PTK-në e fundosi kontrata me “Z-Mobile”, askush nuk dha përgjegjësi

  • 10 April 2019 - 08:17
PTK-në e fundosi kontrata me “Z-Mobile”, askush nuk dha përgjegjësi

Grapci: Pushtetarët politikë ia kanë arritur qëllimit që me nënshkrimin e kontratës me ‘Z-MOBILE’ të shkatërrojnë Telekomin

 “Kryeministrat, ministrat, hajnat e peshave të rënda, bëjnë kontrata të pista për interesa të tyre personale, për t´i trashur xhepat, por i tërë populli e di se këta hajna nuk kishin dje bukë të mjaftueshme e u gdhinë super- milionerë dhe më thoni cili është në burg?

Po sa e sa skandale dhe afera kurruptive ndodhën publike me kryebanditët e pushtetit dhe me kryespiunët, kryehajnat dhe banditët Devolli, dhe a u hetua kush? Sa qindra miliona ia shkaktuan djersës së popullit, këtyre dikastereve, dhe më thoni se a u shoshit dhe a u zbardh kontrata apo pazari i bandës së krimit, që quhet Devolli, me atë ‘Z-Mobile’”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Reshat Badallaj

Qeveria ka kërkuar asistencën e BERZH-it për ta privatizuar PTK-në dhe shtrohet pyetja pse vonua kaq shumë ky proces dhe a mban dikush përgjegjësi për degradimin e ndërmarrjes dhe vendimet që e falimentuan praktikisht Telekomin? Sipas analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, duhet që ministrat dhe ish-kryeministrat bashkë me këta të tashmit të ballafaqohen me drejtësinë për dëmin qindra milionësh që ia shkaktuan pasurisë publike dhe buxhetit, përmes kontratës me ‘Z-MOBILE’ të Devollëve, por edhe me vjedhjet dhe abuzimet e përditshme në këtë ndërmarrje publike për 20 vjet pandërprerë. Lidhur me akuzat publike të analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara Blerim Devollit, pronar i ‘Z- MOBILE’.

Image
Dardan Grapci

 Grapci: Qeveria e Kosovës ta ndërpresë privatizimin e PTK-së

Analisti Dardan Grapci ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se kërkesa e Qeverisë për asistencën e BERZH-it për ta privatizuar PTK-në, është e vonuar dhe në kohën jo të duhur.“Duke e ditur që për 20 vjet PTK-ja ka qenë thuajse dora e djathtë e popullit, prapëseprapë pushtetarët politikë ia kanë arritur qëllimit që me nënshkrimin e kontratës me ‘Z-MOBILE’ ta shkatërrojnë Telekomin. Shtrohet pyetja nëse privatizohet PTK-ja çka do të bëhet me punëtoret aktualë, që janë duke punuar që nga fillimi dhe nëse i largojnë shumicën ku do t’i gjejnë punëtorët e tjerë?

Apo do t’i marrin në punë nënat e tyre, baballarët e tyre, axhallarët, tezet, hallat, djemtë e dajës etj”, është shprehur analisti Dardan Grapci. Sipas tij, me privatizimin e PTK-së papunësia në vend do të rritet edhe më shumë, kurse borxhi publik i Kosovës do të jetë edhe më i lartë.“Do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës ta ndërpresë privatizimin e PTK-së dhe të mundohet ta mbajë Telekomin e Kosovës. Por, duhet që Qeveria e Kosovës gjithashtu të kërkojë kompensim nga ‘Z-MOBILE’ për shkaktimin dhe prishjen e kontratës që e kanë pasur me PTK-në”, ka theksuar Grapci për gazetën.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Për kontratën kriminale askush nuk shkoi në burg

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën “Kosova Sot” se në këtë pazar të pistë janë përgjegjës askush tjetër pos bandave qeveritare.“Këto banda që e kanë pushtetin në dorë dhe mbas shpine kanë mafio-oligarkët, janë të lidhura ngushtë me kryebanditët e këtyre dikastereve, sepse qëllimisht këta i kanë vënë njerëzit e tyre dhe pastaj për ta gllabëruar në thonjtë e këtyre hajnave dhe kinse po e privatizojnë për shpëtim dhe më vonë dihet se e ndajnë pazarin bashkë dhe do të duhej kohë e gjatë për të larguar nga kthetrat e tyre”, ka theksuar Badallaj për gazetën “Kosova Sot”.

Ai tutje ka shtuar: ”Kryeministrat, ministrat, hajnat e peshave të rënda, bëjnë kontrata të pista për interesa të tyre personale, për t´i trashur xhepat, por i tërë populli e di se këta hajna nuk kishin dje bukë të mjaftueshme e u gdhinë super-milionerë dhe më thoni kush është në burg?

Po sa e sa skandale dhe afera kurruptive ndodhën publike me kryebanditët e pushtetit dhe me kryespiunët, kryehajnat dhe banditët Devolli dhe a u hetua kush? Sa qindra miliona ia shkaktuan djersës së popullit, këtyre dikastereve, dhe më thoni se u a shoshit dhe a u zbardh kontrata apo pazari i bandës së krimit, që quhet Devolli, me atë ‘Z-Mobile’”, është shprehur ai. Badallaj ka shtuar se të vidhet buxheti i shtetit qindra miliona për 20 vjet rresht, pa u ndalur, nga këto banda që kanë ardhur dhe kanë ikur e akoma vazhdojnë të vjedhin dhe lërë që të mos burgoset askush dhe të mos i konfiskohet pasuria e vjedhur, nuk ka mbetur gjë tjetër përveçse populli të dalë në rrugë.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Po e falimentojnë PTK-në për ta blerë lirë

“PTK-ja hiç më larg se një dekadë kishte vlerën e më shumë se 1.4 miliard euro. Atëbotë flitej për një privatizim të mundshëm, meqë vlera e saj ishte e madhe. Kishte edhe shumë kompani të njohura botërore të interesuara që ta blinin. Por, atëherë nuk ishte interesi i tyre që të shitej. E dimë të gjithë se si erdhi nga falimentimi dhe kush e dërgoi në këtë drejtim.

Politika pra, për interesa të tyre dhe kompanive të afërta me ta. Kjo është edhe arsyeja e falimentimit të PTK-së, në mënyrë që pas falimentimit të blihet për pak para nga ndonjë kompani me të cilën janë të lidhur ngushtë.

Në këtë shtet që po jetojmë nuk do të ndodhë asgjë me këta që jo vetëm PTK-në, por gjithë shtetin e dërguan në falimentim. Nëse Kosova një ditë bëhet shtet normal (gjë që shumë dyshoj), drejtësia do të ketë punë shumë të madhe në këtë vend. Dënimet do të shkonin deri në burgime të përjetshme, konfiskim pasurish etj., etj.”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)