Lojërat e fatit në dorën e Thaçit, edhe katër ditë afat për të marrë vendimin

  • 11 April 2019 - 12:41
Lojërat e fatit në dorën e Thaçit, edhe katër ditë afat për të marrë vendimin

Në muajin mars, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme përmes së cilës ka votuar shfuqizimin e Ligjit të lojërave të fatit. Tashmë ky Ligj gjendet në presidencë dhe pret dekretimin nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka kohë edhe katër ditë për të marrë vendimin e tij

Me 28 mars, Kuvendi i Kosovës  ka votuar shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit. Por votimi i Ligjit nuk nënkupton edhe mbylljen e menjëhershme të lojërave të fatit. Kjo mund të bëhet vetëm pasi Presidenti i vendit ta dekretojë Ligjin që do t’i ndalojë ato.

Se lojërat e fatit nuk do të mbyllen deri në dekretimin e Ligjit nga Presidenti, e thotë edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

“Ligji i ri për lojërat e fatit ende nuk është dekretuar. Ato nuk do të mbyllen deri në dekretimin e Ligjit”, ka thënë në një përgjigje për media  Zëdhënësja e ATK’së, Valentina Bytyqi-Sefa.

Administrata e Kuvendit të Kosovës thotë se Ligji është dërguar në presidencë të hënën.

“Është dërguar me 8 prill”, tha në një përgjigje  Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. 

Ndërkaq se Ligji tashmë gjendet në zyrën e presidentit Thaçi, e ka konfirmuar edhe këshilltari i Thaçit, Artan Behrami.

“Po, Ligji ka ardhë në presidencë”, tha Behrami.

Ndërkaq ligjet, vendimet dhe aktet tjera të cilat miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet për dekretim presidentit, i cili ka kohë tetë ditë për ta nënshkruar.

Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.

Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Por, nëse presidenti brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, Ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij.

Ditë më parë, prokuroria ua ka ngrirë llogaritë bankare për tri ditë (72 orë) pronarëve të bizneseve të lojërave të fatit. Këtë informacion e pati konfirmuar kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu.

Ai ka thënë se askush nuk ka dhënë asnjë sqarim për ngrirjen e parave në banka. Përveç llogarive biznesore atyre ua kanë mbyllur edhe llogaritë rrjedhëse private.

Numri i bizneseve të cilat ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit është i madh. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për ndalimin e këtyre lojërave, në Kosovë do të mbyllen 306 njësi të lokaleve të bastit, 133 lokale me Automate dhe 6 lokale me veprimtarinë Bingo.

“Numri i Bizneseve të Licencuara në Veprimtarinë e lojërave të fatit është gjithsej 46 subjekte: 23 me veprimtari baste, 17 me veprimtari Automate dhe 6 me veprimtari Bingo. Kazino nuk ka të licencuar. Në veprimtarinë me baste janë gjithsej 306 njësi të Basteve/lokaleve. Në veprimtarinë Automate janë gjithsej 133 lokale. Në veprimtari me Bingo janë 6 lokale”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

E tërë situata për mbylljen e lojërave të fatit dhe shfuqizimin e Ligjit i cili ua lejon atyre veprimtarinë në vend, ka ardhur pas dy vrasjeve që janë bërë gjatë muajit mars pikërisht në lokale të lojërave të fatit.

Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda një kazinoje në Lipjan.

(Kosova Sot)