Zbulon kancerin e gjirit derisa përqafon të birin

  • 10 April 2019 - 15:56
Zbulon kancerin e gjirit derisa përqafon të birin

Një nënë e dy fëmijëve thotë se përqafimi i të birit ia ka shpëtuar jetën. Në fakt, derisa përqafonte të birin, ajo hetoi se në gji kishte një formacion si duq. Emily Makin kishte hapur duart për ta përqafuar të birin e saj Harrison, i cili tani ka tri vjet, kur, verën e kaluar, vërejti një masë në gjirin e saj të djathtë. Në fillim ajo mendoi se bëhej fjalë për ndonjë simptomë të menstruacioneve, prandaj shkoi te mjeku 'hajt, ashtu', për ta bërë një kontroll. 

Makin thotë se nuk kishte pasur asnjë simptomë të kancerit

Por, mjeku i përgjithshëm menjëherë e drejtoi me urgjencë në spital. Aty zonja Makin, 28 vjeçe, u diagnostikua me kancer të gjirit, tri herë negativ, që është një formë tepër agresive e këtij kanceri. Të njëjtin muaj zonja Makin, që është e martuar me AJ 35-vjeçar, hoqi tërë gjirin e djathtë, bashkë me tumorin 4.5 cm. Zonja Makin thotë se nuk kishte pasur asnjë simptomë të kancerit dhe se, para se ta zbulonte atë, ndihej tepër mirë. Makin e ka edhe një djalë tjetër, Freddie, 2 vjeç. Kanceri i gjirit tri herë negativ është formë tepër e rrallë, që paraqitet në 1 në 5 femra me kancer gjiri. Ai më shpesh paraqitet te femrat më të reja se 40 vjet dhe te zezaket. 

Pasi që mbaroi kimioterapinë, ajo filloi me radioterapi

Kur ia hoqën gjirin, Makin thotë se nuk e pati të vështirë, meqë 'gjinjtë tanimë e kishin kryer rolin e tyre, kishin rritur fëmijët e mi'. Kur filloi me kimioterapi, ajo vetë e rroi kokën, duke mos pritur që t'i binin ato nga terapia. "Doja që unë ta kisha veten në kontroll, e jo që kanceri të më kontrollonte mua", thotë ajo. Pasi që mbaroi kimioterapinë, ajo filloi me radioterapi. Tani ajo ka mbaruar me terapi dhe është duke pritur analizat për të parë se cila është gjendja e saj. Në fund, ajo thotë: "Kurrë nuk do të ma kishte marrë mendja se do të më paraqitej kanceri bash mua, edhe atë në këtë moshë kaq të re. Shpresoj që rrëfimi im do t'ju ndihmojë të tjerëve, që me kohë ta zbulojnë këtë sëmundje, nëse preken nga ajo".

(Kosova Sot)