Parlamenti britanik mund ta shqyrtojë mbajtjen e referendumit të dytë

  • 13 April 2019 - 11:30
Parlamenti britanik mund ta shqyrtojë mbajtjen e referendumit të dytë

Ministri britanik i financave, Philip Hammond, tha se ka shumë gjasa që ideja e referendumit të dytë për Brexitin të paraqitet para deputetëve të parlamentit të Britanisë së Madhe, ndonëse qeveria vazhdimisht e ka kundërshtuar një mundësi të tillë.

Ministri tha se shpreson që kuvendi ta zgjidhë bllokadën e Brexitit përmes votimit të një marrëveshjeje deri në fund të qershorit dhe që në këtë mënyrë të përfundojnë thirrjet për referendumin e dytë. Ai shtoi se qeveria mund të arrijë marrëveshje me Partinë Laburiste, e cila është partia kryesore opozitare.

“Mbes optimist që marrëveshja do të arrihet gjatë muajve të ardhshëm”, tha ai para gazetarëve në Uashington, ku po merr pjesë në takimet e organizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sidoqoftë, ai ka thënë se nuk mund të përjashtohet mundësia e referendumit të dytë. “Ky është një opsion që herët apo vonë mund të dërgohet në kuvend”, tha Hammond.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, deri tash ka dështuar ta marrë mbështetjen e partisë së vet për marrëveshjen e Brexitit, e cila është arritur me liderët e Bashkimit Evropian vitin e kaluar. Për këtë arsye, ajo është detyruar ta kërkojë shtyrjen e Brexitit dhe t’i fillojë bisedimet me opozitën.

Në anën tjetër, ligjvënësit laburistë i kanë bërë presion liderit të tyre që në negociata me qeverinë ta kërkojë mbajtjen e referendumit të dytë, shkruan “Reuters”

(Kosova Sot)