“Kosova Sot”, gazetë serioze, e guximshme dhe e besueshme

  • 12 April 2019 - 08:28
“Kosova Sot”, gazetë serioze, e guximshme dhe e besueshme

Shala: Ne si shoqëri nuk duhet harruar kontributin e çmuar që gazeta “Kosova Sot” e ka dhënë për Kosovën

“Fillimisht më duhet të them se besoj se nuk ka familje kosovare që nuk e kujton datën e 24 marsit 1999, kur u dogjën shtypshkronja dhe redaksia e gazetës ‘Kosova Sot’, sepse kjo gazetë ishte e vetmja dritare e informimit nga frontet e luftës, atje ku luftohej për vdekje a liri.

Kjo gazetë është djegur nga Serbia në vitin 1999, por në vitin 2000 ishte ringritur disa herë më e madhe, më e fuqishme, mirëpo tashmë e ditur botërisht se pa asnjë kompensim nga Serbia.

Ajo tashmë është gazetë lidere. Po, është edhe një dëshmi tjetër se tani gazeta”Kosova Sot” është bërë gazetë e secilës familje”, thotë prof. Albert Krasniqi, mësimdhënës

Image
Kadri Hasangjekaj

Kadri Hasangjekaj, qytetar

Për aq sa unë mund të kujtoj, roli i gazetës 'Kosova Sot” tash e 20 vjet po e ruan primatin e fjalës së lirë dhe të informimit të drejtë. Sigurisht që me këtë qasje kishte filluar të botohet edhe para më shumë se 20 vjetësh në kohën e okupimit serb, prandaj shumë shpejt ishte bërë medium i padëshirueshëm për pushtuesin serb. Mbështetja e fuqishme e luftës për liri dhe raportimi besnik për krimet dhe masakrat e kanë demaskuar tërësisht regjimin serb para botës demokratike që kishte edhe vëzhguesit e vet në Kosovë, e ata raportonin çfarë shihnin vetë në vijat e frontit, në fshatrat dhe qytetet e sulmuara nga ushtria serbe, por dhe atë çfarë raportonin mediet e shkruara vendore të kohës, ku vend me rëndësi kishte “Kosova Sot”.

Prandaj, djegia e shtypshkronjës ishte veprimi më ekstrem për të pamundësuar daljen e gazetës dhe transmetimin e së vërtetës. Mirëpo, ky ishte edhe fati i tërë Kosovës, sepse Serbia pushtuese sikur që e mbylli gazetën “Kosova Sot”, e dogji shtypshkronjën, e dogji edhe Kosovën, por më në fund u fundos vetë në gropën që po përgatiste për gjithçka shqiptare në këtë vend, u dogj edhe vetë, kurse populli mbijetoi, iu rikthye jetës. Në këtë rikthim bënë pjesë edhe ringjallja e gazetës “Kosova Sot” që sot vazhdon të jetë gazetë e besueshme dhe mjaft e kërkuar, e respektuar nga lexuesit e saj.

Sfidat dhe vështirësitë

Image
Sami Raka

Sami Raka, qytetar

Është shumë e ditur që agresori për të zhdukur dhe për të shkatërruar një shtet apo një etnitet të caktuar, ai nuk zgjedh mjete as metoda çfarë dhe si t’i përdorë ato. Kështu ka vepruar edhe Serbia në Kosovë, ka ushtruar dhunën kundër qytetarëve, krimin, masakrat, i ka mbyllur mediet e atëhershme shtetërore që i kishte Kosova, dhe ka sulmuar dhe u është kundërvënë medieve të pavarura që filluan të funksionojnë ndërkohë në ato kushte të vështira.

Kështu u veprua edhe me gazetën lidere dhe shumë të guximshme të kohës, për informim të drejtë, që ishte “Kosova Sot”. Pra, sikur që ndodhi djegia dhe shkatërrimi i shtëpive, ndodhi edhe djegia dhe shkatërrimi i kësaj gazete. Derisa kishte një informim detaj për të gjitha krimet që po ndodhnin, nuk ishte çudi pse u kundërvu armiku dhe e dogji edhe shtypshkronjën e gazetës “Kosova Sot” për ta ndëshkuar dhe për të shkatërruar këtë gazetë. Sidoqoftë, ashtu sikur u ngjall dhe po ecën Kosova drejt ndërtimit të shtetit të lirë, me sfida e vështirësitë që ka, edhe gazeta “Kosova Sot” iu kthye detyrës së saj; lexuesit besnik, nga i cili lexohet dhe respektohet.

Image
Ibro Musliu

Ibro Musliu, qytetar

Nuk ka asnjë dyshim se në kohën kur filloi të botohej dhe të raportojë për luftën, gazeta “Kosova Sot” ishte një goditje tepër e madhe kundër regjimit të Milosheviqit, sepse raportoheshin të gjitha krimet që bëheshin ndaj popullatës civile. Lajmet për masakrat i ktheheshin regjimit serb si bombë e kurdisur në raport me diplomacinë ndërkombëtare, të cilën Milosheviqi e gënjente kinse po i lufton grupet terroriste. E vërteta ishte ndryshe, sepse ushtria serbe ballafaqohej me luftën e drejtë të UÇK-së, aq sa UÇK-ja pati mundësi të veprojë, por nga ana tjetër hakmarrja e regjimit shkonte kundër popullatës. Këtë të vërtetë e raportonte gazeta “Kosova Sot” kundër së cilës regjimi serb u soll me gjithë arsenalin e vet që pati në disponim. Ishte pra plani për ta shkatërruar dhe për ta pamundësuar raportimin e drejtë për luftën e padrejtë dhe terrorin serb kundër një populli të pafajshëm.

Mirëpo, sikur që mbijetoi shumica e popullit të Kosovës, iu rikthye shtëpive të veta dhe vendlindjes, ashtu veproi edhe gazeta “Kosova Sot” me stafin e vet, prandaj e kemi sot një gazetë serioze, të guximshme dhe të besueshme në duart e lexuesit të vet gati te të gjitha moshat dhe kategoritë e qytetarëve. Le të vazhdojë kështu në qasjen e shëndoshë kritike që ka ndaj deformimeve në shoqëri dhe besimi gjithsesi do të ruhet tek lexuesit e vjetër besnikë, por edhe tek të rinjtë që vijnë.

Prof. Albert Krasniqi, mësimdhënës

Fillimisht më duhet të them se besoj se nuk ka familje kosovare që nuk e kujton datën e 24 marsit 1999, kur u dogj shtypshkronja dhe Redaksia e gazetës "Kosova Sot”, sepse kjo gazetë ishte e vetmja dritare e informimit nga frontet e luftës, atje ku luftohej për vdekje a liri. Kjo gazetë është djegur nga Serbia në vitin 1999, por në vitin 2000 ishte ringritur disa herë më e madhe, më e fuqishme, mirëpo tashmë e ditur botërisht se pa asnjë kompensim nga Serbia. Ajo tashmë është gazetë lidere. Po, është edhe një dëshmi tjetër se tani gazeta”Kosova Sot” është bërë gazetë e secilës familje.

Image
Ajshe Shala

Prof. Ajshe Shala, mësimdhënëse

Dëshiroj të shpreh konsideratën time të lartë për punën, sakrificën dhe kontributin që ka dhënë “Kosova Sot” në informimin e drejtë të qytetarëve. Vlerësoj lart punën, përkushtimin dhe kontributin e gazetës "Kosova Sot" ndër vite, sidomos gjatë luftës për rolin e saj edhe në fushën e arsimit, sidomos në shtypjen e librave shkollorë dhe materialeve shkollore në gjuhën shqipe. Ky ka qenë ndoshta kontributi më esencial në luftën për liri që natyrisht i ka penguar regjimit kriminal serb. Duke pasur parasysh vështirësitë dhe sfidat me të cilat është përballur gazeta "Kosova Sot" para, gjatë dhe pas luftës, konsideroj se ne si shoqëri nuk duhet harruar kontributin e çmuar që kjo gazetë ka dhënë për Kosovën.

Image
Afërdita Spahiu

Afërdita Spahiu, ekonomiste

Gazeta “Kosova Sot” punon në pasurimin e informacionit, i cili forcon demokracinë e Kosovës. Është një thënie “ .. askush nuk po të pyet si ishe dje,por si je sot…” e njëjta vlen edhe për gazetën” Kosova Sot”, e cila na ndihmon që të informohemi për Kosovën tonë. Veçoritë e gazetës janë: Dizajni i përkryer dhe shumë i thjeshtë për ta kuptuar dhe për ta lexuar, koncepti i përgjithshëm i gazetës ditore, temat hulumtuese dhe shumë e afërt me qytetarët. Është djegur dhe ringjallur si feniksi. Prandaj ka këto rezultate të pandalura.

Sportistët: Gazetë që jep shumë për sportin

Genc Sermaxhaj, analist sporti

Gazeta “Kosova Sot” është gazetë shumë e vlerësuar në vendin tonë, e cila përgjatë gjithë kësaj kohe u ka shërbyer lexuesve me mjaft sinqeritet dhe korrektësi, duke e mbajtur lexuesin gjithmonë të fokusuar dhe të mirë-informuar, për atë se çka po ndodh në vend dhe jashtë tij. Koha e okupimit ka qenë shumë e vështirë për çdo gjë që frymonte shqip, dhe okupatori nuk zgjidhte mënyra për t’i ndaluar ato. Gazetën “Kosova Sot” e sulmoi duke e djegur me synim që ta ndalë, por fatmirësisht ia dolët dhe edhe sot po vazhdoni ta paraqisni me korrektësinë realitetin që po ndodh në vendin tonë.

Arsim Plepolli, analist sporti

Sigurisht që mbas gjithë atyre torturave që i kemi pasur, marsi na dha shpresë. E vetmja mënyrë që t’i ikim agresorit ka qenë ajo mënyrë me bombardime nga NATO-ja. Po me vjen keq për gazetën tuaj që u sulmua dhe u dogj, por serbët duke e parë punën që po bënte “Kosova Sot”, donin të zhduknin gjithçka. Respekt për ju dhe gazetarët, se e di që është një punë shumë e mundimshme, po ju përgëzoj për mundin dhe angazhimin që e bëni me lajmet tuaja. Unë mund vetëm t’ju dëshiroj punë të mbarë dhe dashtë Zoti që gjerat të tilla mos të përsëritëm më. Shpresoj se mundi i kësaj gazete të shpaguhet.

Dugagjin Gashi, futbollist

Ka qenë një kohë shumë e vështirë dhe e frikshme, megjithatë 24 marsi, dita kur filluan bombardimet ishte një shpresë për ne, por sigurisht edhe një natë tmerri pasi aty filloi ofensiva shkatërrimtare serbe. Sa u përket dëmeve në gazetën tuaj është për të ardhur keq, pasi kjo gazetë vazhdimisht ka raportuar realitetin, ashtu siç po e bën edhe sot. Fatmirësisht, ato dëme nuk ju dobësuan, madje sikur ju bën edhe më të fortë dhe shpresoj të vazhdoni edhe për shumë kohë kështu. Gazeta juaj ka dhënë kontribut të madh për sportin, e në veçanti futbollin, ku unë personalisht kam pasur një përkrahje të madhe nga ju.

Image
Aferdita Demaku

Afërdita Demaku, këngëtare

Puna 20-vjeçare e gazetës “Kosova Sot”, padyshim që ka qenë shumë e rëndësishme në bërjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës, të artit, kulturës,sportit. Andaj, nga zemra uroj që gazeta juaj të ketë suksese të pandalshme, ngase roli i gazetës tuaj në zhvillimin e gazetarisë së Kosovës mendoj se ka vend të veçantë.

 

 

Image
Mira Janji

Mira Janji, këngëtare

Ju dëshirojmë rrugëtim të shëndetshëm, profesional të rrethuar me profesionistë. “Kosova Sot” ka qenë, është dhe do të mbetet dritare e informimit të drejtë, e pasuruar me rubrika që janë me interes për publikun e gjerë, veçanërisht atë të artit dhe kulturës në përgjithësi.

 

 

 

 

 

 

Image
Lendita Mjekiqi

Lendita Mjekiqi, këngëtare

Ju që na qëndroni pranë, pas çdo realizimi të projekteve muzikore dhe mbështetni vlerat muzikore, u jam shumë mirënjohëse! Uroj që media "Kosova Sot" të vazhdojë të zgjerohet edhe më tutje...

 

 

 

(Kosova Sot)