SHSKUK i reagon kardiologut Gani Bajraktari: U largove nga puna për mos ofrim të ndihmës mjekësore

  • 12 April 2019 - 22:37
SHSKUK i reagon kardiologut Gani Bajraktari: U largove nga puna për mos ofrim të ndihmës mjekësore

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka bërë një reagim ndaj kardiologut Gani Bajraktari.

Në reagimin e bërë thuhet se, pretendimet e kardiologut Gani Bajraktari se ai është larguar përkohësisht nga puna për qëllime hakmarrje, nuk qëndrojnë.

Dhe që, ai është larguar nga puna për mos ofrim të ndihmës mjekësore, që sipas legjislacionit në fuqi klasifikohet si vepër penale.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës shpjegon opinionin publike se nuk qëndrojnë pretendimet se kardiologu G.B, është larguar përkohësisht nga puna për qëllime hakmarrje. E vërteta është se ai është larguar nga puna për mos ofrim të ndihmës mjekësore, që sipas legjislacionit në fuqi klasifikohet si vepër penale. Ai, sipas ankesës së paraqitur ishte arsyetuar se rasti ishte i rëndë dhe duhej të trajtohej në spitale private, edhe pse ky shërbim ofrohet 24 orë në QKUK. Po ashtu, në vazhdimësi janë pranuar ankesa nga pacientët dhe familjarët e tyre, se i njëjti ka referuar pacientë të tjerë në institucione shëndetësore private, pra në spitalin privat ku ai punon. Ekzistojnë prova dhe dëshmi nga pacientët që i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimeve materiale. SHSKUK, faktet dhe argumentet do t’i dërgoj tek organet kompetente që të hulumtojnë rastin në mënyrë të pavarur. Po ashtu, paralelisht komisioni disiplinor do të merret me rastin dhe do marrë vendimin, bazuar në faktet që ka. SHSKUK nuk do të lejoj askënd që të keqpërdorë detyrën zyrtare dhe do të marrë seriozisht raportimet dhe ankesat e pacientëve’, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot)