Pushtetarët kosovarë e bënë Kushtetutën si letër tualeti

  • 11 April 2019 - 07:45
Pushtetarët kosovarë e bënë Kushtetutën si letër tualeti

Syla: Edhe ligjet, edhe Kushtetutën po i shkelin vetë këta që janë në udhëheqje të shtetit!

“Fatkeqësisht, po këta që po e shkelin Kushtetutën do të dalin përsëri nesër e të kërkojnë vota, e ne nuk po dimë se kujt t’ia japim votën më, sepse ata që nuk i shkelin ligjet dhe Kushtetutën, ata që nuk janë pjesë e hajnisë, po mbeten akoma jashtë skenës politike, nuk përfshihen fare në lista dhe as që mund të futen në atë lojë”, thotë qytetari Kadri Hasangjekaj për “Kosova Sot”

Derisa pushtetarët e shënuan përvjetorin e 11-të të Kushtetutës së shtetit të Kosovës, duke u vetëlavdëruar dhe vetëvlerësuar kinse për të arriturat në procesin e zbatimit të aktit më të lartë juridik të vendit dhe ndërtimit të shtetit, qytetarët shprehen kritikë dhe nuk u besojnë “krekosjeve” të politikës që ka kapur shtetin, ngase, sipas tyre, as Kushtetuta dhe as ligjet që rrjedhin prej saj nuk po zbatohen nga ata që janë të thirrur ta bëjnë atë, nga qeveritarët dhe zbatuesit e ligjit, prandaj nuk mbetet gjë tjetër veç mobilizimit për të protestuar dhe kundërshtuar këtë kastë politike të inkriminuar e të dështuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë komunal.

Sipas vlerësimit nga këndvështrimi i qytetarit të thjeshtë, pushtetarët e shohin Kushtetutën si alibi për shumë dështime, prapaskena, skandale, që i bëjnë në veprimtarinë e tyre për hesapin e ngushtë, jo rrallë kriminal. Madje, për të arritur qëllimin e vet në dëm të shtetit, ata theksojnë se ka kohë që presidenti Hashim Thaçi po kërkon edhe ndryshimin e Kushtetutës ekzistuese, ngase tash për tash kjo Kushtetutë po ia prish punët presidentit Hashim Thaçi dhe po ia zbulon e pamundëson realizimin e një plani tanimë të dekonspiruar - ndarjen e Kosovës.

Edhe qytetarët po e shohin se marrëveshja që ai e ka arritur në parim me Vuçiqin parasheh cenimin territorial të Kosovës, një gjë që bie në kundërshtim flagrant jo vetëm me Kushtetutën, por paraqet një shkelje të rëndë të Kodit Penal, prandaj kjo është arsyeja se pse Thaçi me çdo çmim po kërkon ndryshimin e Kushtetutës.

Image
Kadri Hasangjekaj

Pushtetarëve nuk u konvenon respektimi i Kushtetutës

Sipas qytetarit Kadri Hasangjekaj, edhe ky përvjetor i Kushtetutës së Kosovës, përveç fjalëve të mëdha e të mira nga pushtetarët, nuk ka sjellë ndonjë risi të dukshme pozitive që flet për zbatimin e mirë të Kushtetutës dhe ligjeve që dalin prej saj, prandaj vazhdimisht këto institucione po ballafaqohen me kritika të ashpra nga miqtë ndërkombëtarë.

“Zbatimi i ligjeve dhe Kushtetutës nuk po u konvenon pushtetarëve. Kushtetuta, si akti më i lartë juridik i vendit, është edhe ligj suprem, është ligji më i lartë i shtetit, kurse të gjitha të tjerat ligje, janë akte nënligjore, që duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën, prandaj unë mendoj që të gjithë këta që sot po bëjnë shkelje duhet t’i ndalojnë shkeljet dhe t’i hapin sytë e t’i zbatojnë me përpikëri edhe ligjet edhe Kushtetutën.

Nuk thuhet kot së koti që nga ai vend në të cilin nuk zbatohen ligjet dhe Kushtetuta duhet ikur, sepse aty nuk ka perspektivë dhe nuk ka jetë. Për këtë shkak, unë mendoj që edhe po na ikin njerëzit, por herët apo vonë dikush duhet dhe do të japë përgjegjësi një ditë edhe për këtë punë, sepse nuk shkon gjatë kështu”, potencoi Hasangjekaj. Ai po ashtu është edhe kundër kërkesave të presidentit për ndryshimin e Kushtetutës, që sipas tij ai ndryshim kushtetute do të lejonte edhe ndryshimin e kufijve, respektivisht do të mundësonte që marrëveshja me Serbinë të kalojë pa u penguar nga ligjet dhe Kushtetuta.

“Me këtë Kushtetutë që kemi, marrëveshja me Serbinë mund të mos i kalojë, sepse ai po dëshiron që të ndryshohen kufijtë. Nuk duhet të preken kufijtë tani, sepse dihet se ku i ka dhe si i ka tash kufijtë shteti i Kosovës. Dihet ku i kemi tash kufijtë e ku i kemi pasur në të kaluarën, por na i kanë marrë përgjatë historisë. E ky tani po dëshiron të luajë me kufij dhe kjo nuk është në rregull. Madje ky po kërkon edhe referendum, e në bazë të Kushtetutës nuk ka të drejtë për këtë çështje as në referendum. Po kërkon referendum vetëm pse po i teket atij”, tha Kadri Hasangjekaj.

Kosova pa zot shtëpie

Qytetari Sahit Osmani tha se nuk mund të jetë aspak e pritshme që të kërkohet zbatim i ligjeve dhe i Kushtetutës nga njerëzit e përfshirë në krim dhe korrupsion... në hajni. “Unë po e them troç se as ligjet dhe as Kushtetuta nuk janë duke u zbatuar si duhet, sepse të gjitha këto i kanë miratuar hajnat që janë në pushtet. E neve një gjë duhet ta dimë që hajnat nuk duan ta shkelin fjalën e vet. Kjo është njësoj edhe kur është fjala për moszbatimin e Kushtetutës nga ana e Presidentit.

E unë prej presidentit di tash vetëm një fjalë të mirë, e kam dëgjuar deri më tash, kur pati deklaruar se sa u takon veteranëve të UÇK-së nuk ka më shumë se 12.000 deri në 15.000 dhe nuk ka më shumë. Unë mendoj që deri tani kjo ka qenë një deklaratë e vërtetë, që e ka folur deri më sot dhe mund t’i besohet 100%, e për të tjerat ka disa deklarata të mira, por ka shumë të këqija.

Sa i takon këtij moszbatimi të Kushtetutës, është e vërtetë që nuk po e zbatojnë asnjëri, sepse kur nuk e zbaton vetë kryetari, që është “i zoti i shtëpisë”, nuk e zbatojnë as të tjerët. Pra, kur një pune me rëndësi nuk i rri gati, si kujdestar, i zoti i shtëpisë, atëherë çfarë mund të kërkosh nga të tjerët, ata nuk e zbatojnë edhe më hiç”, theksoi Osmani për “Kosova Sot”.

Image
Sami Raka

Sovraniteti nuk guxon të preket

Qytetari Sami Raka tha se krerët e shtetit nuk duhet të lëshojnë pe për ta cenuar sovranitetin dhe integritetin e shtetit, duke luajtur e shkelur Kushtetutën, por duhet insistuar që Serbia ta njohë realitetin e krijuar në Kosovë dhe kufijtë e saj kushtetues të njohur ndërkombëtarisht.

“Në këtë mënyrë Serbia nuk duhet të lejohet dhe të tolerohet, duhet të jetë më korrekte dhe duhet t’i pranojë të gjitha krimet e luftës, duhet ta dijë që gjithmonë nuk shkohet kështu, por unë mendoj që këtu duhet të jetë më e përkushtuar edhe bashkësia ndërkombëtare, që për mendimin tim është fajtore që po e toleron Serbinë të sillet kështu dhe që nuk i ka bërë trysni me kohë që ta pranojë Kosovën si shtet i pavarur, sikur që është vepruar në rastet tjera, me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Malin e Zi”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Për moszbatimin më të përpiktë të ligjeve dhe Kushtetutës në funksionimin brendapërbrenda shtetit, e kanë të gjithë nga pak, por më së shumti opozita dhe ‘Vetëvendosje’ që nuk po i njeh këto institucione, këto ligje e këtë Kushtetutë, kurse ne si qytetarë kemi kontribuar të gjithë sa kemi mundur për Kosovën tonë, që ta kemi shtet me ligje e me Kushtetutë.

E sa i takon tani kësaj kërkese të presidentit për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim që të arrihet dhe zbatohet një marrëveshje e dëmshme me Serbinë, edhe unë jam kundër kësaj, por konsideroj që meqenëse është formuar një ekip në krye me Fatmir Limajn, megjithatë nuk besoj që do të lejojnë të veprohet diçka në dëm të Kosovës, por këtu duhet të jenë të bashkuar të gjithë dhe të jenë më të fuqishëm në mbrojtje të Kushtetutës, për të mos lejuar që të bëhen marrëveshje të dëmshme në interes të shtetit të Kosovës”, vijoi më tej Raka.

Plani i Thaçit, skandali i radhës

Qytetari Enver Syla tha për “Kosova Sot” se për këta pushtetarë që po festojnë tani dhe po thirren në emër të respektimit e zbatimit të ligjit, edhe ligjet, edhe Kushtetuta figurojnë vetëm në letër, sepse shkelen dhe nuk zbatohen pikërisht nga ana e tyre dhe nuk mund të shkelen nga qytetari i zakonshëm.

“Kosova si shtet i ri, fatmirësisht, me mbështetjen ndërkombëtare dhe të ekspertëve vendorë, ka ndërtuar një Kushtetutë të standardeve më të avancuara demokratike dhe njësoj është vepruar edhe me ligjet që kemi për zbatim, por, fatkeqësisht, as ligjet dhe as Kushtetuta nuk po zbatohen. Pra, edhe ligjet edhe Kushtetutën po dalin e po i shkelin vetë këta që janë në udhëheqje të shtetit dhe këtë shkelje këta e bëjnë vetëm për realizimin e interesave të veta”, u shpreh ai.

“Për këto shkelje të tyre kushtetuese, në disa raste, është deklaruar edhe Gjykata Kushtetuese dhe ka bërë mirë që e ka bërë këtë konstatim, sepse megjithatë Gjykata Kushtetuese është një lloj gardiani i mbrojtjes së Kushtetutës dhe duhet të japë gjykimin e saj të drejtë”, theksoi Syla. Sipas tij, është skandal më vete kjo që tani po insistohet nga Hashim Thaçi për ta ndryshuar Kushtetutën, që të arrihet edhe qëllimi i tij, i kalimit të papenguar të marrëveshjes për ndryshim kufijsh me Serbinë, marrëveshje e arritur në parim, sikur që po dyshohet, në mes të Thaçit e Vuçiqit.

“Kjo shkelje, që po tentohet të bëhet tani në mënyrë legale, është edhe më e rëndë, sepse në bazë të kësaj Kushtetute në fuqi nuk lejohen ndryshimi dhe cenimi i kufijve ekzistues të shtetit të Kosovës. Kosova me këtë Kushtetutë që kemi, me këta kufij që mbrohen me këtë akt të lartë juridik, është njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete të botës, prandaj nëse presidenti vazhdon të insistojë akoma tani për ta ndryshuar Kushtetutën, kjo dëshmon ashiqare se qëllim i tij është të ketë të drejtë që t’i ndryshojë edhe kufijtë. Unë mendoj se pikërisht kjo është arsyeja e vetme pse ai ka kërkuar dhe kërkon ndryshimin e kësaj kushtetute”, vlerësoi Enver Syla.

Sipas qytetarit Syla, kjo tendencë duhet të kundërshtohet edhe nga subjektet tjera politike, edhe nga qytetarët, por edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese, dhe të bëhet gjithçka e mundshme për të mos lejuar që përmes ndryshimit të Kushtetutës të rrezikohet tërësia territoriale e shtetit.

Image
Ibro Musliu

Asociacioni, shkelja masive e Kushtetutës

Qytetari tjetër, Ibro Musliu, tha për “Kosova Sot” se sa u takon shkeljeve kushtetuese flet një fakt tepër alarmant, kur vetë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar më shumë se 23 shkelje në një marrëveshje të vetme, për Asociacionin, e të mos flasim për shkelje të tjera që i ka bërë dhe po i bën vetë politika dhe vetë presidenti Hashim Thaçi.

“Unë e di që Kushtetuta është akti më i lartë ligjor, akti suprem i shtetit, nga i cili varet i gjithë procesi i rregullimit ligjor të vendit, por për mua sikur nuk ekziston fare kjo Kushtetutë, sepse unë nuk jam i kënaqur me zbatimin e saj dhe realisht asnjë fitim prej saj nuk po shoh që po i ndodh shtetit, as mua si qytetar. Tanimë po e shohim që për çdo ditë gati po deklarohen e po konstatohen shkelje të reja të Kushtetutës dhe unë me të vërtetë nuk po e kuptoj se a është bërë një lloj tepihu, apo çka në realitet po bëhet prej saj, prej Kushtetutës.

Edhe kush po i bën këto shkelje, unë dhe ti jo, por i pari i vendit, ai që po betohet në të. Ai po zotohet dhe po mbahet në të dhe nga ana tjetër po i bën të gjitha punët tjera që nuk janë për të, që nuk janë në harmoni me Kushtetutën”, theksoi Musliu.

(Kosova Sot)