Mehmeti: VETTING-u edhe në politikë

  • 10 April 2019 - 18:24
Mehmeti: VETTING-u edhe në politikë

Pozita, ashtu edhe opozita, po i frikësohen një Vetting-u në Kosovë, prandaj Qeveria vazhdon të rrijë komode dhe nuk e bën ligjin për Vetting, theksojnë analistët.

"Faktikisht, Kosova ka nevojë për reformë në drejtësi, edhe pse Kosova ka përvojë të ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar në drejtësi në krahasim me Shqipërinë që e ka "sefte". Deri tani edhe të huajt kanë dështuar në sistemin e drejtësisë në shtetin e Kosovës, në fillim misioni i UNMIK-ut e pastaj edhe ai i EULEX-it, por pa sukses. Edhe pse jam skeptik se një reformë e tillë do të ndryshonte diçka, gjithsesi ta provojmë edhe këtë mundësi si një përpjekje e fundit për të dëshmuar sadopak se e duam shtetin ligjor, qoftë edhe të detyruar nga të huajt. Vetting-u është i domosdoshëm".

"Ky proces jo vetëm që nuk duhet të diskutohet për gjyqësorin, por duhet zgjeruar edhe për politikën. Duhet të dimë se kush janë shërbyesit publikë në vend. Politika gjithashtu duhet t'i nënshtrohet Vetting-ut, pra, kontrollit. Duhet të evidentohet realisht dhe individualisht niveli profesional, pasuria dhe lidhjet me krimin e organizuar të çdo politikani. Vetting-u është i domosdoshëm për të pasur një shtet të së drejtës, dhe për të nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, si dhe për të filluar ndjekjen ndaj atyre politikanëve që kanë bërë pasuri në kurriz të popullit", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)