Kapiti: Politikanët dhe gjyqtarët, keqbërësit më të mëdhenj

  • 10 April 2019 - 12:21
Kapiti: Politikanët dhe gjyqtarët, keqbërësit më të mëdhenj

Analisti Skënder Kapiti thekson për gazetën “Kosova Sot”, se politikanët dhe gjyqtarët e prokurorët janë keqbërësit më të mëdhenj publikë dhe kombëtarë sot, si në Shqipëri dhe Kosovë.


“Gjithçka e keqe sot, si: korrupsioni, krimi i organizuar, padrejtësitë dhe dëmet e mëdha shoqërore ,ekonomike,politike kanë autorësinë dhe përgjegjësinë e tyre. Dështimi në demokraci dhe dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, moszhvillimi dhe mosintegrimi i vendit kanë vulën e faturimit të tyre, të politikës dhe të drejtësisë aktuale në Kosovë.

Dhe, me këtë gjendje as nuk pritet që prej kësaj klase politike dhe prej këtij sistemi drejtësie do të ketë përmirësim dhe ndryshim. Por, sa më gjatë të vazhdojë ta sundojë drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë krimi i organizuar dhe hajnia e korrupsioni politik aq më i fortë do të bëhet pushteti i oligarko-mafisë dhe aq më me shumë vështirësi do të çmontohej më pastaj ky sistem”, vlerësoi Kapiti.

Sipas tij, gjithçka e keqe që ndodh sot në Kosovë dhe që e pëson shoqëria kosovare, këto u vijnë prej kësaj elite politike të kriminalizuar e të korruptuar, vegël dhe në shërbim të së cilës është edhe drejtësia politike. “Drejtësia dhe prokurorët e gjyqtarët shesin, trafikojnë dhe matrapazojnë me ligjin, sepse e kanë mbështetjen dhe lejen prej pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv në këmbim të mbrojtjes dhe të avokatisë e shërbimit që drejtësia i bën korrupsionit dhe hajdutërisë së politikës dhe të pushtetit.

Kjo është simbioza politiko-juridike, bashkëjetesa korruptivo-kriminale e tyre, e pasfidueshme dhe e pandëshkueshme nga ligji”, ka thënë më tutje analisti Skënder Kapiti.

(Kosova Sot)