“Kosova Sot”, e vetmja që po i lufton dukuritë negative pa kompromis

  • 11 April 2019 - 08:19
“Kosova Sot”, e vetmja që po i lufton dukuritë negative pa kompromis

Bajra: Sikur që ka raportuar për krimet serbe në kushte lufte, gazeta “Kosova Sot” po raporton dhe shkruan edhe sot për mënyrën e keqqeverisjes së vendit

“Gazeta”Kosova Sot” ishte zëri i lirisë. Suksesi i kësaj gazete është suksesi i gjithë Kosovës. Uroj të mbetet më e lexuara dhe gazetë lidere. Pronari i kësaj gazete është një lloj heroi i mediave, do të thosha. Unë e di se në frontet të luftës këtë gazetë e kemi dashur e respektuar për reportazhet e bukura dhe reale nga betejat tona.

Mirëpo, me këto shifra, të cilat i mësova këto ditë, po them se vetë pronari i kësaj gazete është hero që duhet të nderohet. Prandaj, mendoj se duhet të kompensohet, sepse kjo gazetë ishte kudo që ishte pushka e zëri i ushtarëve të lirisë”, thotë lexuesja Ata Begaj, edukatore

Image
Agim Muçaj

Agon Muçaj, ekonomist

Përvjetorët e luftës na kujtojnë dhimbjen dhe krenarinë që në çdo vit ringjallet, duke na kujtuar rrugëtimin nga shtigjet e vështira të së kaluarës deri në ditët e sotme. 24 marsi i vitit 1999, përpos si ditë e veçantë për Kosovën, mbahet mend edhe për sulmin më të madh të regjimit të Milosheviqit ndaj shkrimit shqip.

Atë ditë, me urdhër shtetëror nga forcat serbe, u dogj në tërësi një nga shtypshkronjat më të mëdha të kohës, që në asnjë rrethanë nuk e ndalte punën e saj për informimin e popullatës vendase dhe opinionin botëror për bëmat e pushtetit serb mbi popullatën e Kosovës. Qëllimi ishte i qartë, paralizimi i secilit kanal të komunikimit, me qëllim të avancimit të papenguar të politikave dhe veprimeve shfarosëse të Serbisë në Kosovë.

“Kosova Sot” është simbol i rezistencës dhe përpjekjes së Kosovës për liri. Këtë e dëshmon fati i kësaj shtëpie, që ishte sikurse fati i Kosovës, u dogj, u shkatërrua, për të rilindur përsëri në madhështinë e saj. Të gjithë stafit të gazetës "Kosova Sot" i dëshirojmë punë të mbarë dhe vazhdimësi të guximit për të informuar drejt dhe paanshëm!

Pronari i kësaj gazete është hero, që duhet të nderohet

Image
Bari Zeneli

Mr. Bari Zeneli, zyrtar i MKRS-së

"Kosova Sot" po vazhdon të mbetet dritare informative në Kosovë. Kjo gazetë në secilën ditë po dëshmohet se është e konsoliduar dhe profesionale. Këtë profesionalizëm nuk e ka ndërtuar pa sakrificë. U sakrifikua gjatë luftës, por edhe pas luftës. Jo rastësisht ka qenë në shënjestër të zjarrit të regjimit të Milosheviqit.

Edhe pas luftës "Kosova Sot" u tregua e pathyeshme, ashtu siç u tregua në luftë, profesionale. Kjo gazetë edhe sot është e vetmja që po i lufton dukuritë negative, pa kompromis. Lufta ndaj dukurive negative sigurisht që është sakrifica e radhës që po e bënë kjo gazetë, prandaj edhe sot ka mbetur më e lexuara dhe me besueshmëri të theksuar. Uroj që “Kosova Sot” të ketë jetë të gjatë dhe gjithnjë në shërbim të informimit të drejtë, sepse vetëm në këtë mënyrë ruan etikën e gazetarisë. Urime!

 

Image
Arta Begaj

Arta Begaj, edukatore

E përditshmja "Kosova Sot" është reale që po arrin shumë rezultate. E di kur e kanë djegur, ngase ajo ishte halë në sy të serbëve dhe luftëtarëve të tyre barbarë. Gazeta”Kosova Sot” ishte zëri i lirisë. Suksesi i kësaj gazete është suksesi i gjithë Kosovës. Uroj të mbetet më e lexuara dhe gazetë lidere. Pronari i kësaj gazete është një lloj heroi i mediave, do të thosha. Unë e di se në frontet të luftës këtë gazetë e kemi dashur e respektuar për reportazhet e bukura dhe reale nga betejat tona.

Mirëpo, me këto shifra, të cilat i mësova këto ditë, po them se vetë pronari i kësaj gazete është hero që duhet të nderohet. Prandaj, mendoj se duhet të kompensohet, sepse kjo gazetë ishte kudo që ishte pushka e zëri i ushtarëve të lirisë.

Image
Nuhi Jashari

Nuhi Jashari, qytetar

Jam shumë i familjarizuar me gazetën “Kosova Sot” që nga koha kur ka filluar të botohet, në fund të viteve të 90-ta. E mbaj në mend fare mirë se si ka raportuar nga çdo cep i vatrave të luftës, ishte gazetë që kishte informacione nga secili front dhe nga secila pozitë e siguruar dhe e mbrojtur nga forcat e UÇK-së, në përballjet me armikun. Ishte një bartëse besnike e situatës në front tek qytetarët që ishin jashtë zhvillimeve në frontet e luftës.

“Kosova Sot” ishte një avokat i madh që denonconte krimet serbe dhe për këto informonte opinionin vendor e ndërkombëtar, prandaj ndodhi hakmarrja nga dora e armikut në orët e para të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe. Fatmirësisht, ëndrra e armikut për ta zhbërë popullatën shqiptare nga Kosova nuk u realizua, prandaj së bashku me kthimin e popullatës në Kosovën e lirë iu kthye lexuesit edhe gazeta “Kosova Sot”, për të kontribuar në ndërtimin e shtetit të ri në liri. Unë gazetën “Kosova Sot” e marr rregullisht, tash e 15 vjet, sepse mendoj që është gazeta më besnike, më reale dhe më e drejtpërdrejtë në informimin e opinionit publik dhe në ruajtjen e pavarësisë editoriale.

E vërteta e vriste më shumë se plumbi regjimin serb

Nazmi Bajra

Fatmirësisht, historikun e rrugëtimit të gazetës “Kosova Sot” e njoh që nga fillimi i daljes së numrit të saj të parë. Gazeta “Kosova Sot” doli para lexuesit, si medium i ri informativ i shkruar, në kohët më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova, në përpjekjet për t’u çliruar nga thembra e okupatorit shekullor sllavo-serb.

Ishte sfidë e madhe dhe mision i vështirë për të funksionuar dhe informuar si duhet aso kohë, në fund të viteve 90-ta, në kushtet e vazhdimit të okupimit, rrethimit të hekurt ushtarako-policor të Kosovës dhe luftës që po bëhej për të penguar funksionimin e medieve që informonin drejt për masakrat e regjimit serb. Mirëpo, këtë sfidë e kaloi shkëlqyeshëm gazeta “Kosova Sot”, ngase stafi i saj dhe politika redaktuese kishin vendosur që të jenë në anën e popullit dhe ta ndajnë fatin e gazetës me fatin e popullit. Kjo ishte një luftë e hapur që i bëhej regjimit kriminal serb për krimet e të cilit raportohej nga mediet vendore e ndërkombëtare, duke përfshirë këtë edhe më të guximshmen e medieve të shkruara të kohës,“Kosova Sot”.

Armiku nuk qëndroi duarkryq dhe vendosi ta ndëshkojë pikërisht këtë gazetë, edhe pse nuk kishte të drejtë ta bënte këtë, por ja që e bëri, sepse e vërteta vriste më shumë se plumbi. Raportimet e gazetës për krimet serbe ishin një zhveshje lakuriq, e qëllimit të pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe, prandaj edhe vendosi ai regjim që të hakmerret kundër kësaj gazete.“Kosova Sot” ishte lidere në kohë lufte dhe po vazhdon të jetë lidere e informimit të drejtë edhe në kohë të paqes, edhe në liri dhe shtetndërtim, prandaj unë jam lexues i rregullt i gazetës “Kosova Sot” dhe nuk mund ta ndaj nga tavolina aq sa mund të ndahet i urituri nga konsumi i ushqimit.

Sikur që ka raportuar për krimet serbe në kushte lufte, gazeta “Kosova Sot” po raporton dhe shkruan edhe sot për mënyrën e keqqeverisjes së vendit, për të gjithë ata që në këtë proces të ndërtimit po bëjnë gabime, qofshin ato të qëllimshme apo të rastësishme, por me rëndësi është që po shkruhet për to, po raportohen dhe po denoncohen nëpërmes gazetës që po e merr guximin ta thotë të vërtetën.

Image
Ragip Hagja

Ragip Hagja

Pa dyshim që roli i të gjitha medieve të shkruara që botoheshin gjatë okupimit në Kosovë ishte shumë domethënës, madje mundësia e vetme për ta përshkruar dhe transmetuar të vërtetën nga të gjitha qytetet dhe fshatrat e okupuara të Kosovës, sepse kishin një rrjet të konsoliduar të bashkëpunëtorëve dhe të korrespodentëve, prandaj këto medie ishin një dritare e madhe, e fuqishme, e informimit të qytetarëve, por edhe të faktorit ndërkombëtar, mbi gjenocidin e Milosheviqit që e bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Një rol të tillë me përkushtim e pati edhe gazeta “Kosova Sot”, madje duke qenë ndër më aktivet edhe u dënua me 300 mijë marka gjermane dhe ndalua disa ditë para bombardimeve, kurse më pas, në 24 mars 1999, forcat serbe shkuan akoma më larg dhe, siç u njoftuam aso kohe, e dogjën shtypshkronjën e “Kosova Sot”. Kjo gazeta po vazhdon suksesshëm punën e saj edhe tani, në periudhën e pasluftës dhe për dallim nga mediet e tjera që e ndryshuan kursin e tyre pas lufte ,gazeta “Kosova Sot” nuk e ndryshoi aspak qasjen kritike nga asnjë elementi negativ që hetohet në shoqëri.

Duke mbajtur një kurs të tillë konstant, po vazhdon të jetë lidere e medieve të shkruara të vendit, sepse temat që ajo i trajton janë të rëndësishme, në veçanti temat që denoncojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Sportistët: Bombardimi i shtypshkronjës nuk e ndaloi gazetën “Kosova Sot”

Image
Fisnik Rugova

Fisnik Rugova, basketbollist

Pushtuesi serb është mundur në çdo formë të ndalë mediet e lira. Për këtë arsye është munduar që të shuajë edhe gazetën “Kosova Sot”, që ka raportuar drejt në kohën e luftës. Kjo sigurisht se ika penguar okupuesit serb, por nuk ia ka arritur, sepse gazeta funksionon për më shumë se dy dekada. Jo vetëm në kohën e luftës, por edhe tani, që nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, për të mbijetuar duhet raportuar drejt dhe të ketë lexues besnikë. Kjo është arsyeja që edhe më tutje funksionon dhe shpresoj se do të vazhdojë në këtë mënyrë të mos jetë e ndikuar.

 

 

 

Image
Ismet Ferati

Ismet Ferati, trajneri basketbolli

Gazeta “Kosova Sot” ka dhënë kontribut të madh në kohën e luftës, kur ka pasur shumë pak informacione të sakta dhe më shumë ka pasur propagandë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Të raportosh drejt, saktë dhe nga vendi i ngjarjes, ka qenë shumë e vështirë në atë kohë, për të mos thënë e pamundur. Por, këtë mision me shumë sukses e ka kryer gazeta “Kosova Sot”, që edhe më tutje ushtron veprimtarinë dhe nuk është ndalur asnjëherë të raportojë në mënyrë të drejtë. Bombardimi i shtypshkronjës nuk e ka ndalur dhe shpresoj se nuk do të ndalet asnjëherë.

 

Image
Zeqir Zekiqi

Samir Zekiqi, basketbollist

Mediet janë shumë të rëndësishme për një shoqëri. Rol të madh deri më tani pas luftës ka pasur gazeta “Kosova Sot”. Në atë kohë ka qenë shumë vështirë të raportohet, por duke parë rolin e saj pushtuesi serb e ka bombarduar shtypshkronjën, për të shuar, aktivitetin e saj, megjithatë, nuk ia ka arritur qëllimit, sepse roli i kësaj gazete është i madh edhe sot e kësaj dite. Të gjithë sektorët kanë raportuar në mënyrë të drejtë dhe të gjithë e kanë gjetur veten në këtë gazetë. Shpresoj se do të vazhdojnë në këtë mënyrë dhe të jetë e paanshme e të mos jetë e ndikuar. Kjo është shumë e vështirë, megjithatë ia ka arritur me sukses deri më tani.

(Kosova Sot)