Zjarr i madh në një qendër tregtare, së paku tre të vdekur

  • 10 April 2019 - 17:03
Zjarr i madh në një qendër tregtare, së paku tre të vdekur

Të paktën tre persona kanë vdekur pasi një zjarr i madh shpërtheu në një qendër të njohur tregtare në Bangkok të Tajlandës të mërkurën.

Zjarri besohet se ka shpërthyer në katin e tetë të hotelit “Centara Grand” rreth orës 17 e 40 minuta sipas kohës lokale dhe tashmë është vënë nën kontroll nga zjarrfikësit.

Mediet lokale kanë raportuar se një nga viktimat ka vdekur pasi është hedhur nga dritarja.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale shihen qindra njerëz që largohen nga kjo qendër e madhe tregtare.

Në këto pamje shihen edhe automjetet e shërbimit emergjent, të cilat përpiqeshin të arrijnë sa më shpejt në vendin e ngjarjes, ndonëse trafiku ishte shumë i ngarkuar.

Guvernatori i Bangkokut, Assawin Kwanmuang, deklaroi për mediet lokale se një person ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur në spital.

Shkaktari i zjarrit ende nuk është zbuluar. Zyrtarët e kësaj qendre kanë thënë se zjarri është vënë nën kontroll rreth 30 minuta pasi ka shpërthyer.

Në faqen e kësaj qendre në internet thuhet se ajo është e njëmbëdhjeta në listën e qendrave tregtare më të mëdha në botë, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)