Kosova, çerdhe e kriminelëve të përmasave ndërkombëtare

  • 14 April 2019 - 07:38
Kosova, çerdhe e kriminelëve të përmasave ndërkombëtare

Guraziu: Shqipëria e Kosova kanë një emërues të përbashkët, me institucione të korruptuara

“Sikur të funksiononin ligjet e Kosovës, është e kuptueshme se krimi do të ishte në përmasa shumë më të vogla, dhe shteti ynë do të krahasohej me shtetet ku funksionojnë ligjet. Të marrim një shembull në komunikacionin tonë rrugor, sa aksidente e sa të lënduar dhe të vdekur po na ndodhin, gjë që nuk ndodhin në shtete të tjera ku funksionojnë ligjet.

Prandaj, derisa kriminelët ndërkombëtarë strehohen në vendet tona, lirshëm mund të konstatojmë se Policia e Kosovës dhe AKI-ja nuk janë në nivel të kryerjeve të detyrave të tyre që i obligojnë ligjet e Kosovës”, thotë për gazetën “Kosova Sot” eksperti i sigurisë, Hajrulla Tërnava

Admir Murataj, që mbeti i vrarë pas aksionit spektakolar në aeroportin e Rinasit ku u vodhën 10 milionë euro, po dyshohet se është strehuar për një kohë në Kosovë, derisa ishte në kërkim ndërkombëtar. Po ashtu, në Kosovë pesë muaj më parë ishte strehuar edhe shtetasi gjerman Qadir Ali Kan, i cili ishte kërkuar nga Interpoli. Analistët thonë se Kosova është shndërruar në çerdhe të krimineleve për shkak të mossundimit të ligjit. Sipas tyre, në këtë aspekt po dështojnë AKI-ja dhe Policia e Kosovës.

Image
Ali Hertica

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën “Kosova Sot” se duhet të ndërtohet sistem i zbatimit të ligjeve. “Aktualisht është duke u dëmtuar Kosova jashtë mase, sidomos në sundim të ligji. Kosova është bërë çerdhe e grupeve kriminale dhe kriminelëve që gjen stacionin e sigurt në Kosovë, sepse vetë AIK-ja dhe organet e sigurisë nuk mund ta sigurojnë veten, nuk mund ta mbrojnë e as ta sigurojnë qytetarin e thjeshtë të Kosovës. Ky vend është shndërruar në një oazë të strehimit të kriminelëve që kërkohen nga Interpoli”, është shprehur analisti Ali Hertica për “Kosova Sot”.

Image
Ragip Guraziu

Analisti Ragip Guraziu theksoi për gazetën “Kosova Sot” se Shqipëria e Kosova kanë një emërues të përbashkët, me institucione të korruptuara,polici të dështuar,me kancer të infektuar. “Dëshmohet qartë se rasti i këtyre ditëve ku thuhet se Admir Murataj, që mbeti i vrarë pas aksionit spektakolar në aeroportin e Rinasit, ku u vodhën 10 milionë euro, ishte strehuar për një kohë në Kosovë, derisa ishte në kërkim ndërkombëtar. Po ashtu, në Kosovë pesë muaj më parë ishte strehuar edhe shtetasi gjerman Qadir Ali Kan, i cili ishte i kërkuar nga Interpoli. Duket se Kosova është shndërruar në çerdhe të krimineleve, ku mossundimi i ligjit në Kosovë është arsyeja se pse kriminelët po gjejnë strehim në Kosovë, ku po dështojnë AKI-ja dhe Policia e Kosovës. Tani edhe kjo iu desh Kosovës për të dëshmuar se institucionet e Kosovës dita- ditës po lejojnë strehimin e kriminelëve, edhe pse kemi ligje e Kushtetutë, kemi polici e ushtri”, theksoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Shefik Shkodra

Shkodra: Kosova, vend ku lehtë zhvillohet krimi

Analisti Shefik Shkodra theksoi për gazetën “Kosova Sot” se ligji në Kosovë pothuajse nuk funksion fare. “Institucionet tona, si AKI, Policia, Gjyqi kot paguhen si institucione përgjegjëse për rend dhe siguri. Këto i mbulon politika ditore e interesit. Kur dikush nga politika ka nevojë mund të kryhen operacione të ndryshme. Po kryesisht, nuk janë azhur dhe nuk je i sigurt për jetë njeriu dhe plaçkat me pasurinë. Andaj, Kosova mbetet vend ku mund të zhvillohet krimi.

Te ne janë strehuar kriminelët nga Serbia në mënyrë legale, natyrisht që këtu mund të strehohen edhe kriminelët nga anët tjera të botës me çfarëdo aferash. Fare nuk është për t'u habitur. Sa i përket kriminelëve në përgjithësi, ata që mund të gjejnë strehim ilegal në Kosovë, fajtore është edhe bashkësia ndërkombëtare. Ata sikur me qëllim nganjëherë veprojnë me këtë vend. Nuk deshën ta anëtarësojnë Kosovën në INTERPOL”, theksoi Shkodra. Sipas tij, me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, sigurisht që kjo do të ishte një preventivë dhe siguri edhe e rajonit dhe botës.”Ndoshta nuk do të gjenin aq strehë të lirë kriminelët si tash. Se institucionet tona nuk po dëshmojnë me fakte veprimtarinë e tyre obligative, kemi edhe raste që ndoshta as që i dëgjojnë qytetarët”, u shpreh ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava: Duhet verifikim i policëve, gjyqtarëve e prokurorëve

“Kosova në këto kohë po i përngjan një vendi të kriminalizuar në përmasa të mëdha, që shikuar në perspektivë kjo situatë do të jetojë edhe gjatë në këto treva tona. Këtij fakti ia bashkëngjisim dukuritë e tanishme kriminale dhe të kohërave të mëparshme që në çdo aspekt niveli i krimit është në rritje e sipër dhe as që po shihet luftimi i tij, prandaj nga ky këndvështrim del konstatimi se krimi i organizuar, te ne ka lëshuar rrënjë të forta, që në të ardhmen duhet që në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, të bëhen reforma rrënjësore, duke u verifikuar të gjithë punonjësit të cilët paguhen për luftimin e krimit, se a e meritojnë që të jenë në polici dhe bash këta ta luftojnë krimin, dhe ata të cilët nuk e kalojnë verifikimin të largohen nga këto shërbime, e sidomos ata që janë të involvuar apo janë në lidhje me këto krime, të burgosen dhe të dalin para gjyqit, por paraprakisht edhe gjyqtarë duhet të kalojnë më parë verifikimin e tyre për te kaluarat e tyre, dhe tani në të ardhmen si të besuar t’i kryejnë detyrat e tyre.

Është për t’u habitur dhe befasuar se me çfarë krime të rrezikshme po ballafaqohet Kosova tani, që më parë këto krime as që kanë ekzistuar, si për shembull plaçkitjet nëpër banka aq të shpeshta, saqë tani është për të dyshuar, se a mos vallë këto plaçkitje po i organizojnë të mëdhenjtë e këtij vendi që janë në rrjedha, dhe të lidhur me krimin e organizuar. Vrasja e policit në Istog, i cili intervenon në mbrojtje të bankës e shumë raste të tjera na e dëshmojnë këtë nivel të krimit, ose vrasja e të riut në kazino nga ana e policit në ora 2 të natës, i cili e vret punëtorin e kazinosë dhe ia merr 1800 euro, dhe e vazhdon punën deri kur zbulohet nga ana e policisë. Bëhet pyetja se a thua a e kishte herën e parë që ky polic e kishte vrarë punëtorin në kazino apo mos ky ishte një recidivist, dhe veprat e papastra që i kryente, uniforma e tij i shërbente si pretekst.

Vrasja spektakolare e Admir Murtajt në aeroportin e Rinasit ku u vodhën 10 milionë euro e për të cilin po dyshohet se është strehuar për një kohë në Kosovë, derisa ishte në kërkim ndërkombëtar. Mos të harrojmë se krimi organizuar që nga brenda dhe të fortët organizohet, prandaj është edhe vështirë zbulohet. Edhe ndodhja e Rinasit është një krim i organizuar mirë në detaje. Po ashtu, edhe disa muaj më parë ishte strehuar shtetasi gjerman Qadir Ali Kan, i cili ishte kërkuar nga Interpoli, që i konfirmojnë këto të thëna sikur i ceka më lart. Këto janë vetëm nga disa krime të habitshme të kohës që po kryhen e që udhëheqësve të shtetit fort as që po merren me to”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, eksperti i sigurisë, Hajrulla Tërnava.

Image
Kreshnik Kokollari

Kokollari: Kriminelët bëjnë dasmë në Kosovë

“Kosova nuk duhet të jetë çerdhe e krimit të organizuar dhe 'kuzhinë' e anti-pastave për grabitje, vrasje dhe pjesëmarrje në luftëra të askujt. Kosova duhet të rrisë kapacitetin e saj të sigurisë dhe të fillojë të ndërmarrë hapa për luftë të pakompromis ndaj kriminelëve brenda dhe të gjithë atyre që tentojnë të gjejnë strehim. Qarkullimi se i vrari pas aksionit në Rinas është strehuar në Kosovë do të duhej të ishte kambanë për establishmentin e Kosovës se po dështojmë në Sigurinë Kombëtare.

Është mjaft e rrezikshme të mendojmë se jemi të sigurt në një vend kur kriminelët bëjnë dasmë , njerëzit kidnapohen, politikanët bëjnë biznes dhe populli hesht. Revolta qytetare mbi secilin fenomen tashmë e një kohë të gjatë Kosovën do ta rikthente në binarët e saj, asaj të demokratizimit dhe prosperitetit”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti Kreshnik Kokollari.

(Kosova Sot)