Monopolet në biznes po e fundosin ekonominë

  • 12 April 2019 - 08:20
Monopolet në biznes po e fundosin ekonominë

Grapci: Gjyqësori, për fat të keq, është instrument i pushtetarëve kriminelë

“Si mund të ketë treg të lirë kur shteti është i kapur dhe i blerë nga banda Devolli dhe natyrisht që mbështetet fuqishëm nga kryebanditët e majave të shtetit dhe pastaj e ndajnë hisen e pazarit bashkë? Si mund të ketë treg të lirë në Kosovë kur nuk ka shtet, kur nuk respektohen as ligji dhe as Kushtetuta? A e di populli se ligji dhe Kushtetuta janë vetëm në letër?”, theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”

Në Kosovë nuk ka treg të lirë, ndërsa gjyqësori është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut. Analistët dhe ekspertët e ekonomisë thonë se, edhe pse në letër Kushtetuta garanton tregun e lirë dhe sipërmarrjen private, që është burimi kryesor i zhvillimit ekonomik, në realitet qeveritë tona, përfshirë edhe këtë në pushtet, i shkelin tregun e lirë dhe Kushtetutën me të dyja këmbët.

Sipas tyre, lejimi monopolist i Devollëve dhe shumë abuzime të tjera është ilustrim bindës për rrënimin e konkurrencës së ndershme në treg. Analistët thonë se nga ky monopol përfitojnë edhe pushtetarët që kanë krijuar kompanitë e tyre ose kanë gllabëruar bizneset aktuale.

Image
Dardan Grapci

Analisti Dardan Grapci thotë për gazetën “Kosova Sot” se arsyeja pse nuk ka treg të lirë në Kosovë është se pushteti politik dhe ekonomik jo vetëm që po e shkelin ligjin, por edhe Kushtetutën. “Gjyqësori, për fat të keq, është instrument i pushtetarëve kriminelë, që punojnë për interesa kriminale.

Monopoli ka ekzistuar, por që nga Pavarësia e Kosovës e deri më sot ky monopol po vërehet shumë qartë, saqë populli më nuk po di se kujt t’i besojë. Politikanët tanë, të cilët po i rrënojnë bizneset kosovare me kërcënime, shantazhe dhe haraç, kanë bërë që ky monopol ta marrë vetëm një kahe - efekt negativ”, është shprehur Grapci.

Ai tutje ka shtuar: Mafio-oligarkëve do t’u jap një mesazh - mos mendoni që me këto shkelje, haraçe, shantazhe dhe mbyllje të bizneseve, që kanë qenë me dekada të hapura në Kosovë, të shpëtoni aq lehtë, sepse me rrëzimin e kësaj qeverie dhe me president dhe kryeministër të ri, ju do të shkoni prapa grilave”.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës duhet ta denoncojnë çdo rast të ryshfetit, abuzimit me tenderë etj., e mos t’i lejojnë biznesmenët dhe politikanët që me paratë e tyre të hapin qendra tregtare apo të blejnë diçka që me ligj nuk u takon.

Image
Reshat Badallaj

Lëmshi shkon në xhepat e kryebanditëve

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën “Kosova Sot” se në Kosovë nuk ka treg të lirë dhe nuk do të ketë derisa vendin e kanë në dorë kryemafio-oligarkët dhe klanet mafioze.“Si mund të ketë treg të lirë kur shteti është i kapur dhe i blerë nga banda Devolli dhe natyrisht që mbështetet fuqishëm nga kryebanditët e majave të shtetit dhe se pastaj ndajnë hisen e pazarit bashkë. Si mund të ketë treg të lirë në Kosovë kur nuk ka shtet, kur nuk respektohen as ligji dhe as Kushtetuta? A e di populli se ligji dhe Kushtetuta janë vetëm në letër, a di populli se banda Devolli dhe kryebanditët e majave të shtetit e shkelin ligjin dhe janë mbi ligjin dhe e kanë blerë shtetin dhe sillen si të ishte malli i babës së tyre.

Këto banda pazarexhish nuk njohin treg të ndershëm dhe korrekt, këta janë hajna të peshave të rënda. A u kapën me pelë për dore këta racistë, kur së pari vodhën dhe kontrabanduan doganat, duke futur qindra-mijëra krunde dhe ushqime tjera qensh e derrash, duke u ikur tatimeve të shtetit dhe e dëmtojnë buxhetin me qindra miliona euro dhe me këta ushqime qensh e kamufluan dhe i bënë tebdil krundet dhe i shesin për miell vetëm aty ku ka shqiptarë? A u kapën dhe kinse u dënuan?

Këta të pashpirt kanë rrënuar për vdekje ekonominë e vendit, këta matrapazë dhe mafio-oligarkë për interesa të tyre personale kanë rritur në maje papunësinë, por nuk u intereson këtyre, këtyre u intereson vetëm se si t´i mbushin xhepat, që ndryshe do të thotë i terë ky lëmsh shkon në xhepat e kryebanditëve dhe bandës Devolli”, theksoi analisti Badallaj për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Politika ka në dorë gjithçka

“Politika është ajo që në Kosovë ka në dorë gjithçka: drejtësinë, ekonominë dhe arsimin. Janë kompani të caktuara që përfitojnë nga ta, kompani që kanë monopol në gjithçka. Kompani që janë të afërta me pushtetin, ose kompani që janë në pronësi të të afërmve të politikanëve. Kurse kompanitë e ndershme kanë falimentuar ose janë buzë falimentimit. Nuk është arsyeja vetëm e një page pse njerëzit po e braktisin Kosovën për një jetë më të mirë në Perëndim, por është padrejtësia, mungesa e një shëndetësie dhe arsimi cilësor”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)