Diagnostikimi i sëmundjeve me anë të skanimeve 3D

  • 11 April 2019 - 15:56
Diagnostikimi i sëmundjeve me anë të skanimeve 3D

Softueri që bën analizën e pamjeve 3D të fytyrës mund të vërejë shenjat e sëmundjeve të rralla te fëmijët, në bazë të tipareve të tyre të fytyrës. Është gjetur se një në tri sëmundje të rralla dhe gjenetike, manifestohen me tipare në fytyrë, gjë që mund të ndihmojë në një diagnostikim të hershëm. Kërkuesit shkencorë nga Universiteti "Curtin" në Australi kanë zhvilluar një pajisje, si pjesë e projektit "Cliniface", e cila skanon fytyrën, duke krijuar pamje 3D.

Pajisja bën 18 matje

Ajo më pas matë distancën midis tipareve të fytyrës, duke i krahasuar ato me përmasat mesatare të etnisë së tyre, gjinisë dhe moshës. Këto sëmundje shpesh manifestohen në fytyrë, me defekte fizike, sikur që është buza e epërme më e hollë, një zonë më e lëmuar midis buzës së epërme dhe hundës, si dhe një distancë më të shkurtër midis këndeve të syve. Richard Palmer dhe kolegët e tij thonë se ata përdorin një 'databazë' të përmasave dhe karakteristikave të fytyrës. Për momentin, pajisja bën 18 matje, për të dalluar gjithsej 25 karakteristika të ndryshme të fytyrës. 

Procesi i diagnostikimit

"Cliniface" nuk posedon informata për të gjitha deviacionet e fytyrës, që do të ndihmonin në diagnostikimin e mijëra sëmundjeve të rralla në botë. "Cliniface" shpreson se, sa më shumë që të përdoret kjo metodë, do të krijohet një databazë më e madhe e të dhënave, me çka do të përmirësohet edhe procesi i diagnostikimit. Kjo nuk dmth se pajisja mund të zëvendësojë syrin kritik të mjekut, por ajo është e paraparë si ndihmë mjekut, në procesin e diagnostikimit. Njëri ndër aplikacionet më të rëndësishme do të jetë përdorimi i këtyre pamjeve 3D për të fituar të dhëna më të sakta rreth asaj se si ndryshon fytyra me kalimin e kohës, si pasojë e gjendjeve të ndryshme, thotë dr Brown.

(Kosova Sot)