Akuzat e qytetarëve, Shpend “TALLI” bën kërdi me lejet e ndërtimit

  • 13 April 2019 - 08:06
Akuzat e qytetarëve, Shpend “TALLI” bën kërdi me lejet e ndërtimit

Hoxha: Shpend Ahmeti mashtroi qytetarët

 “Këta janë në gjendje që për një dokument të shëtisin poshtë e lart deri në 3 muaj, duke të premtuar deri në ditët e fundit, duke thënë se po do të kryhet pozitivisht dhe në fund dalin e të refuzojnë. Këtu e kam fjalën për neve qytetarët e thjeshtë, kurse për ata që vijnë këtu për të kryer punë dhe korruptohen, atyre u kryhet puna edhe pa shkuar fare fizikisht në Komunë, por vetëm nëpërmes marrëveshjes dhe bisedës me telefon ose nëpër takime të fshehta.

Prandaj, e kisha lutur drejtësinë, gjykatat dhe Prokurorinë që të ndërmarrin sa më shpejt masa ndaj tyre dhe të mos lejojnë që institucionet publike t’i shndërrojnë në prona private, si Komunën, si drejtoritë e ndryshme, si kadastrën, e gjithçka tjetër që qeveriset në Prishtinë”, thotë qytetari Hamit Neziri për “Kosova Sot”

Policia e Kosovës, sipas raportimeve të ditës së enjte, ka arrestuar dy zyrtarë të Komunës së Fushë- Kosovës të përfshirë në dhënien e një leje të dyshimtë për një objekt banesor dhe një pronar të një kompanie ndërtimore që u pajis me këtë leje ndërtimore në mënyrë të dyshimtë.

Qytetarët në lagje të ndryshme të Prishtinës e kanë përshëndetur një veprim të tillë, por ata e shtojnë një pyetje tjetër dhe shqetësohen se si shpjegohet fakti që edhe përkundër denoncimeve publike si dhe kallëzimeve penale në Prishtinë, kundër Shpend Ahmetit dhe zyrtarëve të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Prokuroria Speciale po vazhdon të heshtë dhe nuk denjon as të marrë iniciativën që t’i hapë rastet edhe më të rënda kriminale në Komunën e Prishtinës, ku dhënia e lejeve ndërtimore është një PAZAR me nëntokën kriminale që kontrollon ndërtimet në Prishtinë.

Qytetarët me të drejtë pyesin se deri kur Prokuroria Speciale do t’i mbyllë dyert për krimin në Komunën e Prishtinës, ku lejet ndërtimore shiten përmes NDËRMJETËSUESVE dhe si po u jep Shpend Ahmeti leje ndërtimi vetëm sponsorëve të tij për përfitime personale e kriminale, duke e degraduar kështu edhe kryeqytetin, por edhe duke e inkriminuar thellë Komunën e Prishtinës në krim të organizuar. Sipas qytetarëve, shembulli i Fushë- Kosovës për të ndjekur abuzuesit me ligjin duhet të ndiqet urgjent edhe në Komunën e Prishtinës.

Image
Nehat Hoxha

Abuzime me shumicë, përgjegjësi aspak

Qytetari Nehat Hoxha, prishtinas i vjetër, tha për “Kosova Sot” se do të ishte tepër e nevojshme që ndërhyrja e drejtësisë për abuzimet me ndërtime dhe leje ndërtimore të ndodhë sa më shpejt edhe në Komunën e Prishtinës, nëse vërtet kjo çështje ka filluar së mbari dhe seriozisht me Fushë- Kosovën.

Mirëpo, ai është skeptik në këtë seriozitet, sepse thotë që pikërisht në lagjet e tij ka shembuj të abuzimit me leje ndërtimi dhe askush nuk ka dëgjuar që ka shkuar në përgjegjësi. Me z. Hoxha kemi biseduar në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, në afërsi të Ambasadës Zvicerane.”Po shihet që degradimi është shumë i madh, këtu pranë nesh është edhe ky ndërtim tash e 8-9 vjet që ka mbetur kështu në gjysmë dhe kjo tregon që nuk është duke funksionuar asgjë. Kjo mendoj unë është arsyeja pse ka mbetur kështu, këtu ka diçka që nuk ka shkuar në rregull. Mirëpo, nëse më pyesni nëse do të ndërmerret diçka që gjërat të vihen në vendin e vet, të ndalohen apo të ndiqen abuzimet sikur që u tha për rastin në Fushë- Kosovë, që përgjegjësia të adresohet nga zyrtarët e drejtorisë përkatëse e deri tek kryetari, unë mendoj që me këta njerëz dhe me këto kushte nuk e shoh që dikush po jep tash apo do të japë në të ardhmen përgjegjësi.

Nuk jep askush përgjegjësi, nuk vepron as drejtësia, sepse të gjithë i ka kapur interesi i madh, në të gjitha instancat”, theksoi Hoxha për “Kosova Sot”. Sipas tij, Shpend Ahmeti mashtroi qytetarët kur pati thënë se do ndalohen dallaveret me leje ndërtimi dhe nuk do të ketë as ndërtime pa leje, sepse, sipas Nehat Hoxhës, të dyja këto po ndodhin tani.”Premtimet kanë qenë shumë të mëdha, por diçka nuk ka funksionuar, diçka krejt ndryshe ka luajtur tek ai. Ato premtime, sipas mendimit tim, fare pak, as 30% nuk i ka përmbushur, madje ndoshta ato që i ka përmbushur edhe janë krejtësisht të parëndësishme për të parë ndryshimet e premtuara. E, tani nëse më pyesni pse nuk e mbajti premtimin, pse e luajti fjalën këtu, unë them se ishin pikërisht ato interesat e tij personale dhe të secilit prej tyre, interesat e tyre tepër të mëdha”, vijoi më tej ai. “Po flitet që edhe ai është i përzier në abuzime dhe tregti me leje ndërtimi. Prishtina po degradon dhe nuk është duke shkuar mirë”, vlerësoi Hoxha.

Image
Hamit Neziri

Qeverisja e Ahmetit e thelloi korrupsionin

Qytetari tjetër Hamit Neziri tha për “Kosova Sot” se ka shumë shembuj të ndryshëm që flasin se si e gjithë administrata e Komunës së Prishtinës po shfrytëzohet si pronë private nga zyrtarët e saj, të cilët jo vetëm me leje ndërtimi, por abuzojnë edhe duke mos i njohur vendimet e gjykatave të Republikës së Kosovës, praktikë kjo që është instaluar që nga ardhja e VV-së në qeverisjen e Prishtinës, në mandatin e kaluar dhe vazhdon edhe tani.

“Unë për çështjen e Fushë- Kosovës nuk jam i njohur sa duhet, nuk i di ato çështje, por sa i takon Prishtinës këtu, mund të them lirisht që edhe kadastra, edhe Komuna, si krejt këto institucione komunale, këta njerëz i kanë bërë sikur me qenë institucione e zyra të tyre private. Kujt të duan këta i lëshojnë leje e kujt nuk duan nuk i lëshojnë. Kujt të duan ia regjistrojnë pronën e kujt nuk duan nuk ia regjistrojnë. Tek regjistrimet e pronës është fakti që regjistrimet e pronës, që nuk ka qenë përpara, që është dashur të ketë Fletë Poseduese, që u bë edhe për t’u regjistruar banesat e vjetra, e kam pasur dhe e kam rastin që kam blerë pronë në vitin 2002 në kohën e administrimit të UNMIK-ut, dhe kur shkoj për ta marr fletën poseduese më thonë pse e ke bërë atë kontratën në Gjykatën e Mitrovicës, që asokohe nën administrimin e UNMIK-ut nuk kemi pasur zgjidhje tjetër, por megjithatë ka qenë e ligjshme dhe është pranuar gjithmonë në të gjitha instancat, sepse UNMIK-u pati vendosur ashtu.

Ne e bëjmë edhe padinë kundër tyre në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila na e njeh të drejtën tonë për ta regjistruar pronën dhe këta përsëri e refuzojnë edhe vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës”, theksoi Neziri për “Kosova Sot”. Sipas tij, që nga ardhja e VV-së në qeverisjen komunale të Prishtinës, degradimi dhe shkelja e të drejtave të qytetarit, edhe duke mos i njohur fare vendimet e gjykatave, është bërë fenomen skandaloz dhe tanimë po e pësojnë qytetarët. “Pra, e kanë bërë këtë administratë komunale sikur të jetë administratë e tyre private, kujt të duan i lëshojnë edhe leje e kujt të duan edhe ia anulojnë. Kjo do të thotë që këtu ka vetëm korruptim dhe krejt këto pasoja po i vuajnë qytetarët. Për ta pastruar këtë gjendje unë mendoj që Prokuroria duhet të veprojë, duhet të nisë hetimet për të kontrolluar këto institucione që këta i kanë “privatizuar” si kadastrën, si zyrat e tjera të drejtorive komunale që të jenë nën një kontroll dhe hetim të shtuar për të mos lejuar abuzime të tilla”, potencoi Hamit Neziri.

Image
Isa Janjeva

 Prishtina si Bangladeshi

Qytetari tjetër Isa Janjeva, që jeton në zonën e vjetër të qytetit të Prishtinës, zonë e Historike e Mbrojtur, thotë se për këtë degradim dhe për këto abuzime që po bëhen edhe në fushën e ndërtimit, Prokuroria nuk po vepron pasi, sipas dyshimit të tij, edhe atë po e kontrollon rrjeti e mafisë së milionerëve të kriminalizuar. “E, nëse më pyesni mua pse nuk po vepron Prokuroria, unë them se nuk vepron, pasi nuk ka politikë dhe institucione demokratike, nuk ka as Parti Demokratike, por ka parti të milionerëve.

Këtu është i përfshirë edhe Shpend Ahmeti. E Shpend Ahmeti nuk e mbajti as edhe një premtim të vetëm. Shikoni se si është bërë tregu, si të ishte treg në Bangladesh, i mbuluar me ton lecka çadrash që është turpi i botës ne ta shikojmë, e lëre më të shikon dikush tjetër, e ju e dini sa qytetari i huaj vjen e viziton dhe e filmon Prishtinën, dhe këtë turp të Shpend Ahmetit. Askujt nuk po i intereson tani për ta realizuar atë që e ka premtuar, as Shpend Ahmeti nuk po mërzitet për ato që ka thënë, të gjithë i ka rrokur sikleti se si të pasurohen e të bëhen milionerë dhe po ia arrijnë besa edhe qëllimit, e nuk po dinë as çka të bëjnë me paratë e tyre, aq shpejt që po pasurohen. Kështu po bëjnë edhe me shitjen e lejeve të ndërtimit, sepse aty siguron paratë që as mos pyet”, theksoi Janjeva.

Image
Rexhep Kasabaqi

Jep ryshfet, bën kate sa të duash

Qytetari tjetër Rexhep Kasabaqi po ashtu i tha gazetës se gjithçka po shkon mbrapsht, asgjë nuk është mbarë, prandaj premtimet mbetën koti dhe asgjë nuk pritet të jetë në rregull. “Unë jam prishtinali i vjetër, jam lindur dhe rritur këtu në Prishtinë, në pjesën e vjetër të qytetit, por kurrë nuk kam menduar që vjen kjo ditë dhe në vend që diçka të përtërihet e të ndërtohet si duhet, të ndodhë e kundërta, të degradohet e të shkatërrohet, të dalë krejt jashtë kontrollit. Po ta kisha ditur që do të vijnë në krye të qeverisjes, si në nivel lokal edhe në atë qendror, njerëz të papërgjegjshëm, do të kisha ikur kaherë nga Kosova edhe unë sikur po ikin sot këta të rinj, nuk do të kisha ndenjur as 24 orë këtu, por ja që nuk e kam ditur dhe tani nuk kam nga t’ia mbaj, nuk e kam moshën. Ne po e shohim me sytë tanë se çka po ndodh me ndërtimet, me plan e pa plan, me leje e pa leje, sepse këtu vjen në pyetje vetëm mundësia e dhënies së ryshfetit.

Janë njerëzit e caktuar që i kanë lidhjet me ata të mëdhenjtë, sepse fare lehtë ndërtohet një ndërtesë 20 kate edhe pa pasur leje, kurse një fukara vetëm nëse fillon t’i qetë dy blloka- tulla, kryq diku për të bërë një strehë, ata vijnë e sjellin inspekcionin, ndërmarrin masa dhe ta heqin e ta prishin përnjëherë. Pra, veprohet kështu, sepse për këto gjërat e mëdha me siguri atyre u luan biznesi, u luan leku”, vlerësoi Kasabaqi, sipas të cilit Shpend Ahmeti nuk i ka realizuar as minimalisht ato që i ka premtuar.

(Kosova Sot)