A u sulmua nga përkrahësit e Bekim Jasharit? Flet Alban Berisha

  • 14 April 2019 - 18:53
A u sulmua nga përkrahësit e Bekim Jasharit? Flet Alban Berisha

Kryetari i të rinjve në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Alban Berisha, ka folur për përleshjet fizike që u raportuan të kenë ndodhur sot, në një nëndegë të kësaj partie, në fshatin Klinë e Epërme.

Berisha, në një prononcim për media, ka mohuar se ka pasur përleshje fizike. Ai ka thënë se janë shkëmbyer vetëm ofendime.

“E vërtetë, ka pasur ofendime, jo përleshje. Vetëm ofendime”, ka thënë Berisha.

Berisha ka bërë të ditur se procesi i brendshëm zgjedhor i kësaj nëndege është shtyrë për një datë të pacaktuar. “I kemi shtyrë zgjedhjet për një ditë tjetër”, ka deklaruar ai.

Media ka raportuar më herët se tensione atje janë zhvilluar nga përkrahësit e Bekim Jasharit, kryetar i Komunës së Skenderajt.

Jashari ka deklaruar se nuk është në dijeni për zhvillimet në fjalë. Po ashtu, për këtë problem nuk kanë folur as Sami Lushtaku e as Nuredin Lushtaku.

Nuk dihet nëse rasti është raportuar në Polici. Zyra për informim e Policisë s’ka qenë e qasshme këtë të diel.

(Kosova Sot)