Alarmohet PAN-i, vjen thirrja për LDK-në dhe Vetëvendosjen

  • 10 April 2019 - 17:05
Alarmohet PAN-i, vjen thirrja për LDK-në dhe Vetëvendosjen

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje aktualisht janë dy parti opozitare të cilat asnjëherë nuk kanë qeverisur me vendin së bashku. Kurse, kohëve të fundit po kërkohet një koalicion mes tyre.

E ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot” thotë se koalicioni mes LDK-së dhe VV-së është i domosdoshëm për Kosovën.

“Koalicioni LDK-Vetëvendosje mendoj se është i domosdoshëm, jo vetëm për këto dy parti politike, por edhe për vetë Kosovën. LDK dhe VV nuk kanë alternativë, me asnjë parti tjetër nuk mund ta mbrojnë Kosovën dhe nuk mund t'i çojnë proceset përpara”, ka thënë Salihaj.

Tutje ai është shprehur se të gjitha partitë e tjera të pasluftës vetëm kanë shfrytëzuar Kosovën në këmbim të interesave të tyre personale.

Image
Adem Salihaj

“Historia e deritashme e Kosovës e periudhës së pasluftës ka treguar së të gjitha partitë tjera janë vetëm profitere dhe shfrytëzuese të Kosovës, ato janë të gatshme ta shesin secilin interes të Kosovës, vetëm e vetëm që të jenë në pushtet dhe të vjedhin e të pasurohen sa më shumë. Hajnia dhe pasurimi i paligjshëm janë i vetmi parim i tyre”, ka shtuar Salihaj.

Për fund ai ka theksuar se liderët e LDK-së dhe VV-së nuk duhet të dëgjojnë zërat qëllimkeq brenda partive, por duhet të bashkohen për të mirën e vendit.

“Duke marrë parasysh zhvillimet shumë negative dhe rrezikun e madh që i kanoset Kosovës, liderët e dy partive, LDK dhe VV, duhet t'i lënë anash të gjitha interesat tjera dhe të mendojnë vetëm për interesin e Kosovës. Liderët e të dy partive nuk duhet t'i dëgjojnë zërat kundërshtues brenda partive, sepse ato zëra mund të jenë qëllimkeq dhe jo zëra autentikë, që pasqyrojnë vullnetin e elektoratit të tyre. Sigurisht që partitë e PAN-it, veçanërisht PDK-në, i alarmon tej mase afrimi i LDK-së dhe VV-së”, ka përfunduar ish-deputeti, Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)