Heute: Ilir Meta shpëtoi për pak, Muratajn mund ta kenë vrarë shokët

  • 10 April 2019 - 13:02
Heute: Ilir Meta shpëtoi për pak, Muratajn mund ta kenë vrarë shokët

Mediat e huaja vazhdojnë raportimet për atë që ndodhi në Tiranë një ditë më parë. Gazeta austriake ‘Heute’ shkruan se presidenti Ilir Meta ‘i shpëtoi për pak sulmit’ pasi kishte qenë në avionin që po kthehej nga Vjena. Gazeta thekson se piloti i Austrian Airlines nuk e dinte se çfarë do transportonte. Më poshtë raportimi:

Pesë persona me kallashnikovë dhe granata dore sulmuan të martën një avion të Austrian Airlines, duke marrë prej andej 10 milionë euro. Një prej hajdutëve vdiq gjatë një përplasje të armatosur me forcat e sigurisë. Katër të tjerët janë në arrati. Pasagjerët nuk u plagosën.

Autorët e arratisur janë identifikuar, sipas autoriteteve shqiptare. Katër arrestime janë bërë gjatë natës. Autorët mendohet se kanë pasur informacione të brendshme për lëvizjet e sigurisë në aeroport. Burime të paverifikuara thonë se i vdekuri mund të jetë drejtues i bandës.

Ndërkohë kanë dalë në dritë të tjera detaje nga sulmi. Presidenti shqiptar, Ilir Meta, kishte fluturuar nga Vjena për në Tiranë me avionin e sulmuar. Prandaj siguria në aeroport ishte edhe më e lartë se zakonisht. Meta u takua me përfaqësuesit e OSBE në Vjenë. Për shkak të pranisë së tij, në aeroport gjendeshin forca të shumta të armatosura.

Hajdutët ishin të veshur si zyrtarë të doganave, raportojnë mediat shqiptare. Me armë sulmi dhe granata dore ata kërcënuan punonjësit dhe morën 10 milionë euro nga barku i avionit.

Më vonë gjatë një shkëmbimi zjarri, duket se u vra një prej grabitësve. Nëse ai vdiq nga plumbat e forcave të sigurisë apo nëse është vrarë nga bashkëpunëtorët, kjo mbetet e paqartë. Pas një arratisje të parë me një furgon të bardhë, grabitësit e lanë të vdekurin dhe i vunë zjarrin më vonë makinën. Policia beson se hajdutët e njihnin mirë zonën.

(Kosova Sot)