Personi që gjunjëzoi rendin dhe sigurinë kombëtare… Kush e “tradhëtoi” Admir Muratajn

  • 13 April 2019 - 12:19
Personi që gjunjëzoi rendin dhe sigurinë kombëtare… Kush e “tradhëtoi” Admir Muratajn

 

“Të rrallë, shumë të rrallë janë kriminelët që nuk lënë gjurmë”. Kjo shprehje nga kriminalistika i shkon për shtat edhe Admir Muratajt, i cili pas arratisjes nga një burg grek sfidoi autoritetet së bashku me grupin e tij, duke ua vështirësuar agjentëve policorë punën e tyre. Por, Admir Murataj, “i pakapshmi”, la gjurmë gjatë tri grabitjeve në dukje të vogla, por që pak e nga pak, duke u hedhur në arkivat e policisë krijuan gjithë panoramën. Gjurma më e madhe që ai la, kishte lidhje me pasionin e tij për të pasur nën kontroll gjithçka. Pikërisht, kamerat e sigurisë në banesën private në Fushë Prezë u dhanë hetuesve material të bollshëm, një material që i vuri pikën mbi “I” tri grabitjeve. Emri i organizatorit quhej Admir Murataj.

Gjurma e parë 

Ishte një grabitje që edhe regjisorët e filmave do ta kishin zili. U quajt grabitja me një shuplakë, ajo e 13 shkurtit 2015, në të cilën në derë të bankës në stacionin e trenit u grabitën 49.80 kilogramë valutë, sapo u hap qepeni i bankës dhe thasët do të transportoheshin drejt blindave. Shuma e rrëmbyer 900 mijë franga, 800 mijë paund britanikë dhe 16 mijë euro. Ilir Syla dhe Artan Duka që po shoqëronin thasët thanë se duke ecur në tunel dëgjuan një zë nga mbrapa “lekët, lekët”. “Kthyem kokën dhe pamë tre persona me maska dhe rroba të zeza që qëlluan. Njëri prej tyre u afrua dhe na kërkoi çelësin e fuoristradës dhe na urdhëroi ta ndiznim shpejt”. Dhe ndërsa ata u larguan me fuoristradën e policisë private, një dëshmitar me inicialet H. M konfirmoi se më vonë kishte parë dy prej grabitësve të hipnin në një makinë të bardhë monovolum. “Njëri prej tyre ishte i maskuar me kapuç”, ka shtuar dëshmitari i cili ka kujtuar për policinë se pasi ka dalë 7 apo 8 minuta me vonesë në oborr, aty ka kaluar një efektiv policie që i kishte sugjeruar të hynte në shtëpi sepse ishte situatë e rrezikshme. Por, pikërisht ky detaj, pra makina monovolum me ngjyrë të bardhë, është gabimi i parë i grupit dhe gjithashtu i Admir Muratajt. Kjo makinë Peugeot Partner është përdorur gjithashtu edhe në grabitjen e Kasharit, të ndodhur në datën 9 shkurt 2017. 

Gjurma e dytë 

Vlera e grabitur në këtë episod është 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë, 260 mijë paund, 85 mijë franga, 30 mijë dollarë australianë dhe 30 mijë dollarë kanadezë. Kësaj radhe grabitësit ishin të veshur me uniforma të zeza dhe me mbishkrimin “Policia”. I ndërprenë rrugën automjetit me tetë thasë me vlera monetare dhe e përplasën me një mjet Jeep. Nga një mjet fuoristradë dolën katër grabitësit e maskuar, dy prej tyre me automatikë dhe dy me vare. Njëri qëlloi me automatik në krahun e blindit, ndërsa tjetri goditi me vare në krahun e shoferit. Pasi hapën derën me një gur fresibël, ata thyen kasafortën dhe morën paratë. Pas grabitjes ata u larguan. Më tej, në distancë gjendej edhe një makinë e bardhë që nuk aktivizohet, brenda të cilës ndodheshin dy persona të tjerë që nuk zbresin. Pas ngjarjes edhe ata janë larguar në drejtim të Laknasit. Por kjo makinë që ngjan e rastësishme, në fakt ishte makina Peugeot e konstatuar edhe në grabitjen e 2015 përmes dëshmitarit

Gjurmimi

Dhjetëra kamera sigurie të bllokuara pas këtij momenti tregojnë se makina Peugeot ndjek dy makinat e mëparshme të grabitjes tre minuta me vonesë. Nga këqyrja është hetuar itinerari që ka ndjekur Peugeot në një kohë që dy makinat e tjera u dogjën. Udhëtimi i Peugeot është drejt Fushë Prezës, pikërisht aty ku Admir Murataj ka vilën e tij luksoze.
“Nga kamerat e sigurisë të regjistruara nga kamerat e Admir Muratajt në orën 13:42 ora reale, automjeti Peugeot Partner minifurgon, me ngjyrë të bardhë, hyri me nxitim duke goditur murin e oborrit të brendshëm pranë hyrjes kryesore dhe më pas u fut në garazhin e kësaj banese. Në këtë moment bëhet e mundur të dallohen targat e makinës TR 8561 E”. Kështu thuhet në dosjen e prokurorisë për gjurmën më të rëndësishme që përfundimisht çoi policinë pikërisht në “strofullën” e Admir Muratajt dhe pikërisht me kamerat përmes të cilave ai ruante banesën.

Një muaj pas këtij çasti prokuroria rieksperton kamerat dhe zbulon prej aty detaje nga filmimet nga data 6 shkurt, tri ditë para se të kryhej grabitja deri në datën 13 shkurt 2017. Në kamerat e shtëpisë së Admir Muratit dalin anëtarët e grupit duke hyrë në shtëpi në orare të ndryshme, përshi edhe Admir Muratajn, i vëllai Aleksandri, Ernest Kupa dhe Dritan Sinani. Ata shfaqen duke folur në telefon, herë hyjnë me qese me ushqime dhe në një çast Admir Murataj shfaqet nën shoqërinë e një personi tjetër teksa ngarkojnë në bagazhin e një automjeti një çantë të errët dhe një palë këpucë. Në dosje thuhet se pikërisht përmes këtyre filmimeve grupi hetimor mori shkas për të vazhduar gjurmimet dhe kontrollet e imtësishme. “Poshtë kangjellave të një pusete në garazh, gjetëm një pasaportë greke” tregon për Gazeta Si, njëri nga pjesëtarët që ishte në ndjekje të Admir Muratajt. Hetuesit raportuan në dosje se ky dokument ishte në emër të Christos Papadias, që më pas rezultoi nga akt-ekspertiza e falsifikuar. Në këtë pasaportë ishte fotografia e Admir Nikajt, një dokument që besohet se për një kohë të gjatë i kishte siguruar paprekshmërinë. 

Admir Nikaj apo Murataj mban numrin një në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për tri episode grabitjesh. Pas tij radhiten Dash Kupa, Ernest Kupa, Neim Avdylaj, Ditjon Memlika, Admir Cerpja dhe Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj. Ky i fundit është vëllai i tij që është tre vjet më i vogël se Admiri. Prokuroria thotë për Admir Nikaj Muratajn se ka lindur më 1 gusht 1972, në fshatin Cerem të Tropojës dhe banon në Prezë. Ai është i padënuar në Shqipëri, shpjegohet më tej, por është në kërkim ndërkombëtar dhe me masë sigurie në mungesë arrest me burg. Megjithatë, në Shqipëri akuzohet për: 

-Vjedhje të bankave më shumë se njëherë

-Prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake

-Krijim dhe pjesëmarrje në grup kriminal

Bankat që Admir Murataj ka grabitur dhe për të cilat vazhdonte të ishte nën hetim janë Uniqa Group Austria, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins dhe Banka Union Sha. Por, ndërsa tetë të tjerët u dënuan me mbi 100 vjet burgim për këto grabitje, Prokuroria thotë për Admir Nikajn:

“Konform nenit 325 të kodit të procedurës penale u vendos pezullimi i gjykimit pasi nuk rezultoi marrja dijeni e tij personalisht për këtë gjykim, si dhe ndarja e çështjes penale në ngarkim të tij, duke krijuar një fashikull gjyqësor”.

Por Admir Murataj, megjithëse ka pak të dhëna për të në kartelën e policisë, sikurse është sa vite shkollë ka kryer apo gjurmët e gishtave të tij, ai u tradhtua nga pikërisht nga vetja e tij. Ka qenë mania e tij për të mbajtur kamera sigurie në banesën private në Fushë Prezë që hapi dritën e parë jeshile për hetuesit që po e gjurmonin. Megjithëse gjatë grabitjeve në aksin e Kasharit prokurorët ishin të bindur se grabitësi ishte ai.

(Kosova Sot)