Ndërkombëtarët do t’i bëjnë presion ‘Srpskas’ të futet në zgjedhje

  • 10 April 2019 - 11:57
Ndërkombëtarët do t’i bëjnë presion ‘Srpskas’ të futet në zgjedhje

Zyrtarët e Listës Serbe sot kanë udhëtuar në Beograd që të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për t’u konsultuar rreth pjesëmarrjes ose jo në zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të shpallura nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Megjithatë siç shkruan gazeta serbe ‘Danas’, bazuar në burimet e saj, thuhet se që zyrtarët e ‘Srpskas’, para se të udhëtojnë në Beograd, kanë zhvilluar takime me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

Sa i përket takimit të sotëm me Vuçiqin, burimet i kanë thënë gazetës serbe se nuk pritet që të ketë një vendim për pjesëmarrje ose jo në zgjedhje, dhe se një vendim i tillë përfundimtar do të merret pak para përfundimit të afatit.

“Lista Serbe tashmë është në dilemë nëse do të marr pjesë ose jo në zgjedhje. Sepse edhe pjesëmarrja por edhe bojkotimi, janë e njëjta gjë. Nëse nuk marrin pjesë, pozitat e tyre do t’i zënë partitë tjera serbe në Kosovë. Ndërkohë ndërkombëtarët do t’iu bëjn presion që të marrin pjesë në zgjedhje, dhe në këtë formë ata nuk do të mund t’i rinstalojnë strukturat paralele”, ka thënë ky burim

Ndryshe para takimit me Vuçiqin, sot ka folur nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simic, i cili ka thënë se vendimin për pjesëmarrje do ta marrin pas takimit me presidentin e Serbisë.

Ai ka thënë se këtë vendim do të marrin pa emocione dhe me ‘kokë të ftohtë’.

(Kosova Sot)