Fluturimet ndërmjet Londrës dhe Nju Jorkut, për më pak se 1 orë

  • 10 April 2019 - 15:41
Fluturimet ndërmjet Londrës dhe Nju Jorkut, për më pak se 1 orë

Udhëtimet hipersonike nëpërmes Atlantikut janë afruar një hap më shumë realitetit, pasi që shkencëtarët me sukses kanë testuar teknologjinë që ruan motorët nga shkrirja, në shpejtësi deri në 25 herë shpejtësia e zërit. Kërkuesit shkencorë në "Reaction Engines" ia kanë dalë që ta bëjnë të funksionojë një 'pre cooler' (ftohës) në shpejtësi të simuluara prej 3.3 mach ose 4,023 km/h - kjo d.m.th. se motorët e mëdhenj hipersonikë që mund të përdoren për avionë të udhëtarëve, janë një hap më afër realitetit. Motori i tyre "Sabre" (Synergetic Air Breathing Rocket Engine) është i dizajnuar që të përdoret në avionë të mëdhenj, për transportin e udhëtarëve në tërë botën, por edhe për transportin e mallrave. Ftohësi ('pre-cooler'), i cili mundëson që këta avionë të udhëtojnë me shpejtësi të mëdha, duke penguar depërtimin e ajrit të nxehtë, i cili do të shkrinte motorët, është testuar me shpejtësi të simuluara prej më shumë se tri herë shpejtësia e zërit. Hapi tjetër në testimin e kësaj teknologjie, do të bëhet me një shpejtësi prej 5.5 mach-ësh (6,800 km/h) dhe mundet që, një ditë, të mundësojë fluturimet midis Londrës dhe Nju Jorkut për më pak se 1 orë. 

Motori reaktiv

"Reaction" ka ndërtuar një qendër testimesh në Kolorado dhe ka përdorë motorin "General Electric J79, turbojet" për të replikuar kushtet të cilat fluturakja do t'i përjetojë në shpejtësi hipersonike. Kjo kompani shpreson që ta bëjë një fluturake që do të përdorej jo vetëm një herë, e cila do të kombinonte efikasitetin e karburantit të një motori reaktiv me fuqinë dhe shpejtësinë e një rakete. "Reaction", bazuar në Oksfordshajër, beson se avioni mund të bëjë distancat midis, psh. Nju Jorkut dhe Londrës për më pak se 1 orë, në shpejtësi maksimale të preferuar. Kompania po ashtu dëshiron që të dërgojë njerëzit dhe ngarkesat në hapësirë dhe t'i kthejë ata në Tokë. Një zëdhënës i "Reaction Engines" deklaroi se edhe pse nevojiten dekada të tëra që kjo teknologji të fillojë të përdoret gjerësisht për transport të njerëzve, ajo mund të përdoret më herët në aplikacione të menjëhershme.

Një arritje e madhe për tërë njerëzimin

Teknologjia e këmbimit të energjisë ka një gamë të gjerë të aplikimeve potenciale komerciale dhe aftësinë për të revolucionarizuar qasjen ndaj menaxhimit termal në një gamë të gjerë të industrive: nga hapësira, deri në industrinë motorsport, si dhe në industrinë e naftës dhe gazit. Testi i rëndësishëm është bërë në qendrën e re testuese të kompanisë në Kolorado. Kjo bëhet 30 vjet pas formimit të "Reaction Engines" në Britani rreth një koncepti të ciklit motorik, për të mundësuar qasjen në hapësirë dhe për të mundësuar fluturimet (udhëtimet) hipersonike. Teknologjia "pre-cooling" ka për qëllim uljen e temperaturës së ajrit që vjen në motor, nga rreth 1,000°C, në temperaturë të dhomës për një të 20-tën e sekondës. Për ta bërë këtë, ekipi zhvilloi një "heatexchanger" (këmbyes të temperaturave), për të menaxhuar ndryshimet tepër të mëdha të temperaturës. Qëllimi është inkorporimi i kësaj teknologjie në motorët "Sabre", të cilët do të punonin si motor i raketës. Mark Thomas, shefi ekzekutiv i kompanisë "Reaction Engines", thotë se, nëse realizohet, kjo do të ishte një arritje e madhe për tërë njerëzimin. Në lartësi të vogla dhe me shpejtësi të ulëta, motori i tillë do të ishte si motor reaktor, derisa në shpejtësi të mëdha dhe në lartësi të mëdha, ai do të shndërrohej në motor rakete, duke e kombinuar karburantin me oksigjenin e ajrit. 

(Kosova Sot)