Si u grabitën në 3 minuta miliona euro në avion, autorët e braktisën furgonin, por në anën tjetër…

  • 10 April 2019 - 13:12
Si u grabitën në 3 minuta miliona euro në avion, autorët e braktisën furgonin, por në anën tjetër…

Një supergrabitje, e ngjashme me atë të vitit 2016, ka ndodhur dje në aeroportin “Nënë Tereza”, duke vënë sërish në pikëpyetje sigurinë në pistën e avionëve.

Katër persona, të veshur me uniformë të forcave komando, të maskuar me maska silikoni, të armatosur me kallashnikovë, granata e kallepë tritoli, janë futur në pistën e avionëve, duke grabitur miliona euro. Grabitësit kanë hyrë në pistë nga porta veriore e pistës, pasi kanë e kanë prerë me darë dhe janë afruar deri tek avioni që do të nisej drejt Vjenës me një furgon të bardhë, me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Pasi kanë kërcënuar me armë punonjësit e sigurisë që po ngarkonin bagazhet në “barkun” e avionit, kanë arritur të marrin disa çanta me para, që mësohet se u përkisnin 3 bankave të nivelit të dytë. Pasi kanë realizuar grabitjen, ata janë larguar me furgon, duke përshkuar pistën në të gjithë gjatësinë e saj dhe kanë dalë nga e njëjta portë nga kishin hyrë.

Një furgon i FNSH është vënë në ndjekje të autorëve, madje ka pasur edhe shkëmbim zjarri. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë njëri nga grabitësit, Admir Murataj, ndërsa 3 të tjerët janë larguar me një tjetër furgon, që më vonë u gjet i djegur pranë lumit të fshatit Çekrezë.

MOMENTI I GRABITJES

Policia ka bërë të mundur ndërtimin e dinamikës së ngjarjes, duke zbardhur skemën sesi kanë vepruar grabitësit. Pak para se ora të shënonte 15:00, autorët kanë prerë me darë portën veriore, që ndodhet në fund të pistës së avionëve, aty ku qëndrojnë automjetet e shërbimit zjarrfikës. Pasi kanë hapur portën, me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, ata kanë përshkuar të gjithë gjatësinë e pistës, pa u vënë re nga askush dhe janë afruar tek avioni i “Austria Airlines”, që do të nisej për fluturim në orën 15:05.

Në avion kishin hipur rreth 165 pasagjerë që do udhëtonin drejt Vjenës, ndërsa në “barkun” e avionit po ngarkoheshin bagazhet. Mes tyre ishin edhe dhjetëra çanta me para nga disa banka të nivelit të dytë, që do dërgoheshin në Austri.

Grabitësit janë afruar aty, pikërisht në këtë moment dhe kanë zbritur nga furgoni duke u drejtuar armët punonjësve të sigurisë së aeroportit. Ata kanë ngritur duart lart dhe disa janë shtrirë barkas siç i urdhëronin grabitësit. Ndërsa autorët kanë arritur të marrin disa çanta me para, kanë hipur me nxitim në furgon dhe janë larguar përmes së njëjtës rrugë që përdorën për t’u futur në pistë. Burime nga Policia thanë se e gjithë ngjarja ka zgjatur rreth 3 minuta.

NDJEKJA NGA POLICIA

Në kohën kur furgoni i grabitësve ndodhej ende në pistë, forcat zjarrfikëse kanë konstatuar portën e hapur dhe kanë sinjalizuar shërbimet e sigurisë së aeroportit. Në këtë kohë është konstatuar automjeti i autorëve, që më parë nuk ishte vënë re, duke qenë se lexonte “Hetimi Tatimor” dhe askush nuk e kishte parë me dyshim. Në kohën kur ata po largoheshin, ka pasur një komunikim në radio mes forcave zjarrfikëse dhe grupit të gatshëm të FNSH që ndodhej pranë aeroportit. Sapo ka marrë informacionin, grupi i FNSH është nisur drejt rrugës së “Tahirajve”, nga ku u informua se po lëvizte makina e grabitësve. FNSH, në mbështetje edhe të Policisë së Kufirit të Rinasit, janë vënë në ndjekje të autorëve, që po lëviznin në një rrugicë që të çon drejt fshatit Larushk të Fushë-Krujës. Ndjekja ka vijuar deri në afërsi të një përroi, pa u vënë re nga grabitësit, të cilët në atë zonë kanë zbritur për t’i vënë flakën furgonit.

SHKEMBIMI I ZJARRIT

Kur 4 grabitësit kishin zbritur nga furgoni dhe po tentonin t’i vinin flakën për të zhdukur provat, kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia. Forcat FNSH janë afruar dhe u kanë bërë thirrje “Ndal Policia”. Në këtë kohë, grabitësit kanë nisur të qëllojnë me armë drejt tyre, madje kanë hedhur edhe dy granata. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i janë kundërpërgjigjur me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë njëri nga grabitësit, Admir Murataj. Në kohën kur autorët po vijonin të qëllonin dhe të hidhnin granata, grupi i gatshëm është shpërndarë, në mënyrë që t’i rrethonte.

Dy prej efektivëve kanë hipur në një kodër, në mënyrë që të kishin fushëpamje më të qartë. Ndërsa autorët kanë përfituar nga ky moment për t’u larguar. Kanë braktisur furgonin pa arritur që ta digjnin dhe kanë kaluar përroin përmes një ure të vogël. Nga ana tjetër, ata i priste një tjetër furgon, me të cilin kanë arritur të largohen në drejtim të Tapizës.

Forcat e FNSH kanë parë nga kodra veprimet e tyre dhe kanë lajmëruar Policinë që t’i priste nga krahu tjetër. Shërbimet e Rendit të Kamzës dhe Fushë-Krujës janë vënë në ndjekje të tyre dhe pak më vonë furgoni është gjetur i djegur pranë një lumi në fshatin Çekrezë.

(Kosova Sot)