Gjermania dhe Franca mbështesin shtyrjen e shkurtër të Brexitit

  • 10 April 2019 - 18:26
Gjermania dhe Franca mbështesin shtyrjen e shkurtër të Brexitit

Sipas një dokumenti të Bashkimit Evropian, Gjermania, Franca, Luksemburgu dhe shefi i ekipit të BE-së për negociata me Britaninë e Madhe, Michel Barnier, e kanë përkrahur shtyrjen e shkurtër të Brexitit.

Liderët e Bashkimit Evropian takohen të mërkurën. Në këtë takim pritet që Britanisë së Madhe t’i mundësohet shtyrja e dytë e procesit të largimit nga BE-ja. Sidoqoftë, ende nuk është marrë vendim se sa do të jetë koha e kësaj shtyrjeje.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka kërkuar që ky proces të shtyhet deri më 30 qershor. Sidoqoftë, udhëheqësi i samitit të sotëm, Donald Tusk, po e përkrah një shtyrje më të gjatë, e cila do të përfundonte më 31 dhjetor të këtij viti.

Sipas këtij dokumenti, ministrat e BE-së janë përçarë lidhur me kohën e shtyrjes së Brexitit. Ata që po e mbështesin një shtyrje më të shkurtër kanë thënë se kjo do të ndikojë në rritjen e presionit ndaj deputetëve britanikë për ta miratuar marrëveshjen e kryeministres May, e cila është arritur në nëntor të vitit të kaluar.

Në këtë takim, Holanda dhe Republika Çeke e kanë mbështetur shtyrjen më të gjatë të Brexitit, duke thënë se një gjë e tillë do të ndikonte që përkrahësit e Brexitit ta mbështesin marrëveshjen e kryeministres, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot)