Corbyn rrugës për t’u bërë kryeministër i Britanisë

  • 14 April 2019 - 15:34
Corbyn rrugës për t’u bërë kryeministër i Britanisë

Sipas analizave më të reja të anketave, lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, është në rrugë të mirë për t’u bërë kryeministër i Britanisë së Madhe në të ardhmen e afërt.

Sipas hulumtimit të institutit “Electoral Calculus”, laburistët mund të fitojnë avantazh politik për shkak të shtyrjes së Brexitit, ndërsa parashikohet që konservatorët do t’i humbin 59 ulëse në kuvend në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Kjo analizë është në vargun e anketave të bëra pas dështimit të marrëveshjes së kryeministres May në kuvend dhe mungesës së përkrahjes nga deputetët e partisë së saj. Sipas rezultateve të këtyre sondazheve që janë bërë këtë fundjavë, përkrahja për Partinë Konservatore ka rënë në nivelin më të ulët në pesë vjetët e fundit.

Sipas anketës së këtij instituti, e cila është mbajtur nga data 2 deri më 11 prill, Partia Laburiste do të bëhet partia më e madhe në Dhomën e Ulët dhe do t’i fitojë 296 ulëse, ndërsa Partia Konservatore vetëm 259 ulëse.

“Dështimi i konservatorëve që ta sigurojnë largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do t’i kushtojë shumë kësaj partie”, tha Sir John Curtice, kryetar i Këshillit Britanik të Votimit.

Këto rezultate përputhen me rezultatet e një ankete tjetër, sipas së cilës, përkrahja për Partinë Konservatore është në nivelin më të ulët në gjashtë vjetët e fundit, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot)