Turp: Dikush 8 vende pune, e dikush po plaket pa gjetur një punë

  • 11 April 2019 - 18:45
Turp: Dikush 8 vende pune, e dikush po plaket pa gjetur një  punë

Dita po del të jetë “fort e gjatë” për disa prej zyrtarëve shtetërorë në vend. Atyre po iu del kohë që vetëm gjatë një dite, të kryejnë tetë funksione në të njëjtën kohë.

Në bazë të një raporti të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në gjithë vendin janë rreth 2 mijë zyrtarë publik që ushtrojnë dy e më shumë funksione.

Madje, sipas AKK’së, në Kosovë ka edhe zyrtarë që ushtron deri në 8 funksione në institucionet publike të vendit, ani pse nuk kanë dhënë informata se për cilin zyrtar bëhet fjalë.

Sipas raportit të kësaj agjencie, 2 persona mbajnë shtatë pozita të ndryshme, 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njëjtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër puna të ndryshme, derisa me nga tre pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë.

Por, derisa në vend ka zyrtarë që kanë më shumë se dy vende pune, në tërë Kosovën janë rreth 95 mijë qytetarë që nuk punojnë askund. Ata tash e sa vite janë në kërkim të një pune, prej së cilës do të mund ta siguronin kafshatën e gojës. 

Një numër i madh prej këtyre të papunëve kanë edhe diploma universitare. Disa edhe Master.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që ka siguruar , deri në tetor të vitit të kaluar numri i të papunëve në vend arrinte në rreth 95 mijë.

Mbi 10 mijë prej tyre ishin me diploma Bachelor ose Master.

 “Numri i të papunësuarve të regjistruar të cilët kanë diplomë Bachelor është rreth 10,572 persona”, thuhej në statistikat e MPMS’së.

Në bazë të këtyre statistikave, qytetet me numrin më të madh të të papunëve janë Prizreni, Prishtina, Mitrovica, Peja, Ferizaj e Podujeva.

Vetëm në këto komuna, numri i personave që nuk punojnë shkon në rreth 30 mijë qytetarë..

E ndonëse, shumë prej qytetarëve ankohen se nuk kanë punë, në vend aktualisht janë rreth 12 mijë e 685 vende të lira të punës.

Sektorët që aktualisht janë në kërkim të punëtorëve janë ai i tregtisë, industrisë, hotelerisë, ndërtimit dhe bujqësisë.

Ndërkohë, fajin se pse kosovarët e diplomuar nuk po arrijnë që të gjejnë punë, njohësit e arsimit po ua lënë institucioneve arsimore, derisa thonë se ndikim ka edhe ekonomia.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci, i ka thënë  se arsyeja kryesore që kosovarët nuk po arrijnë të gjejnë punë qëndron te ekonomia.

Deklaron se problem tjetër qëndron edhe te Institucionet e Arsimit të Lartë, që sipas tij nuk po i pajisin studentët me shkathtësitë që i kërkon tregu i punës.

Image

“Arsye kryesore është ekonomia, e cila nuk gjeneron vende të punës aq sa ka kërkesë. Tjetër arsye, është edhe numri i madh i të diplomuarve në arsimin e lartë. Është vendi i tetë në botë për nga pjesëmarrja, dhe ekonomia në gjendjen në të cilën është nuk mund t’i absorbojë të gjithë të diplomuarit”, thotë Pupovci.

Pupovci thotë se për tu përmirësuar kjo gjendje, Institucionet arsimore duhet t’i pajisin studentët me shkathtësitë që kërkohen në tregun e punës.

Edhe në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se shumë prej bizneseve ankohen se të punësuarit nuk po janë të aftë për tregun e punës.

Drejtori i OEK-ut, Berat Rukiqi, i ka thënë  se një nga arsyet se pse ka kaq shumë të pa punësuar në vend është edhe mungesa e komunikimit në mes të sektorit privat dhe publik.

Rukiqi thotë se me një komunikim të tillë do të diheshin nevojat e tregut të punës, dhe se universitet do të përgatisnin kuadro që i nevojiten tregut.

“Shumica e kompanive ankohen se punëtorët nuk janë të përgatitur sa duhet dhe nuk janë shumë produktiv. Ka mungesë komunikimi në mes të sektorit privat dhe publik. Mungesa e këtij komunikimi po shfaqet në ankesat e bizneseve për të gjithë ata që synojnë”, tha Rukiqi.

I pari i OEK-ut sugjeron që disa prej drejtimeve duhet të reduktohen ose të mbyllen tërësisht.

“Ka shumë drejtime të cilat nxjerrin të diplomuar më shumë se që ka nevojë tregu i punës. Këto drejtime duhet të reduktohen apo fare të mos ekzistojnë, siç janë drejtimet që lidhen me administratën dhe shkencat shoqërore”, kishte thënë Rukiqi.

Ndërkohë, një numër i madh i qytetarëve janë të punësuar në institucionet e nivelit qendror në vend. Numri i këtyre të fundit shkon në rreth 12 mijë.

Gjithë kjo në bazë të listës së të punësuarve në Institucionet Qendrore që ka siguruar nga Ministria e Administratës Publike.

Në bazë të këtij dokumenti, më së shumti të punësur ka në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Financave dhe Shërbimin Policor të Kosovës.

Prej gjithë këtij numri të të punësuarve, vetëm 19 prej tyre i përkasin komunitetit RAE. 

(Kosova Sot)