Sukseset e para të një vaksine kundër kancerit

  • 10 April 2019 - 15:49
Sukseset e para të një vaksine kundër kancerit

Një vaksinë e kancerit, e cila e mëson organizmin si të luftojë tumoret, ka bërë që tre pacientë të kalojnë në gjendje remisioni (të shërimit potencial). Vaksina injektohet direkt në tumor dhe e mëson sistemin imun se si ta shkatërrojë atë, si dhe të kërkojë qelizat e tjera të kancerit (gjetiu në organizëm). Kërkuesit shkencorë e testuan këtë vaksinë te 11 pacientë me limfomë, ku thanë se disa prej tyre më pas kaluan në gjendje remisioni për muaj dhe vite të tëra.  

Dozat e ulëta të rrezatimit

Testimet kanë qenë aq të suksesshme, saqë ekspertët besojnë se kjo vaksinë ofron shpresë për shumë lloje tjera të kancerit, duke përfshirë atë të gjirit, kokës dhe qafës. Edhe pse trajtimi në fjalë është quajtur vaksinë, ai nuk e parandalon kancerin. Në vend të kësaj, ai e mëson sistemin imun të personit si ta luftojë sëmundjen. Kërkuesit shkencorë nga Spitali "Mount Sinai" në Nju Jork injektuan tumoret me një stimulues, i cili rekruton qelizat imune të quajtura qeliza dendritike. Pas trajtimit të tumorit me doza të ulëta të rrezatimit, më pas injektohej një stimulues tjetër, i cili aktivizonte qelizat dendritike. 

Gjendja e remisionit

Këto qeliza më pas bënin që qelizat T, që janë formë e leukociteve, të vrisnin qelizat kanceroze në tërë organizmin, duke mos dëmtuar me këtë rast qelizat e shëndosha, thotë studimi i botuar në revistën "Nature Medicine". Kjo bëri që tre pacientë të kalojnë në gjendje remisioni, pasi që trajtimi tkurri si tumoret e sulmuara, po ashtu edhe tumoret e tjera në pjesë tjera të organizmit. Autori kryesor i studimit, dr. Joshua Brody, nga Instituti "Tisch Cancer", thotë se kjo qasje e mjekimit mund të përdoret për lloje të ndryshme të kancerit. 

(Kosova Sot)