“UÇK e rizbuloi forcën mos me dhanë më tokë” – A e thumboi Haradinaj Thaçin nga Bllaca?

  • 11 April 2019 - 10:58
“UÇK e rizbuloi forcën mos me dhanë më tokë” – A e thumboi Haradinaj Thaçin nga Bllaca?

Kryeministri Haradinaj sot nga Bllaca ku u vendos gur-themeli i i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, përveçse kujtoi dëbimin e mijërave refugjatëve kosovarë nga gjenocidi serb 20 vjet më parë foli edhe si janë pushtuar tokat shqiptare dhe si kjo u ndërpre kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli në skenë.

“Pushtuesi është mësuar një shekull të marrë tokë nga shqiptaret dhe kur u shfaqë UÇK populli e rizbuloi forcën e tij mos me dhanë më tokë, duke u rreshtuar në luftën për liri dhe dinjitet dhe regjimi i Millosheviqit duke e ndje fundin e vet nisi fushatën e mizorive për të marrë sa me shumë jetë nga shqiptarët”, deklaroi Haradinaj.

Duke qenë tejet aktuale tema e korigjimit të kufirit me Serbinë, temë kjo që përplas prej kohësh kryeministrin e presidentin osovar, shtrohet pyetja në mos Haradinaj përmes këtij mesazhi për (mos) dhanien e tokës ka thumbuar Thaçin duke i thënë se tokë Kosova më nuk jep.

Përderisa presidenti Thaçi vazhdon të mos tërhiqet nga ideja e tij se marrëveshja përfundimtare e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, mund të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit, në anën tjetër, po aq stoik vazhdon të jetë në kundërshtimin e kësaj ideje kryeministri Haradinaj, duke konstatuar se prekja e kufijve mund të sjellë, siç është shprehur ai, “tragjedi të reja në Ballkan”.

Thaci ka konfirmuar se me “korrigjim të kufijve” nënkupton shkëmbim të territoreve sepse ka përmendur edhe veriun e Kosovës, ndonëse idenë e tij e shprehte vetëm si dëshirë për marrjen e Luginës së Preshevës, përkatësisht Serbisë jugore.

“Një nga qëllimet e bisedimeve me Beogradin është demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa duke folur për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, Haradinaj ka deklaruar se “Kosova është e gatshme për pajtim, por jo për një të tillë që do të përfshinte territoret”.

(Kosova Sot)