Akuza e rëndë: Thaçi e ka konsumuar krimin e tradhtisë kombëtare, Gjykata do ta...

  • 11 April 2019 - 13:38
Akuza e rëndë: Thaçi e ka konsumuar krimin e tradhtisë kombëtare, Gjykata do ta...

Në vend se procesi negociator të ishte një shans i mirë për të kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve, adresimin e të gjitha krimeve të forcave serbe ndaj popullatës shqiptare, kompensimin e dëmeve të luftës, reparacionet, kthimin e fondit pensional e plot të tjera, asnjë prej këtyre problemeve nuk u kërkuan nga Serbia, mirëpo ndodhi më e keqja që është pazari me territoret e Kosovës.

E profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se Presidenti, Thaçi nuk kërkoi e nuk kërkon angazhimin e Serbisë për fatin e të pagjeturve, ose dëmshpërblim për dhjetëra-mijë viktima të dhunës e përdhunës, si dhe për 80 mijë objekte e banesa të shkatërruara.

Image
Enver Bytyçi

“Nëse kreu i delegacionit të Kosovës për negociata me Serbinë, pra Hashim Thaçi, do të orientohej në çështjet e krimeve serbe në Kosovë, atëherë kërkesa për ndjesë do të ishte thelbi i këtyre bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Nëse liderët serbë do të kërkonin ndjesë para se të mbyllen bisedimet dhe marrëveshja, atëherë nuk kishte asnjë shans që të diskutohej për kufij. Prandaj dhe Hashim Thaçi nuk kërkoi e nuk kërkon angazhimin e Serbisë për fatin e të pagjeturve, ose dëmshpërblim për dhjetëra-mijë viktima të dhunës e përdhunës, si dhe për 80 mijë objekte e banesa të shkatërruara. Nuk kërkoi që këto tema të ishin në tavolinën e Brukselit. Kjo kërkesë ishte kundër interesave serbe në Kosovë dhe nga kjo vjen logjikisht argumenti se presidenti i Kosovës ka qenë palë më serbët në ato bisedime”, thotë ai për “Kosova Sot”.

Sipas tij, duke shkelur Kushtetutën, përkatësisht nenin 2 pika 2 të saj, Hashim Thaçi e ka konsumuar krimin e tradhtisë kombëtare.

“Më pas ai u bë palë direkt duke i kërkuar vendit të tij, popullit të tij, bashkëpunëtorëve të tij në politikë, shtetarëve dhe institucioneve të Kosovës që ta përkrahin dhe ata kërkesën serbo-ruse të ndarjes së Kosovës. Kjo çoi në aktin e shkeljes së kushtetutës së vendit nga ana e presidentit, ndërkohë që duhej të ishte garant i kushtetutës. Duke shkelur Kushtetutën, përkatësisht nenin 2 pika 2 të saj, Hashim Thaçi e ka konsumuar krimin e tradhtisë kombëtare. Një drejtësi e pavarur do ta kishte çuar atë prapa hekurave. Një politikë atdhetare dhe një shtet i së drejtës do ta kishte larguar nga pushteti, pra nga posti i presidentit. Një gjykatë kushtetuese e pakapur, me iniciativë do t’ia kishte hequr Hashim Thaçit karrigen e presidentit! Këto nuk ekzistojnë fatkeqësisht as në Kosovë, as në Serbi, as në Shqipëri. Por nëse protestat në Shqipëri dhe në Serbi kundër kleptokratëve Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq po rikthejnë shpresën te demokracia e shteti i së drejtës, në Kosovë vazhdon korracimi i presidentit autokrat të saj, Hashim Thaçi”, përfundoi Bytyçi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)