Mafio-politika e mposhti drejtësinë

  • 11 April 2019 - 07:56
Mafio-politika e mposhti drejtësinë

Miftari: Kosovën e sundojnë parasistemet politike, domethënë klanet mafioze-politike, që veprojnë si shërbim sekret i tyre

“Me vite është folur kinse për arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’ të krimit në Kosovë, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur, pra assesi as nga gjykatat tona këta ‘peshqit e mëdhenj’ të krimit të organizuar dhe korrupsionit ende nuk janë prekur...

Kështu pra, në këtë drejtim është sfiduar edhe drejtësia kosovare, duke u treguar e pafuqishme në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit institucional të pushtetit, ngase me një fjalë të gjithëpushtetshmit, mafio- politikanët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista në ketë vend nuk i kanë prekur asnjëherë ligji dhe drejtësia”, thotë për “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi

Edhe pse përgjimet e klanit PRONTO dëshmuan qartë dhe ishin edhe një dëshmi shtesë se në Kosovë nuk ka shans të fitohet asnjë tender në procedurë të rregullt, por kjo duhet bërë vetëm duke e ndarë “tallin” me nëntokën kriminale që po udhëheq çdo gjë në Kosovën e sunduar, sërish Prokuroria Speciale e as ato themelore nuk e sollën asnjë prej pushtetarëve të nivelit të lartë deri më sot në bankën e të akuzuarve, thonë njohësit e fushës së drejtësisë.

Analistët pyesin se pse organet e drejtësisë po vazhdojnë “të flenë” dhe nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike që punojnë për ta dhe ua ‘lagin fytin’ atyre, të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Image
Naim Miftari

Miftari: Mafia e sundon Kosovën

“Edhe shurdhmemecët e të verbrit e dinë edhe e ndjejnë se në Kosovë sundojnë krimi i organizuar politik dhe korrupsioni. Kosovën e sundojnë parasistemet politike, domethënë klanet mafioze-politike, që veprojnë si shërbim sekret i një klani, i një familje, i disa individëve, dhe pikërisht ata individë politikë mafiozë vendosin kush duhet me qenë kryeprokuror, prokuror, gjyqtar, polic hetues, kryepolic, ata vendosin kush duhet me qenë pjesëtar i AKI-së, kush duhet shef, e deri edhe në fakultete e gjykata kushtetuese vendosin gishtin kush duhet të punojë aty.

Prandaj, edhe rezultatet e sundimit të ligjit dhe kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar në nivel të lartë janë zero dhe Kosova po zbrazet nga të rinjtë shqiptarë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Skënder Kapiti

Kapiti: Tenderimet bëhen formalisht, pasi fituesit e tyre janë të parazgjedhur e të paracaktuar

Analisti Skënder Kapiti theksoi se korrupsioni i politikës do të thotë korrupsion i të pushtetshmëve dhe kryesisht bëhet me tenderët, me investimet publike, duke vjedhur e zhvatur paranë publike.“Kjo pasi nga bisedat nëpër salla e korridoreve të institucioneve shtetërore prej gojës së atyre të veshur me pushtet dhe të atyre pranë tyre dëgjohet më së shumti interesimi se "a kaloi ky apo ai tender"?!

Tenderimet bëhen formalisht, pasi fituesit e tyre janë të parazgjedhur e të paracaktuar dhe ato i fitojnë bizneset, të cilat kanë lidhje dhe mbështetje politike edhe me pushtetin. Kjo ndodh pasi një pjesë të parave fituesi ua ‘zarfon’ politikanëve dhe pushtetarëve, të cilët ndërhyjnë dhe mundësojnë që fituesit e tenderëve të jenë ata të cilët nuk i zgjedh procedura ligjore, por ndërhyrja dhe preferenca korruptive e pushtetit dhe e politikës”, u shpreh ai.

“Garat politike prandaj janë shumë të ashpra, si në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse politika shqiptare e synon pushtetin kryesisht sepse pushtetit, qeverisë qendrore dhe lokale, dikastereve ministrore dhe drejtorive qendrore, u jepet shansi për tenderime, subvencione e privatizime; u jepet shansi i mosllogaridhënies për taksat, tatimet, për kontrabandën dhe evazionin fiskal, për favorizime në tenderime, në investime, për mospagesë taksash e tatimesh, për kontrabandë mallrash etj., duke zhvatur paranë publike me korrupsion e me ryshfet, duke u bërë biznesmenë e miliarderë shumë shpejt, vetëm për meritën e të qenët politikan i lartë, pushtetar, ministër, kryekuvendar, prokuror e gjyqtar”, vlerësoi Kapiti për “Kosova Sot”.

Image
Naim Kelmendi

Ndërhyrja ndërkombëtare, e domosdoshme

Analisti Naim Kelmendi theksoi se do të duhej që edhe në Kosovë ambasadorët amerikanë dhe të BE-së të kërkojnë si në Shqipëri arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, që përbejnë krimin e organizuar, siç janë ata të pushtetit të inkriminuar dhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista, të bizneseve mafioze e kriminale, e të lidhura dhe me mbështetje të ngushtë dhe bashkortake të fshehtë nga majat e tri pushteteve ekzekutive dhe të dyja niveleve.

“Tani pyetja do të mund të shtrohej se çfarë po ndodh kështu me tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë, a kemi fare drejtësi... Madje edhe vetë misioni evropian për sundim të ligjit si duket i pati çuar duart nga tentimi i bërjes së drejtësisë, duke e parë se krimi i organizuar me rritje galopante nuk ka vetëm disa veta të pushtetshëm, por një rrjet të gjerë, të qindra njerëzve që i shërbejnë politikës e pushtetit të kriminalizuar për shumë vite dhe që është tepër i vështirë luftimi i tyre, pasi përdorin mënyrat më perfide edhe të sofistikuara të plaçkitjes e të përftimit, që në fakt blejnë çdo kë me shumë para, vetëm për të mos u akuzuar apo dënuar nga drejtësia tanimë e trafikuar...”, vijoi më tej Kelmendi.

Sipas tij, de-fakto e de-jure pastrimin e drejtësisë kosovare e shpëton patjetër dhe mbeten të domosdoshme ndërhyrja dhe vendosmëria e ambasadorëve nga ShBA-ja dhe BE-ja, sikundër kanë këmbëngulur edhe në Shqipëri për arrestimin e "peshqve të mëdhenj", të krimit e të korrupsionit.

Image
Gent Gjini

Gjini:“Peshqit e mëdhenj” amnistohen

“Organet e drejtësisë, për fat të keq, sot cakun kryesor të luftimit të kriminalitetit e zhvillojnë tek ‘peshqit e vegjël’, ndërsa ‘peshqit e mëdhenj’ lundrojnë dhe aq më tepër kur këta ‘peshqit e mëdhenj’ i ‘hanë të vegjlit’. Këtë ndërlidhje e bëra se ajo kategori që hahet nga ‘peshqit e mëdhenj’ janë një spektër i gjerë personash: si gjyqtarë, prokurorë, persona zyrtarë, hetues etj.,etj., e mjafton vetëm t’i analizojmë aktakuzat dhe aktgjykimet, se si sot amnistohen ‘peshqit e mëdhenj’.

Si ilustrim i këtij konstatimi, mund t’i marrim rastet e institucioneve apo drejtorive, kur vetë eprori drejtpërdrejt është përfshirë në një aferë kundërligjore, si bartësi i këtij institucioni, drejtësia jonë në punën e hetimeve, përkatësisht aktakuzave, i përfshin vartësit, të tjerë punëtorë të shkretë, që nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me atë kundërligjshmëri dhe ndaj tyre drejtësia funksionon me pasojë të dënimit me burg, dhe aq më tepër largimit të tyre nga marrëdhënia e punës, fatkeqësisht këto janë ngjarje të vërteta.

Po ashtu, pse drejtësia, në veçanti gjyqtarët duhet të monitorohen në punën e tyre, është edhe fakti tjetër se kemi kontradikta esenciale në aktgjykimet e gjyqtarëve për kryesit e njëjtë, përkatësisht për vepra të njëjta penale, me dënimet kontradiktore (tjetër dënim për të pasurin, tjetër dënim për të varfrin, e ngjarja e tyre është e njëjtë). Si rrjedhojë me këtë vihet në pikëpyetje edhe qëndrueshmëria juridike e vendimeve gjyqësore të sistemit juridik dhe siguria juridike e qytetarëve.

Këto analiza janë të vërteta, sepse në punën time si avokat jam ndeshur me këso lloj padrejtësi, aq të thella dhe aq të dukshme për syrin e qytetarit të thjeshtë, e aq të dukshme edhe për syrin vëzhgues të faktorit evropian, organizatave evropiane, monitoruesve të tjerë që konstatojnë pothuajse çdo ditë këto ngjarje”, u shpreh avokati Gent Gjini për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)