Nisin hetimet ndaj ish- Ministrit Teodosijeviq që e mohoi Masakrën e Reçakut

  • 12 April 2019 - 14:51
Nisin hetimet ndaj ish- Ministrit Teodosijeviq që e mohoi Masakrën e Reçakut

Pak ditë pasi që u shkarkua për deklaratat fyese ndaj shqiptarëve që i quajti terroristë teksa mohoi masakrën e Recakut, ndaj ish-ministrit Ivan Teodesijec kanë filluar hetimet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Lajmin për nisjen e hetimeve e ka bërë të ditur, zëdhënësi i prokurorisë speciale, Ekrem Lutfiu.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka iniciuar rast ndaj ish ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, I.T. lidhur me deklaratat e bëra. Prokuroria Speciale tani është në fazën e grumbullimit të informative lidhur me këtë çështje”, ka bërë të ditur Lutfiu.

Tash ish-ministri i MAPL-së, Teodosijevic në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s i etiketoi shqiptarët si terroristë duke thënë se Masakra e Reçakut është një “histori e shpikur nga shqiptarët”.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë ashtuquajtura katastrofa humanitare në Kosovë. Masakra e Reçakut ishte një trillim, kurse janë terroristët shqiptarë që trilluan gjithçka, duke kryer krimet më të mëdha në Kosovë, për të cilat deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë serbë të mirë dhe policë në vendet e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar gjatë agresionit të NATO-s, dhe pas ardhjes së misionit të ashtuquajtur paqeruajtës në Kosovë”, kishte deklaruar ministri Teodosijeviç.

Për këtë deklaratë, kryeministri i Kosovës mori vendim për shkarkimin e tij ndërkaq, sot gjatë ditës në vend të tij ka emëruar Adriana Hoxhiq.

Dje në mbledhjen e Qeverisë të Kosovës, u mor vendimi që të hartohet projektligji për sanksionimin e mohimit të krimeve dhe gjenocidit të Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

(Kosova Sot)