Macron humb gjakftohtësinë, do Brexit pa marrëveshje

  • 11 April 2019 - 15:50
Macron humb gjakftohtësinë, do Brexit pa marrëveshje

Emmanuel Macron ia tërhoqi vërejtjen Theresa May-t se ai 'nuk ka durim' dhe se një shtyrje e gjatë e Brexitit nuk është e garantuar, derisa arrinin në Bruksel, për një samit të BE-së ku mund të vendoset data e daljes së Britanisë nga BE-ja. Pritet që presidenti francez të kërkojë nga Britania që të nënshtrohet ndaj disa kushteve ndëshkuese, me një afat të fundit për Kërshëndella, që Britania përfundimisht të dalë nga blloku tregtar, por ai po ashtu përmendi mundësinë e një Brexiti pa marrëveshje. Duke folur para gazetarëve, në fillim të takimit emergjent të liderëve nacionalë, ai tërhoqi vërejtjen se "asgjë nuk është rënë dakord", duke përfshirë edhe një shtyrje të gjatë dhe se ai 'nuk ka durim' që të dëgjojë se çka ka për të thënë kryeministrja britanike May.

E zemëruar edhe me deputetët e vendit të saj

"Duhet ta kuptojmë sot pse kjo kërkesë, cili është projekti politik që justifikon atë dhe cilat janë propozimet e qarta", tha ai. 'Kanë kaluar 34 muaj që nga referendumi britanik dhe për ne ka rëndësi që të jemi në gjendje ta ndjekim Projektin evropian në mënyrë koherente. Jam thellësisht i bindur se jemi dëshmitarë të një rilindjeje evropiane dhe nuk dua që tema e Brexitit të bëhet pengesë në këtë drejtim". Kryeministrja May aktualisht është duke i lutur liderët e BE-së për një shtyrje të Brexitit deri më 30 qershor, apo derisa të miratohet një marrëveshje në Parlament. Ajo është e zemëruar edhe me deputetët e vendit të saj, meqë ka deklaruar se 'do të duhej të kishim dalë deri më tani'. Kryeministrja nuk u përgjigj në pyetjet rreth të së ardhmes së saj politike, derisa përgatitej të luste liderët e BE-së rreth kushteve të një zgjatjeje tjetër të periudhës negociuese të nenit 50. Ajo do të paraqes një skicë të planeve të saj, para se të darkojë me liderët e 27 vendeve që do ta diskutojnë kërkesën e saj. Sipas të gjitha gjasave, ata do ta refuzojnë kërkesën e saj, duke imponuar një shtyrje që do të zgjatë midis 31 dhjetorit të këtij viti dhe 31 marsit të vitit 2020. Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron një shtyrje më të butë, por më të gjatë, deri në vitin 2020 - duke reflektuar kështu përçarjet në mesin e liderëve EU27. 

Respekt dhe përmbajtje

May refuzoi që të tregonte se a do të jepte dorëheqje nëse Britania do të detyrohej ta 'përpinte' një shtyrje më të gjatë, por insistoi se qëllimi i saj mbetet largimi nga BE-ja më 22 maj, nëse mund ta mundë Jeremy Corbynin. Ja si u shpreh ajo: 'Ajo që ka rëndësi, është se shtyrja na mundëson që të largohemi në momentin kur e ratifikojmë Marrëveshjen e daljes. E di se shumë njerëz do të jenë të frustruar me faktin e vet[ mbajtjes së këtij samiti. Britania ishte dashur të kishte dalë deri më tani'. Presidenti Macron po ashtu apelon për 'rishikime të rregullta' të sjelljes së Britanisë, duke dashur që ta parandalojë kaosin në rast të dorëheqjes së May-it. Më herët, liderët e BE-së kishin kërkuar nga Emmanuel Macron që të mos e poshtëronte kryeministren britanike në këtë samit historik, ku pritet imponimi i një shtyrjeje më të gjatë i daljes së Britanisë nga BE-ja. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Këshillit evropian, Donald Tusk, kanë apeluar te presidenti francez që të manifestojë respekt dhe përmbajtje, por mbështetësit e Brexitit thonë se Britania tanimë është bërë objekt talljeje. Merkel deklaroi në parlamentin e Gjermanisë se liderët e BE-së mund të përcaktohen për një shtyrje më të gjatë sesa ajo që ka kërkuar kryeministrja britanike. Ajo shprehu shpresën për një qëndrim të përbashkët me presidentin francez. 

(Kosova Sot)