Qarri: Shqipëria dhe Kosova janë kthyer në shtete tipike të krimit të organizuar!

  • 11 April 2019 - 12:11
Qarri: Shqipëria dhe Kosova janë kthyer në shtete tipike të krimit të organizuar!

Analisti Gani Qarri shprehet se kur flitet për Shqipërinë e pse jo edhe për Kosovën,bëhet fjalë, njëmend për shtete tipike kriminale dhe këtë e dëshmon edhe e dhëna që pikërisht brenda të njëjtës orë, disa minuta para dhe vetëm disa minuta pas ngjarjes së grabitjes makabre, në të njëjtën aeroplan dhe vetëm disa metra larg vendit ku po ndodhte grabitja, erdhën dhe po nga e njëjta pistë fluturuan, krerët më të lartë shtetërorë dhe ish-kryeprokurori i shtetit të quajtur "Shqipëri"!

“Ka kohë që si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë nuk mund të flitet as shpjegohen më ngjarjet, vetëm me shprehje të kufizuara mbi grupe dhe banda të inkriminuara, por përfundimisht, shihet dhe dëshmohet hapur se këtu bëhet fjalë për udhëheqje dhe shtete tipike kriminale. Përderisa mediet vendore fillimisht folën për dy milionë euro, mediet e huaja raportuan se një grup i armatosur grabitësish, të cilët në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tirane, u futën me një makinë të rreme policie, pasi i janë afruar avionit me 160 pasagjerë që do të fluturonte për në Vjenë vodhën mbi 10 milionë euro”, theksoi ai.

“Megjithatë, vendi nuk u trondit vetëm nga kjo ngjarje e rëndë dhe që në mes të ditës grabitësit arritën të plaçkitnin mbi 10 milionë euro në Aeroportin e Rinasit, por për faktin e çuditshëm, se pikërisht politikanët më të lartë të shtetit (të ashtuquajtur) në të njëjtën kohë zbritën dhe fluturuan nga i njëjti aeroport dhe pothuajse me të njëjtin aeroplan.

Ngjarja bëhet edhe më dramatike, për të mos thënë tërësisht e trishtueshme, kur raportohet se vetëm pak minuta para se të ndodhte grabitja, me të njëjtin aeroplan nga vizita zyrtare në Austri u kthye në Rinas Presidenti Ilir Meta. Ndërsa, vetëm pak minuta pas ngjarjes, sikur të mos kishte ndodhur pothuajse asgjë, po nga i njëjti aeroport kanë fluturuar kryeministri i Edvin Kristaq Rama, kryeparlamentari Gramoz Rruçi dhe personalitete të tjera të larta kriminale, pardon të ashtuquajtura më të larta "shtetërore" të Shqipërisë.

E për t’u bërë dhe më e çuditshme tragjik-komedia e djeshme në Rinas, brenda aeroplanit të “Austrian Airlines” që po grabitej, kishte zënë vend të udhëtonte edhe vetë ish-kryeprokurori i "shtetit" Adriatik Llalla.

Ndaj me të drejtë lind pyetja: Kush kënd e vodhi këtu?!”, vijoi më tej Qarri. “Pavarësisht faktit se siguria në aeroport ka qenë maksimale, as që i ka penguar 5 grabitësit të finalizonin planin e tyre.

Kjo jo vetëm që i turpëron pafundësisht shqiptarët para krejt botës, por flet hapur se Shqipëria, por dhe Kosova janë kthyer në shtete tipike të krimit të organizuar.

Këtu nuk mund të flitet më vetëm për vjedhje dëshmish, parave, arit dhe drogës në dhomat e "sigurisë së lartë", siç ndodhi brenda Policisë së Kosovës, më 2009 në Prishtinë, rast që pas kaq vitesh të kaluara pa asnjë informatë të mëtejme, tashmë edhe mund të jetë parashkruar, porse edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, pikërisht në kohën kur vijnë dhe shkojnë krerët më të lartë "mafiozë" të vendit, jo vetëm hyjnë dhe dalin kriminelë, por banditët edhe vjedhin ditën për diell, miliona euro me makina të rreme policie.

Madje, hajnat e porositur, e dinë ekzaktësisht se kur dhe ku, ka shuma kaq marramendëse të parave, hyjnë gati padukshëm e aq lehtësisht në aeroport dhe vetëm pesë grabitës plaçkitin mbi 10 milionë euro. Ata u zhduken nga sytë policisë, në një territor kaq të vogël e aq shumë të mbikëqyrur,prej aq shumë kamerash, nga më modernet të kohës, dhe ikin sikur mos të kishte roje as polic në aeroport fare”, vlerësoi për “Kosova Sot”, Gani Qarri.

“A thua do të zbulohen ndonjëherë këta banditë, apo paratë e vjedhura do të ndahen ndërmjet krerëve mafiozë të shtetit dhe nuk do të flitet më kurrë as për këtë rast, njëjtë si në Kosovë që edhe pas tërë këtyre viteve ende nuk është zbuluar se kush e vodhi drogën, paratë e arin në Policinë e Prishtinës, Pejës dhe stacione të tjera të policisë, dhe kurrë asnjë autor nuk u soll para përgjegjësisë për asnjërin nga rastet e lartcekura

Kjo dëshmon katërçipërisht se vetë policia u shërben, jo shtetit dhe qytetarëve, por regjimeve të inkriminuara në Tiranë dhe në Prishtinë të cilat vjedhin e plaçkitin vendin e vet, ku të gjithë vihen në shërbim të nëntokës kriminale dhe kurrë askush nuk sillet para përgjegjësisë.

Ngjarjet jo vetëm se përkojnë shumë si për nga forma, ashtu edhe nga zhvillimet, por për aq më tepër këto vjedhje kriminale ndodhin në vendet më të ruajtura të shtetit, si në stacionet qendrore të policisë në Prishtinë, në Pejë e gjetiu apo në Aeroportin e Tiranës, ndaj lind pyetja se për çfarë shtetesh (kriminale) dhe sigurie të rrejshme mund të flitet para qytetarëve tërësisht të zhgënjyer, ku vidhet vetë Policia dhe sulmohet aeroporti që njihen si zonat më të mbrojtura të shtetit, me në krye bandat kriminale.

Vetë kjo, përveçse dëshmon që krimi është në revansh dhe nuk ka frikë nga shteti, tregon edhe për dorëzimin e shtetit tek bandat, pasi që bashkëpunimi me bandat kriminale si në Prishtine, ashtu edhe në Tirane ka arritur deri në përfshirje të strukturave më të larta të qeverisë në grabitje”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)