Tërnava: Duhet verifikim i policëve, gjyqtarëve e prokurorëve

  • 14 April 2019 - 12:56
Tërnava: Duhet verifikim i policëve, gjyqtarëve e prokurorëve

“Kosova në këto kohë po i përngjan një vendi të kriminalizuar në përmasa të mëdha, që shikuar në perspektivë kjo situatë do të jetojë edhe gjatë në këto treva tona.

Këtij fakti ia bashkëngjisim dukuritë e tanishme kriminale dhe të kohërave të mëparshme që në çdo aspekt niveli i krimit është në rritje e sipër dhe as që po shihet luftimi i tij, prandaj nga ky këndvështrim del konstatimi se krimi i organizuar, te ne ka lëshuar rrënjë të forta, që në të ardhmen duhet që në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, të bëhen reforma rrënjësore, duke u verifikuar të gjithë punonjësit të cilët paguhen për luftimin e krimit, se a e meritojnë që të jenë në polici dhe bash këta ta luftojnë krimin, dhe ata të cilët nuk e kalojnë verifikimin të largohen nga këto shërbime, e sidomos ata që janë të involvuar apo janë në lidhje me këto krime, të burgosen dhe të dalin para gjyqit, por paraprakisht edhe gjyqtarë duhet të kalojnë më parë verifikimin e tyre për te kaluarat e tyre, dhe tani në të ardhmen si të besuar t’i kryejnë detyrat e tyre.

Është për t’u habitur dhe befasuar se me çfarë krime të rrezikshme po ballafaqohet Kosova tani, që më parë këto krime as që kanë ekzistuar, si për shembull plaçkitjet nëpër banka aq të shpeshta, saqë tani është për të dyshuar, se a mos vallë këto plaçkitje po i organizojnë të mëdhenjtë e këtij vendi që janë në rrjedha, dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Vrasja e policit në Istog, i cili intervenon në mbrojtje të bankës e shumë raste të tjera na e dëshmojnë këtë nivel të krimit, ose vrasja e të riut në kazino nga ana e policit në ora 2 të natës, i cili e vret punëtorin e kazinosë dhe ia merr 1800 euro, dhe e vazhdon punën deri kur zbulohet nga ana e policisë. Bëhet pyetja se a thua a e kishte herën e parë që ky polic e kishte vrarë punëtorin në kazino apo mos ky ishte një recidivist, dhe veprat e papastra që i kryente, uniforma e tij i shërbente si pretekst.

Vrasja spektakolare e Admir Murtajt në aeroportin e Rinasit ku u vodhën 10 milionë euro e për të cilin po dyshohet se është strehuar për një kohë në Kosovë, derisa ishte në kërkim ndërkombëtar. Mos të harrojmë se krimi organizuar që nga brenda dhe të fortët organizohet, prandaj është edhe vështirë zbulohet. Edhe ndodhja e Rinasit është një krim i organizuar mirë në detaje.

Po ashtu, edhe disa muaj më parë ishte strehuar shtetasi gjerman Qadir Ali Kan, i cili ishte kërkuar nga Interpoli, që i konfirmojnë këto të thëna sikur i ceka më lart. Këto janë vetëm nga disa krime të habitshme të kohës që po kryhen e që udhëheqësve të shtetit fort as që po merren me to”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

(Kosova Sot)