Shpërthen kundër Veselit: Sa të pafytyrë që janë, është tallje me qytetarët...

  • 11 April 2019 - 15:58
Shpërthen kundër Veselit: Sa të pafytyrë që janë, është tallje me qytetarët...

Në kohën e raportimeve për numrin e madh të kosovarëve që po largohen nga vendi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se shteti nuk forcohet duke ikur as duke u tërhequr nga sfidat.

Veseli në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ku edhe u bë hapja e bibliotekës digjitale, shtoi se pas një dekade të shpalljes shtet, institucionet duhet të punojnë më mirë e më mençur.

“Sfidat kanë qenë gjithmonë por kemi qenë me ata që nuk u jemi dorëzuar sfidave. Në situatën që kemi sot sfidat janë evidente por më të vogla se sa ato që kanë qenë ndoshta dy dekada më herët. Në luftë jemi ballafaquar me Serbinë dhe kemi sot suksesin tonë. Një dekadë pas formimit të shtetit duhet të punojmë më mirë e më mençur. Nuk forcohet shteti as duke u larguar por as duke u tërhequr nga kjo sfidë. Mos ikni se do të bëhet mirë”, ka thënë ai.

Mirëpo për po të njëjtën gjë kanë reaguar edhe analistët, ku sipas tyre ajo të cilën po e thonë pushtetarët tanë është shumë e palogjikshme.

Image
Faik Krasniqi

Analisti, Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot” është shprehur se reagimi i secilit pushtetar është tallje me qytetarët, pasi ata e shkatërruan popullin e tash po u kërkojnë që të mos ikin.

“Është tallje e pushtetarëve tanë thirrja e qytetarëve për të mos e braktisur vendin. Kush po bën thirrje, ata që kanë krijuar pasuri marramendëse me paratë e qytetarëve. Sa të pafytyrë që janë. Në njërën anë kanë degraduar çdo gjë ne këtë vend, kurse në anën tjetër tallen me popullin. Por ata s'kanë faj”, është shprehur Krasniqi.

Ai shton se shumë shpejtë Kosova do të mbetet pa popull, ku shumica do largohen nga ky vend.

“Faj ka populli që i ka toleruar për dy dekada. Qe jemi frikacakë e kemi dëshmuar, por budallenj nuk jemi. Tek 90 përqind e popullit është ndjenja për t'u larguar nga këtu. Mbi 60 përqind veçse e kanë ndarë mendjen për t'u larguar. Prandaj gjithçka është vonë, se shumica do të ikin. Të shohim pastaj se si do funksionojë shteti pa popull” , përfundoi analisti, Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)