Tirana e Prishtina, regjime hajdutësh që po gllabërojnë pasurinë dhe të ardhmen e shqiptarëve

  • 11 April 2019 - 07:35
Tirana e Prishtina, regjime hajdutësh që po gllabërojnë pasurinë dhe të ardhmen e shqiptarëve

Zeqa: Kjo është dëshmi se kriminaliteti është në rritje, ngase kriminelët nuk kanë frikë nga shteti dhe kjo tregon po ashtu për dorëzimin e shtetit tek bandat dhe nëntoka kriminale

“A thua do të zbulohen ndonjëherë këta banditë, apo paratë e vjedhura do të ndahen ndërmjet krerëve mafiozë të shtetit dhe nuk do të flitet më kurrë as për këtë rast në Aeroportin e Tiranës, njëjtë si në Kosovë që edhe pas tërë këtyre viteve ende nuk është zbuluar se kush e vodhi drogën, paratë e arin në Policinë e Prishtinës, Pejës dhe stacione të tjera të policisë, dhe kurrë asnjë autor nuk u soll para përgjegjësisë për asnjërin nga rastet e lartcekura.

Kjo dëshmon katërçipërisht se vetë policia u shërben, jo shtetit dhe qytetarëve, por regjimeve të inkriminuara në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilat vjedhin e plaçkitin vendin e vet, ku të gjithë vihen në shërbim të nëntokës kriminale dhe kurrë askush nuk sillet para përgjegjësisë. Për çfarë shtetesh (kriminale) dhe sigurie të rrejshme mund të flitet para qytetarëve tërësisht të zhgënjyer, ku vidhet vetë Policia dhe sulmohet aeroporti që njihen si zonat më të mbrojtura të shtetit, me në krye bandat kriminale?!”, thotë analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot”

Mediet vendore dhe të huaja raportuan se një grup i armatosur grabitësish vodhën 10 milionë euro në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë. Grabitësit mbërritën në aeroport me një makinë të rreme police, e më pas i janë afruar avionit me 160 pasagjerë, i cili do të fluturonte për në Vjenë. Por, si mundet që në aeroport ndërkombëtar të hyjnë dhe të dalin kriminelët, të vjedhin dhe të përdorin makina të rreme policie?! Si mund të mos zbulohen 10 milionë euro dhe tre njerëz të armatosur në një territor kaq të vogël?

Analistët alarmojnë se Kosova, ashtu si edhe Shqipëria, janë shndërruar në vatra të krimit të organizuar. Raste të ngjashme ka në Kosovë, ku krimet kanë ndodhur në zyrat policore. Ata theksojnë se si ka mundësi që edhe pas tërë këtyre viteve ende nuk është zbuluar se kush e vodhi drogën, paratë e arin në Policinë e Prishtinës, pastaj në Peje dhe shumë stacione të tjera të policisë, dhe kurrë asnjë njeri nuk u soll para përgjegjësisë! Analistët theksojnë se policia po u shërben regjimeve të inkriminuara në Tiranë dhe në Prishtinë, ku të gjithë vihen në shërbim të nëntokës kriminale që bën këto vjedhje dhe kurrë askush nuk sillet para përgjegjësisë, për më tepër kur këto vjedhje kriminale ndodhin në stacione të Policisë në Prishtinë, në Pejë e gjetiu apo në aeroportin e Tiranës.

Image
Ragip Guraziu

Guraziu: Dorëzimi i shtetit tek bandat

“Dy shtetet shqiptare me një virus të krimit të përbashkët, i prunë dy shtetet buzë greminës. Këto dy shtetet, pra Shqipëria dhe Kosova,të mbuluara me kriminelë,mafiozë, grabitqarë, grupe të armatosur dhe për çdo ditë nuk na kalon pa u bë së paku një vrasje. Për çfarë sigurie mund të flitet për qytetarët nëse sulmohet aeroporti që është zona më e mbrojtur,nëse sulmohet stacioni i Policisë qendrore në Prishtinë apo ai në Pejë? Kjo dëshmon se krimi është në revansh dhe nuk ka frikë nga shteti apo a tregon kjo për dorëzimin e shtetit tek bandat,pa bashkëpunimi me bandat kriminale si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë ka arritur deri në përfshirje të strukturave të qeverisë në grabitje...

Dëshmi të bollshme kriminale për të përzënë Ramën e Thaçin nga politika, në shtëpi. Tani, janë bërë Shqipëria dhe Kosova shtete tipike të krimit të organizuar. Si pati mundësi që policisë i ikin nga sytë grabitësit, si mund të mos zbulohen 10 milionë euro dhe tre njerëz të armatosur në një territor kaq të vogël? Kjo na tregon se shtetit i kapur për krimin dhe aq më larg se Edi Rama dhe Hashim Thaçi, dy bosët e politikës shqiptare,njëri kryeministër i Shqipërisë,tjetri president i Kosovës, po mundohen ta mbajnë pushtetin me krim të organizuar, duke i degraduar të dy shtetet shqiptare për interesat personale të tyre!

Si pati mundësi që edhe pas tërë këtyre viteve ende nuk është zbuluar se kush e vodhi drogën, paratë e arin në Policinë e Prishtinës,pastaj në Pejë dhe shumë stacione të tjera të policisë, dhe kurrë asnjë njeri nuk u soll para përgjegjësisë?!”, ka thënë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Badallaj: Bandat e kanë në dorë shtetin, ligjin...

“Mjerisht, si në Shqipëri, si në Kosovë, bandat janë duke bërë kërdi. Për çdo ditë vrasje, plaçkitje nëpër banka,aeroport, ku kinse llogaritet vendi më i sigurt. Kjo që ndodhi dje është e pamundur që të mos jenë të lidhura me organet, sepse këtu nuk duhet analizë e thellë, kur mund të shtrohet një pyetje e thjeshtë:Si ka mundësi se në ketë avion ndodhen paratë, bile të dihet edhe shuma se sa para ndodhen.

Kjo do të thotë se na bënë horë para botës se çfarë qeveri banditësh e kanë kapur shtetin. Qëllimi i tyre u pa se kishin informacion të saktë dhe as që u lodhen,apo që të marrin avionin komplet me pasagjerë.

Në Kosovë hidhet dinamit apo tritol, atje në Tiranë futen me kallash, i tmerrojnë qytetarët dhe ia mbathin. Me një fjalë,qytetari nuk ndihet aspak i sigurt në tokën e tyre, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, sepse bandat e kanë në dorë shtetin, ligjin, prandaj këto grupe kriminale nuk njohin as ligjin dhe as shtetin.

E njëjta gjë është edhe me pushtetin kriminal në Kosovë. Këtu nuk po flas për krimet e zakonshme. Po, këtu po flas për kriminelët, kryehajnat dhe kryebanditët të veshur me xhaketën shtetërore. Ta zëmë, a vodhën në lokalet e sigurta të shtetit, në Polici, në Prishtinë, droga, paratë,pastaj në Pejë, vrasja në burgun e Prizrenit dhe lërë që nuk u burgos askush,por as që u kap dikush të merret në përgjegjësi dhe të burgoset. Pra, shtetet janë tipike kriminele.

Të futet dikush në Polici, të dihet ku është droga dhe paratë, të dihet edhe vendi se në cilën zyrë janë dhe të mos hetohet një njeri i huaj, të marrë drynin, ta hapë atë dhe të dalë pa u hetuar fare dhe kush e beson këtë ? A ndodhi një vrasje me thikë, a kap vetura e ish- udbashit të Slobodan Milosheviqit,Enver Maxhunit, djalit të Shpend Maxhunit po ashtu, argat i Milosheviqit dhe kush u burgos,kush u shoqërua në Polici, ku është aktakuza dhe pastaj si mund të ketë besim qytetari në këto organe kriminale”, ka thënë Reshat Badallaj -Zhuriani për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri

Qarri: Shqipëria dhe Kosova janë kthyer në shtete tipike të krimit të organizuar!

Analisti Gani Qarri shprehet se kur flitet për Shqipërinë e pse jo edhe për Kosovën,bëhet fjalë, njëmend për shtete tipike kriminale dhe këtë e dëshmon edhe e dhëna që pikërisht brenda të njëjtës orë, disa minuta para dhe vetëm disa minuta pas ngjarjes së grabitjes makabre, në të njëjtën aeroplan dhe vetëm disa metra larg vendit ku po ndodhte grabitja, erdhën dhe po nga e njëjta pistë fluturuan, krerët më të lartë shtetërorë dhe ish-kryeprokurori i shtetit të quajtur "Shqipëri"!

“Ka kohë që si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë nuk mund të flitet as shpjegohen më ngjarjet, vetëm me shprehje të kufizuara mbi grupe dhe banda të inkriminuara, por përfundimisht, shihet dhe dëshmohet hapur se këtu bëhet fjalë për udhëheqje dhe shtete tipike kriminale. Përderisa mediet vendore fillimisht folën për dy milionë euro, mediet e huaja raportuan se një grup i armatosur grabitësish, të cilët në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tirane, u futën me një makinë të rreme policie, pasi i janë afruar avionit me 160 pasagjerë që do të fluturonte për në Vjenë vodhën mbi 10 milionë euro”, theksoi ai.

“Megjithatë, vendi nuk u trondit vetëm nga kjo ngjarje e rëndë dhe që në mes të ditës grabitësit arritën të plaçkitnin mbi 10 milionë euro në Aeroportin e Rinasit, por për faktin e çuditshëm, se pikërisht politikanët më të lartë të shtetit (të ashtuquajtur) në të njëjtën kohë zbritën dhe fluturuan nga i njëjti aeroport dhe pothuajse me të njëjtin aeroplan.

Ngjarja bëhet edhe më dramatike, për të mos thënë tërësisht e trishtueshme, kur raportohet se vetëm pak minuta para se të ndodhte grabitja, me të njëjtin aeroplan nga vizita zyrtare në Austri u kthye në Rinas Presidenti Ilir Meta. Ndërsa, vetëm pak minuta pas ngjarjes, sikur të mos kishte ndodhur pothuajse asgjë, po nga i njëjti aeroport kanë fluturuar kryeministri i Edvin Kristaq Rama, kryeparlamentari Gramoz Rruçi dhe personalitete të tjera të larta kriminale, pardon të ashtuquajtura më të larta "shtetërore" të Shqipërisë.

E për t’u bërë dhe më e çuditshme tragjik-komedia e djeshme në Rinas, brenda aeroplanit të “Austrian Airlines” që po grabitej, kishte zënë vend të udhëtonte edhe vetë ish-kryeprokurori i "shtetit" Adriatik Llalla.

Ndaj me të drejtë lind pyetja: Kush kënd e vodhi këtu?!”, vijoi më tej Qarri. “Pavarësisht faktit se siguria në aeroport ka qenë maksimale, as që i ka penguar 5 grabitësit të finalizonin planin e tyre.

Kjo jo vetëm që i turpëron pafundësisht shqiptarët para krejt botës, por flet hapur se Shqipëria, por dhe Kosova janë kthyer në shtete tipike të krimit të organizuar.

Këtu nuk mund të flitet më vetëm për vjedhje dëshmish, parave, arit dhe drogës në dhomat e "sigurisë së lartë", siç ndodhi brenda Policisë së Kosovës, më 2009 në Prishtinë, rast që pas kaq vitesh të kaluara pa asnjë informatë të mëtejme, tashmë edhe mund të jetë parashkruar, porse edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, pikërisht në kohën kur vijnë dhe shkojnë krerët më të lartë "mafiozë" të vendit, jo vetëm hyjnë dhe dalin kriminelë, por banditët edhe vjedhin ditën për diell, miliona euro me makina të rreme policie.

Madje, hajnat e porositur, e dinë ekzaktësisht se kur dhe ku, ka shuma kaq marramendëse të parave, hyjnë gati padukshëm e aq lehtësisht në aeroport dhe vetëm pesë grabitës plaçkitin mbi 10 milionë euro. Ata u zhduken nga sytë policisë, në një territor kaq të vogël e aq shumë të mbikëqyrur,prej aq shumë kamerash, nga më modernet të kohës, dhe ikin sikur mos të kishte roje as polic në aeroport fare”, vlerësoi për “Kosova Sot”, Gani Qarri.

“A thua do të zbulohen ndonjëherë këta banditë, apo paratë e vjedhura do të ndahen ndërmjet krerëve mafiozë të shtetit dhe nuk do të flitet më kurrë as për këtë rast, njëjtë si në Kosovë që edhe pas tërë këtyre viteve ende nuk është zbuluar se kush e vodhi drogën, paratë e arin në Policinë e Prishtinës, Pejës dhe stacione të tjera të policisë, dhe kurrë asnjë autor nuk u soll para përgjegjësisë për asnjërin nga rastet e lartcekura

Kjo dëshmon katërçipërisht se vetë policia u shërben, jo shtetit dhe qytetarëve, por regjimeve të inkriminuara në Tiranë dhe në Prishtinë të cilat vjedhin e plaçkitin vendin e vet, ku të gjithë vihen në shërbim të nëntokës kriminale dhe kurrë askush nuk sillet para përgjegjësisë.

Ngjarjet jo vetëm se përkojnë shumë si për nga forma, ashtu edhe nga zhvillimet, por për aq më tepër këto vjedhje kriminale ndodhin në vendet më të ruajtura të shtetit, si në stacionet qendrore të policisë në Prishtinë, në Pejë e gjetiu apo në Aeroportin e Tiranës, ndaj lind pyetja se për çfarë shtetesh (kriminale) dhe sigurie të rrejshme mund të flitet para qytetarëve tërësisht të zhgënjyer, ku vidhet vetë Policia dhe sulmohet aeroporti që njihen si zonat më të mbrojtura të shtetit, me në krye bandat kriminale.

Vetë kjo, përveçse dëshmon që krimi është në revansh dhe nuk ka frikë nga shteti, tregon edhe për dorëzimin e shtetit tek bandat, pasi që bashkëpunimi me bandat kriminale si në Prishtine, ashtu edhe në Tirane ka arritur deri në përfshirje të strukturave më të larta të qeverisë në grabitje”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Image
Florim Zeqa

Kriminelët hyjnë e dalin pa u hyrë “therrë në këmbë”

Analisti Florim Zeqa theksoi se dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova janë bërë "kampione" (modele) të vjedhjes dhe kontrabandimit dhe shtete tipike të korrupsionit dhe krimit të organizuar në rajon. “Vjedhja e 10 milionë eurove në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë u bë TOP lajmi i medieve vendore dhe ndërkombëtare.

Në aeroport, në vendin ku siguria duhet të jetë në nivelin më të lartë, grabitësit mbërritën në aeroport me një makinë të rreme policie, e më pas i janë afruar avionit me 160 pasagjerë, i cili do të fluturonte për në Vjenë.

Në një aeroport ndërkombëtar ku hyjnë dhe dalin kriminel pa "therrë në këmbë", vjedhin dhe përdorin makina të rreme policie, nuk bëhet fjalë për shtet dhe ligje në atë vend.

Këtu bëhet fjalë për bashkërendim të hajnave e kriminelëve me pushtetarët dhe me ata që paguhen nga shteti (policia) për mbrojtjen e rendit dhe ligjit, kapitalit dhe jetës së qytetarëve.

Ndryshe nuk do kishin pasur mundësi hajnat që të dinë saktësisht ku ndodhen dhe në cilën orë ka shuma kaq të mëdha parash!”, u shpreh ai për “Kosova Sot” . Sipas Zeqës, vetëm përmes një koordinimi të shkëlqyer të bandave me mbrojtësit e rendit mund të realizohet hyrja dhe dalja lehtësisht nga aeroporteve tona, qoftë atë të Tiranës apo të Prishtinës.

“Sikur të mos ishte kështu, grabitësit nuk do të kishin mundësi të iknin para syve të policisë, e aq më pak të mos zbulohen 10 milionë euro dhe tre njerëz të armatosur në një territor kaq të vogël!

Aspak situatë më e mirë nuk është në Kosovë, ku edhe pas tërë këtyre viteve ende nuk është zbuluar se kush e vodhi drogën, paratë e arin në Policinë e Prishtinës, pastaj në Pejë dhe shumë stacione të tjera të policisë gjithandej vendit, dhe kurrë asnjë njeri nuk u soll para përgjegjësisë.

Kësisoj, policia në dy shtetet shqiptare, në vend që t'u shërbejë qytetarëve, po u shërben regjimeve të inkriminuara në Tiranë dhe në Prishtinë, duke u vënë në shërbim të nëntokës kriminale që bën vjedhje dhe zhvatje të buxhetit të shtetit dhe të qytetarëve”, ka thënë më tej Florim Zeqa.

“Në Shqipëri e në Kosovë nuk bëhet fjalë për siguri të qytetarëve, por për siguri dhe mbrojtje të "COSA NOSTRA"-as nga policia dhe gjykatat e kapura nga pushtetarët.

Ndodh pikërisht kështu, për faktin se vjedhjet më të mëdha kriminale po ndodhin në vendet më të "sigurta", siç janë stacionet e policisë në Prishtinë, në Pejë e gjetiu.

Nuk mund të bëhet fjalë për siguri të qytetarëve, nëse sulmohet aeroporti që konsiderohet se është zona më e mbrojtur apo nëse sulmohet stacioni policor apo një bankë në qendër të kryeqytetit”, vlerësoi ai. Zeqa shton se kjo është dëshmi se kriminaliteti është në rritje, ngase kriminelët nuk kanë frikë nga shteti. “Njëherësh kjo tregon për dorëzimin e shtetit tek bandat dhe nëntoka kriminale”, ka thënë analisti Zeqa.

(Kosova Sot)