Në vilën luksoze të organizatorit të vjedhjes, si i vëzhgonte Murataj me dylbi grabitjet nga shtëpia e tij

  • 10 April 2019 - 11:47
Në vilën luksoze të organizatorit të vjedhjes, si i vëzhgonte Murataj me dylbi grabitjet nga shtëpia e tij

Admir Murataj i cili është personi që mbeti i vrarë dje pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, menjëherë pas grabitjes së miliona eurove në Rinas, në bashkëpunim me persona të tjerë, nuk është një emër i panjohur as për policinë por as për publikun.

Në pretencën e Prokurorisë dhënë më 18 janar të këtij viti për bandën e akuzuar për tri grabitje të bujshme të ndodhura në autostradë gjatë transportimit të parave të bankave nga Tirana në Rinas, (si dhe një grabitje banke në Greqi), Prokurori i çështjes në total kërkoi 127 vite burg për 8 të akuzuarit, ndërsa në kërkim rezultonte Murataj.

Ngjarja e parë për të cilën akuzohet grupi, ndodhi në vitin 2015 pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro. Pak muaj më vonë rreth 2 mln paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute u vodhën pranë kthesës së Kasharit, shkruan “Panorama”.

Ngjarja e tretë për të cilën akuzohen të pandehurit ndodhi pranë Rinasit gjatë transportimit të parave me makinën e policisë privatë, ku u rrëmbyen në automjet thasët me 2 mln e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.

Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017, ku policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura.

Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer.

Murataj duket se ka ditur mirë t’i investojë këto para, e një prej pasurive të tij është edhe një vilë luksoze në kodrat e Fushë-Prezës dhe një servis familjar në Vorë.

Nga një shtëpi e rrënuar që Murataj kishte blerë këtu e 10 vjet më parë, sot shtëpia e tij në Fushë-Prezë është një nga vilat më luksoze që bie menjëherë në sy. Godina është e sofistikuar jo vetëm në ndërtim, por edhe në siguri, që nga rrethimi me gardh hekuri të lartë e deri te kamerat dhe sistemet e alarmit, shkruan “Panorama”.

Duket se funksioni i saj nuk ka qenë vetëm krijimi i kushteve të rehatshme për të jetuar familja e Admir Muratajt. Kjo vilë ka pasur edhe një funksion tjetër, madje thelbësor në realizimin e dy grabitjeve të mëparshme, atë të vitit 2015 dhe 2017.

Duke qenë se është e ndërtuar në një lartësi të konsiderueshme dhe me fushëpamje shumë të qartë, nga aty janë vëzhguar me dylbi të dyja ngjarjet e ndodhura në rrugën e Rinasit pak vite më parë.

(Kosova Sot)