumë të pasura. Ato janë milionerë në një vend të varfër. Tërësisht sistemi merr frymë nga këto dy grupe. Ata e kontrollojnë policinë, prokurorinë dhe sistemet e gjykatave. Këtu del i domosdoshëm VETTING-u. Nuk mund të luftohen dukuritë e tilla pa një spastrim detal të sistemit. Sistemi do përzgjedhje të re dhe përgjegjësi penale për kriminelët. Nuk ka prokuror dhe gjyqtar, pavarësisht nivelit, që është në gjendje të legjitimojë pasurinë e vet”, u shpreh për “Kosova Sot”, Muhamet Kelmendi

Image
Ragip Guraziu

Bosëve të shtetit nuk po u pëlqen reforma

Analisti Ragip Guraziu vlerëson se bosëve të politikës së inkriminuar të Kosovës nuk po u pëlqen ligji për VETTING-un. “Qeveria kot e ka që pa një ligj për VETTING-un nuk do të kemi as drejtësi e as politikë të mirëfilltë.

Përndryshe, nuk ka shans se ndryshe të sundohet ligji në shtetin tonë derisa kemi institucione të korruptuara,politikanë të inkriminuar,gjyqësor e prokurorë, që po vazhdojnë zhvatjen, paligjshmëritë e tyre të pandalshme”, u shpreh ai.

“Derisa, si pozita ashtu edhe opozita, po i frikësohet një Vetting-u në Kosovë, kur kihet parasysh se çdo opozitë do ta shndërronte këtë çështje në kauzën e saj dhe aksionin më të madh politik të saj, për çudi Qeveria nuk po e bën ligjin për VETTING-un, si për drejtësinë ashtu edhe për politikën, por pse as opozita nuk denjon të hapë këtë çështje në Kuvend dhe të sjellë vetë ligjin për VETTING-un”, vijoi më tej Guraziu.

“Po kjo na lë të kuptojmë se ligji për VETTING-un po i pengon të gjitha institucionet tona politike, çfarëdo qofshin ato, sepse ka korrupsion,hajni,zhvatje. Këta matrapazë, nga Qeveria e deri te nivelet lokale, komunale, gati të të gjithave komunave të Kosovës, i ka goditur një virus i lartë që u ka hyrë në zemrat e tyre, dhe është bërë kancer i paevitueshëm për udhëheqësit dhe politikanët e funksionarët tanë, që dita-ditës po e degradojnë shtetin e Kosovës tmerrësisht”, potencoi Guraziu për “Kosova Sot”. “Këta po e ndiejnë veten më komodë, si politikanët e inkriminuar, ashtu edhe gjyqtarët e prokurorët, pasi pa VETTING ata mund të vazhdojnë zhvatjen me paligjshmëritë e tyre të pandalshme. Me këta politikanë të inkriminuar, por edhe me këta prokurorë, policë hetues e gjyqtarë nuk ka shans të kemi sundim të ligjit, nuk ka shans që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, por as nuk ka shans që të arrestohet e lëre më të dënohet mafia politike, kriminale në Kosovë, e cila është aq e fuqishme, saqë asnjë BOS i nivelit të lartë, qoftë nga politika e inkriminuar apo nga mafio-oligarkia e nëntokës kriminale, nuk ka shans të sillet në bankën e të akuzuarve, e lëre me të përfundoj në burg”, ka vlerësuar ai.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Bandat nuk bëjnë kurrë VETTING

Pozita dhe opozita pa më të voglin dyshim janë të përlyera deri në fyt në xhaketën e hajnisë dhe korrupsionit, ndoshta dikush më shumë,dikush më pak, por në këtë valle janë gisht për gisht.

Ua them që populli të mos gënjehet farë, në qoftë se mendon se ndonjë nga këto banda banditësh është qelibar. Jo, mos u mashtroni se gabohuni rëndë, për këta banditë të pushtetit tash po dihet botërisht jo vetëm nga ne, por për namin e kësaj bande është në dijeni edhe faktori ndërkombëtar,por dikush ka menduar se për ‘Vetëvendosjen’! Si doli me tradhtarët, me hajnat, me cubat, me mashtruesit e këlyshit të ‘Prontos’ dhe langoin e bandës serbiane Devolli, me Shpend hajnin dhe Shpend jahtin.

Si e tradhtoi Prishtinën me ato vende përreth, si i mashtroi dhe gënjeu qytetarët dhe votuesit? A e bëri katrahurë kryeqytetin, a dha leje sallamadi për xhepin, a dha toka në zëmër të saj dhe kujt, bandës serbiane Devolli, a iku dhe ia la krushqit në rrugë Albinit dhe përfundoi në prehrin e Hashim zezës, si u kap në ujërat e Malit të Zi, në jahtin milionësh, sa herë fluturoi privat dhe populli vuante për bukën e gojës. Këtë e mora si shembull nga njëmijë e një shembuj.

Dhe, si mund të bëjë kjo bandë që e ka pushtetin në dorë ligjin e VETTING-ut, kur janë të gjithë të përlyer në hajni. Kësaj i bie ndryshe që populli të ngritët në këmbë dhe ta kërkojë VETTING-un, se si thashë më lart të gjithë janë të përlyer në këtë valle të hajnisë gisht për gisht”, tha Reshat Badallaj- Zhuriani për “Kosova Sot”

Image
Gani Qarri

Qytetarët të kërkojnë pastrimin e shtetit të kalbur

Analisti Gani Qarri shprehet se fatkeqësisht ka kohë që mafio-oligarkia, korrupsioni dhe krimi organizuar, janë familjarizuar aq shumë me politikën në Kosovë, saqë askush më nuk merret as me kriminelët e rëndomtë, se lëre me ata në krye të institucioneve të shtetit, të cilët udhëheqin dhe dirigjojnë me kontrabandën, korrupsionin dhe me krimin e organizuar në këtë vend. “Çuditërisht, si pozita, e cila jo vetëm që i shërben hapur mafio-oligarkisë, por edhe pjesën më vitale të familjarëve e ka të involvuar në të, ashtu edhe opozita, e cila ka mjaft pjesëtarë të inkriminuar, po i frikësohen njëjtë Vetting-ut në vend, përkundër faktit se në një gjendje normale, çdo opozitë do ta shndërronte këtë çështje në kauzën dhe aksionin më të madh politik të saj. Për këtë arsye rasti kurrë nuk ka qenë më urgjent sesa tani dhe në këtë kohë për një VETTING të njëmendtë dhe të gjithanshëm në Kosovë.

E, meqenëse jo vetëm Qeveria, që nuk po e bën ligjin për VETTING-un, si për drejtësinë ashtu edhe për politikën, por as opozita nuk denjon ta hapë këtë çështje në Kuvend dhe të sjellë ligjin për VETTING-un, atëherë vetë qytetarët dhe i gjithë populli duhet të koordinohen me segmentet të cilat janë për vendosjen e rendit e të ligjit, si dhe të ngrihen e ta imponojnë një Vetting vërtet kaq shumë të nevojshëm në Kosovë”, theksoi ai.

“Është koha e fundit për një lëvizje gjithëpopullore për t’i ndaluar përfundimisht pushtetarët e inkriminuar dhe për të çuar këtë kastë të kriminalizuar politike në pension, ndërsa në pushtet të sjellë njerëz që kanë vullnetin dhe guximin, për të bërë ndryshime dhe për të kthyer shpresën qytetarëve për të qëndruar në vend, të cilët në gjendjen që po mbretëron, të gjithë mendojnë vetëm si të ikin nga Kosova. Ndaj, përderisa si politikanët e inkriminuar, ashtu edhe gjyqtarët e prokurorët e kapur dhe të dirigjuar nga politika ditore, nuk e duan Vettinug-un, sepse pa VETTING, ata jo vetëm që e ndiejnë veten më komodë, por mund të vazhdojnë edhe zhvatjen me paligjshmëritë e tyre të pandalshme, efektet e dëmshme të tyre dhe pushtetarëve të kriminalizuar duhet të ndalen me një revoltë gjithëpopullor në mbarë vendin, për t’i rrëzuar ata dhe për të reformuar çdo segment dhe institucion politik e shoqëror në Kosovë”, vijoi më tej Qarri për gazetën “Kosova Sot”.

“Përndryshe, me këta politikanë të inkriminuar, por edhe prokurorë, policë, hetues e gjyqtarë të tillë të kapur nga politika, nuk ka shans të kemi sundim të ligjit, të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, e as të arrestohet, se jo më edhe të dënohet mafia politike kriminale në Kosovë, e cila është bërë aq e plotfuqishme ,saqë asnjë BOS i nivelit të lartë, qoftë nga politika e inkriminuar apo nga mafio-oligarkia e nëntokës kriminale, nuk ka shans të sillet në bankën e të akuzuarve, se lëre më të përfundojë edhe në burg!”, ka thënë Gani Qarri.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Vetting-u edhe në politikë

“Faktikisht, Kosova ka nevojë për reformë në drejtësi, edhe pse Kosova ka përvojë të ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar në drejtësi në krahasim me Shqipërinë që e ka "sefte". Deri tani edhe të huajt kanë dështuar në sistemin e drejtësisë në shtetin e Kosovës, në fillim misioni i UNMIK-ut e pastaj edhe ai i EULEX-it, por pa sukses. Edhe pse jam skeptik se një reformë e tillë do të ndryshonte diçka, gjithsesi ta provojmë edhe këtë mundësi si një përpjekje e fundit për të dëshmuar sadopak se e duam shtetin ligjor, qoftë edhe të detyruar nga të huajt. Vetting-u është i domosdoshëm.

Ky proces jo vetëm që nuk duhet të diskutohet për gjyqësorin, por duhet zgjeruar edhe për politikën. Duhet të dimë se kush janë shërbyesit publikë në vend. Politika gjithashtu duhet t'i nënshtrohet Vetting-ut, pra, kontrollit. Duhet të evidentohet realisht dhe individualisht niveli profesional, pasuria dhe lidhjet me krimin e organizuar të çdo politikani. Vetting-u është i domosdoshëm për të pasur një shtet të së drejtës, dhe për të nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, si dhe për të filluar ndjekjen ndaj atyre politikanëve që kanë bërë pasuri në kurriz të popullit”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: Me këta politikanë të inkriminuar, por edhe me këta prokurorë, policë hetues e gjyqtarë, jo vetëm që nuk ka shans të kemi sundim të ligjit, por kriminelët do ta bëjnë gjumin rehat!

Analisti Florim Zeqa vlerëson se sikur të mos kishte ngjashmëri të madhe mes pozitës dhe opozitës, nuk do të kishte pajtueshmëri përballë heshtjes ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Pozita dallon nga opozita vetëm sa i përket kolltukut të pushtetit, por i bën bashkë tenderomania e korrupsioni, bizneset dhe korporatat fitimprurëse të oligarkëve ekonomikë. Si rezultat i kësaj situate, për aq sa pozita, edhe opozita po i frikësohet një VETTING-u gjithëpërfshirës në Kosovë. Ndryshe, sikur ta kishim një opozitë të pastër e të fuqishme do ta kishim një pushtet më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm në veprime”, theksoi ai. “Në rrethana normale, çdo opozitë do ta shndërronte VETTING-un në kauzën dhe aksionin më të madh politik të saj.

Është e kuptueshme pse Qeveria nuk e bën ligjin për VETTING-un, si për drejtësinë, ashtu edhe për politikën, por për arsye të sipërcekura edhe opozita nuk denjon të hapë këtë çështje në Kuvend dhe t'i bëjë presion Qeverisë për sjelljen e ligjit për VETTING-un në Kuvend. Kështu, pra, pozita dhe opozita po rrinë të strukura sikurse "patat e ngrira në thes" sa i përket VETTING-ut, për shkak se si politikanë të inkriminuar që janë, e ndjejnë veten më komodë pa VETTING-un, për të vazhduar lirshëm me zhvatjen dhe paligjshmëritë e tyre të pandalshme”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”. “E, gjithashtu edhe gjyqtarët e prokurorët, kjo situatë shkon në favorin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që marrin superpagat kot së koti pa e dhënë asnjë rezultat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Florim Zeqa.

Sipas tij, me këta politikanë të inkriminuar, por edhe me këta prokurorë, policë hetues e gjyqtarë, jo vetëm që nuk ka shans të kemi sundim të ligjit, kriminelët do ta bëjnë gjumin rehat për shkak se nuk ka shans që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, nuk ka shans që të arrestohet e lërë më të dënohet mafia politike kriminale në Kosovë, e cila është aq e fuqishme, saqë asnjë BOS i nivelit të lartë, qoftë nga politika e inkriminuar apo nga mafio-oligarkia e nëntokës kriminale, nuk ka shans të sillet në bankën e të akuzuarve, e lërë më të përfundojë në burg!

(Kosova Sot)