Rrahja brenda PDK-së në Skënderaj, ja detajet e fundit: Grupi i Lushtakut...

  • 14 April 2019 - 19:20
Rrahja brenda PDK-së në Skënderaj, ja detajet e fundit: Grupi i Lushtakut...

Një përleshje fizike ka ndodhur në Skënderaj, atje gjatë procesit zgjedhor të PDK’së, grupi i Nuredin Lushtakut ka sulmuar fizikisht Rininë Demokratike (RDK). 

Media ka mësuar se Rinia Demokratike e cila në këtë proces zgjedhor ka dalë në përkrahje të Sami Lushtakut për kryetar të PDK’së për Skënderaj, është sulmuar nga grupi i Nuredin Lushtakut.

“Arsyja e përleshjes ka qenë rreth procesit zgjedhor, pasi që këta të Nuredin Lushtakut i kanë sulmu këta të Rinisë Demokratike, që qenkan me të afërt me Lushtakun”, tha burimi brenda përleshjes në Skënderaj.

Po ashtu media ka mësuar se cak i sulmit ka qenë edhe kryetari i Rinisë Demokratike për Skënderaj, Alban Berisha.

Media ka treguar edhe më herët se përleshja fizike ka ndodhur gjatë një tubimi të organizuar me synimin për t’i zhvilluar zgjedhjet në seksionin e Klinës së Epërme. Pas saj, procesi zgjedhor është ndërprerë.

Dihet se Skënderaji ka qenë bastion i PDK’së që prej formimit të partisë, ndërkaq përçarjet në të u bënë të dukshme në zgjedhjet e fundit lokale, kur në garë për kryetar komune u përfshi Bekim Jashari. 

Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku e ka mohuar një përleshje fizike mes anëtarëve të kësaj partie në një degë të Skenderajt.

Ai tha se nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje dhe se aty, tha ai, ka pasur vetëm tentime për një përleshje.

“Nuk kam qenë i pranishëm në atë mbledhje sepse kam qenë në një mbledhje tjetër. Sipas informatave që unë i posedoj nuk ka pasur përleshje fizike, ka pasur vetëm tentime për një gjë të tillë”, tha ai.

Sipas djalit të ish- kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, një gjë e tillë e pakënaqësive është edhe e kuptueshme kur dihet që në shumicën e tubimeve që po i mbajmë po marrin pjesë mbi 400 pjesëmarrës. 

“Nuk dëshiroj që të lëshohem me emra, mirëpo them që në njëfarë forme është e kuptueshme për ndonjë pakënaqësi në një degë të caktuar, kur dihet që në shumicën e tubimeve që po i mbajmë po marrin pjesë mbi 400 pjesëmarrës. Kështu që në një numër kaq të madh të njerëzve mund të ketë ndonjë paknaqësi. Unë jam i bindur që në fund procesi zgjedhor brenda PDK-së, e gjithashtu edhe ne degën e Skenderajt, do të përmbyllet suksesshëm. Sepse demokracia këto gjëra i ka. Ai që merr vota më shumë brenda një procesi të caktuar, ai është fituesi. Këtë duhet ta pranojmë të gjithë. E përsëris që besoj se përfundimi i zgjedhjeve brenda PDK-së, e veçmas brenda degës në Skenderaj, do të jetë i suksesshëm”, përfundoi ai.

(Kosova Sot)