Kokollari: Kriminelët bëjnë dasmë në Kosovë

  • 14 April 2019 - 20:25
Kokollari: Kriminelët bëjnë dasmë në Kosovë

Admir Murataj, që mbeti i vrarë pas aksionit spektakolar në aeroportin e Rinasit ku u vodhën 10 milionë euro, po dyshohet se është strehuar për një kohë në Kosovë, derisa ishte në kërkim ndërkombëtar. Po ashtu, në Kosovë pesë muaj më parë ishte strehuar edhe shtetasi gjerman Qadir Ali Kan, i cili ishte kërkuar nga Interpoli.

Analistët thonë se Kosova është shndërruar në çerdhe të krimineleve për shkak të mossundimit të ligjit. Sipas tyre, në këtë aspekt po dështojnë AKI-ja dhe Policia e Kosovës. 

"Kosova nuk duhet të jetë çerdhe e krimit të organizuar dhe 'kuzhinë' e anti-pastave për grabitje, vrasje dhe pjesëmarrje në luftëra të askujt. Kosova duhet të rrisë kapacitetin e saj të sigurisë dhe të fillojë të ndërmarrë hapa për luftë të pakompromis ndaj kriminelëve brenda dhe të gjithë atyre që tentojnë të gjejnë strehim. Qarkullimi se i vrari pas aksionit në Rinas është strehuar në Kosovë do të duhej të ishte kambanë për establishmentin e Kosovës se po dështojmë në Sigurinë Kombëtare. Është mjaft e rrezikshme të mendojmë se jemi të sigurt në një vend kur kriminelët bëjnë dasmë , njerëzit kidnapohen, politikanët bëjnë biznes dhe populli hesht. Revolta qytetare mbi secilin fenomen tashmë e një kohë të gjatë Kosovën do ta rikthente në binarët e saj, asaj të demokratizimit dhe prosperitetit", theksoi për gazetën "Kosova Sot", analisti Kreshnik Kokollari.

(Kosova Sot)