Kurti: Thaçin e Haradinajn duhet hequr nga qafa e popullit

  • 12 April 2019 - 12:13
Kurti: Thaçin e Haradinajn duhet hequr nga qafa e popullit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vazhduar me kritikat e tij ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj. Sipas tij ata dy  duhet hequr nga ‘qafa e popullit’.

Kurti gjithashtu ka kritikuar kryeministrin Haradinaj se është vonuar në shkarkimin e zyrtarëve serb të cilët kanë mohuar shtetësinë e Kosovës dhe gjenocidin serb të kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka përmendur shkarkimet që kryeministri Ramush Haradinaj u ka bërë ministrave serbë, ku tha se Haradinaj ndërmerr veprime të tilla vetëm kur mediat ngrisin akuza për korrupsion qeveritar ose kur qytetarët ngritën kundër hajnisë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se kryeministri e presidenti sot janë si bajraktar fisesh.

“Pazari ku ndodhet ky pushtet është i trefishtë, pazar me Gjykatën Speciale, pazar me territorin e Kosovës dhe pazar me shpronësimet për asfalt dhe me punësime në ndërmarrje. Për president e kryeministër, Kosova ka dy bajraktarë fisesh, këto fise janë të ndryshme, por janë të njëjta sepse shikohen vetëm në pasqyrë. Ata janë të papublikueshëm, janë turpi ynë për paturpësinë e tyre. Nuk na e bëjnë dot as shtetin as zhvillimin, andaj nuk e duan as shtetin as zhvillimin. Duhet t’i heqim nga qafa e popullit sepse nuk ua heqim dot pasqyrën nga dora”, tha ai.

Ai ka bërë thirrje për bashkim kundër korrupsionit.

Gjithashtu Kurti foli për shkarkimet që kryeministri u ka bërë vartësve të tij.

Ai tha se Haradinaj në vjeshtë të vitit 2017 e mbronte ministrin Nenad Rikalo, ndërkohë që e ka shkarkuar shumë më vonë.

“Vetëm kur ngritën akuza nga mediat për korrupsion qeveritar, ose kur ngritët vala qytetare kundër hajnisë sikurse tani, kryeministri e bënë ndonjë gjest patriotike. Sepse ky tanimë e konsideron qeverisjen lojë me letra, ku patriotizmi është gjoker nën mëngë”, tha ai.

(Kosova Sot)