Çfarë lidhje ka me Kosovën hajni i 10 milionë eurove në Shqipëri?

  • 11 prill 2019 - 17:31
Çfarë lidhje ka me Kosovën hajni i 10 milionë eurove në Shqipëri?

Njeriu me 13 identitete – Admir Murataj që mbeti i vrarë pas aksionit spektakolar në aeroportin e Rinasit ku u vodhën 10 milionë euro po dyshohet se është strehuar për një kohë në Kosovë, derisa ishte në kërkim ndërkombëtar. Përveç Shqipërisë, edhe në vendin tonë  policia është mobilizuar për të vërtetuar se Murataj për të cilin thuhet se kishte kryer disa operacione plastike për të mos rënë në duar të drejtësisë, mund të ketë diçka lidhje me Kosovën. Media  ka konfirmuar se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për rastin, derisa nga burime mirë të informuara në Prokurorinë e Shtetit në Shqipëri, media  mëson se ende nuk kanë pranuar ndonjë informatë zyrtare për qëndrimin e tij në shtetin kosovar

Vetëm pak minuta iu janë dashur disa personave të armatosur që të thyejnë sigurinë në aeroportin e Rinasit në Tiranë, të marrin në kontroll avionin e linjës Tiranë -Vienë me 150 pasagjerë e të largohen me hiq më pak se 10 milionë euro të vjedhura.

Nga aksioni spektakolar që mori vëmendjen e të gjitha mediave botërore vetëm një gjë hajnave u shkoi keq. Ishte vrasja e Admir Murataj me një plumb në mes të kokës si dhe një veturë e djegur pranë skenës së krimit që lanë gjurmët e vetme nga grabitja.

Murataj humbi jetën në shkëmbimin e zjarrit që pasoi pasi që grupi u vu në ndjekje nga policia. Flitet se ai mund të ketë vdekur pasi që u qëllua nga bashkëpunëtorët e tij, mirëpo një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar. Gjithashtu, nuk është konfirmuar edhe nëse katër personat e arrestuar nga policia mund të kenë diçka lidhje me vjedhjen e miliona eurove.

40-vjeçari, Admir Murataj kishte zgjedhur që të maskohej me maskë silikoni që mund të blihet lehtë përmes internetit, por, dyshimet janë se i njëjti kishte bërë edhe disa operacione plastike për t’i ikur drejtësisë.

I njohur mirë për autoritetet jo vetëm në Shqipëri ai ishte në kërkim ndërkombëtar, teksa thuhet se për një kohë ishte strehuar në Kosovë.

Sipas disa informacioneve, tropojani kishte një kohë që po jetonte në mes të dy shteteve, ndërkaq, kjo informatë tashmë është në dorë të Policisë në Kosovë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka konfirmuar sot për media se ka dhënë urdhër që të nisen hetimet që zbardhin se a ka pasur i vrari në vjedhjen e 10 milionë euro diçka lidhje apo nëse është strehuar në Kosovë.

“Jemi duke punuar se nuk e dimë ende, e kam dhanë sot si obligim me hulumtu me kqyr për këtë rast”, është deklaruar Qalaj.

Tutje, drejtori i Policisë ka bërë të ditur se janë në vazhdimësi në kontakt me organet e rendit në Shqipëri, teksa nga ta kanë marrë informacionin se Murataj mund të ketë lidhje diçka me Kosovën.

Për këtë Qalaj po thotë se  po punojnë së bashku për të hedhur dritë mbi rastin.

Në anën tjetër, për vjedhjen më të rëndë që ka parë ndonjëherë shteti shqiptar, policia e Shqipërisë nuk ka pranuar të jap shumë informacione.

I kontaktuar nga media  Gent Mullai, zëdhënës i policisë , po thotë se nuk mund të flasin shumë për rastin pa përfunduar të gjitha hetimet, në mënyrë që të mos ndikohet në proces.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qarkulluar lloj – lloj lajmesh për këtë temë unë nuk kam dhënë asnjë lajm të tillë, deri sa të përfundon i gjithë hetimi”, thotë ai.

Mirëpo,media nga burime mirë të informuara në Prokurorinë e Shtetit shqiptar ka arritur të konfirmojë se momentalisht ende nuk është siguruar ndonjë informacion që e lidh 40-vjeçarin me Kosovën, teksa zyrtarisht nuk kanë pranuar të flasin, shkaku i hetimeve.

Këta të fundit kanë për të ditur veçse dy javë më parë pasuritë e tij në Shqipëri ishin sekuestruar me vendim të gjykatës, ndërkaq, pjesa e tjetër është ende në fazë të hetimeve.

Ishte gazetarja Klodiana Lala që mbrëmë në Opinion ndërlidhi Admir Murataj me Kosovën. Ajo ka deklaruar se i ndjeri kishte jetuar që një kohë në mes të dy shteteve.

 “Kjo ngjarje ka ngritur shqetësim për sigurinë kombëtare dhe me të drejtë. Dhe ky grup i strukturuar kriminal mund të kishte marrë peng këdo, kanë pasur armatim të rëndë. Një arsenal të jashtëzakonshëm armësh. Pasi policia ka vajtur në vendngjarje ka zbuluar që personi i vrarë nuk ishte ai që në dukej në foto. Më pas është zbuluar se kishte bërë ndërhyrje estetike, në pjesën e hundës dhe të mollëzave. Ka lëvizur mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjithë na rezultojnë se këta njerëz shëtisin shumë të lirë dhe rinë në shtëpi”, ka thënë Lala.

Polica shqiptare ndërkaq ka dërguar gjurmët e gishtërinjve të të ndjerit në Greqi, teksa policia greke ka arritur të identifikojë profilin gjenetik.

Kush është njeriu i  vdekur me 13 identitete që ka mobilizuar edhe Policinë e Kosovës?

Admir Murataj nga mediat po krahasohet me hajdutët që mund të kemi parë vetëm përmes filmave. 40-vjeçari që qëndron prapa disa vjedhjeve të mirë organizuara njihet si hajdut i talentuar e vrasës gjakftohtë. Ndryshe, Murataj mund të identifikohet si njeri me shumë maska e shumë identitete.

Ai kishte zgjedhur që në vjedhjen e asaj dite të maskohej si një burrë tullac me mjekër, ndërkaq, që nga viti 2013-të ishte edhe në kërkim ndërkombëtar.

Në Greqi figuronte si një nga kriminelët më të kërkuar, jo vetëm për grabitje bankash, por edhe për vrasje.

Edhe me tu kthyer në Shqipëri ai nuk kishte dorë nga zanati i tij. Mes 13 identiteteve që thuhet se ka mbajtur dhe shumë maskave që ka ndërruar, ai nuk arriti të kapet asnjëherë nga policia.

Njeriu i padukshëm për policinë greke e shqiptare është autori i një prej vjedhjeve më spektakolare të bëra në Shqipëri dhe në botë, me plot 10 milionë euro.

(Kosova Sot)