Krasniqi: Fondi për Garantimin e Kredisë duhet mbyllur

  • 14 April 2019 - 14:37
Krasniqi: Fondi për Garantimin e Kredisë duhet mbyllur

Analisti Faik Krasniqi theksoi për gazetën ‘Kosova Sot” se ky fond i krijuar gjoja për Garantimin e Kredive, është një fond qesharak që nuk e ndihmon asnjë biznes nëse nuk është pjesë e ndonjë partie politike në pushtet. “Është gënjeshtër që ky fond garanton kredinë e bizneseve të reja apo bizneseve startup, por vetëm bizneset ekzistuese. Po flas nga përvoja. Kam kërkuar ndihmë nga ky fond për hapjen e një biznesi, por nuk jam përfillur, edhe pse ai projekt-biznes punëson mbi 50 njerëz.

Është kompleks hoteliero-turistik, dhe diçka të tillë nuk ka në Kosovë dhe rajon. Por, edhe nuk ka kosto shumë të madhe. Mua ndoshta më kanë injoruar për shkak se jam në listën e tyre të zezë, por unë tash e dy vjet nuk po mund ta realizoj këtë projekt që punëson shumë njerëz dhe është nxitës i zhvillimit ekonomik dhe turizmit në Kosovë”, është shprehur Krasniqi. Sipas tij, ky fond përdoret për interesa të ngushta dhe njerëzve të partisë. “Këtyre nuk u intereson zhvillimi ekonomik.

Po të kishin qenë të interesuar për ta zhvilluar ekonominë dhe uljen e papunësisë, populli nuk do ta braktiste vendin. Këtë fond duhet mbyllur, sepse pa qenë pjesë e partive politike në pushtet, nuk përfiton nga garantimi i kredisë. Sikurse në rastin e punësimeve familjare dhe partiake, veprojnë edhe me këtë fond”, është shprehur Krasniqi.

(Kosova Sot)