‘El Chapo’ është në burg, por karteli i tij po bëhet më i dhunshëm

  • 14 April 2019 - 22:59
‘El Chapo’ është në burg, por karteli i tij po bëhet më i dhunshëm

Ish-bosi i kartelit të Sinaloas, Joaquin “El Chapo” Guzman gjendet në një burg të Manhattanit në pritje të vendimit që me siguri do të jetë burgim i përjetshëm, e që do t’i duhet ta kalojë në një prej burgjeve të sigurisë më të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që prej kapjes së tij në fillim të vitit 2016, grupet kriminale të Meksikës kanë luftuar mes tyre, ndërkohë që karteli i themeluar prej tij dhe rivalët e tjerë duken se janë të gatshëm të hapin një fazë të re në betejën e tyre për dominim.

Më pak se dy javë pasi Guzman u shpall fajtor, të paktën 5 “narcomantas” (parulla me mesazhe nga grupet kriminale) janë gjetur në Guadalajara, qyteti i dytë më i madh i Meksikës dhe kryeqytet i shtetit Jalisco, që është edhe bastion i rivalit kryesor të kartelit të Sinaloas, atij “Jalisco New Generation”.

I njëjti mesazh shfaqet gjithashtu në të gjitha parullat, sipas një raportimi të medies lokale “Proceso”, që kërkojnë të shënojnë nisjen e një “spastrimi” të ri në Meksikë, mbështetur nga qeveria, dhe që premton të rikthejë “shkollën e vjetër”, një term që i referohet “gardës së vjetër” të trafikantëve të drogës, pjesë e së cilës është edhe Zambada, ndër të paktët që janë ende gjallë dhe në liri të plotë.

Mesazhet në Guadalajara i atribuohen Ismael “El Mayo” Zambada, pasi përmbajnë edhe emrin e tij. Të tilla parulla me këto mesazhe shihen si tregues se Zambada kërkon të vendosë një rend të ri në botën “e errët” kriminale. Në shtetin e Sinaloas, parullat që i atribuohen Zambadës kanë një mesazh të qartë: Rreshtohuni, përndryshe do t’iu rreshtojmë ne!

Zambada, i cili ka shpëtuar mrekullisht pa u kapur kurrë, ka qenë zëvendësi (për të mos thënë me të njëjtin status) i Guzmanit në krye të kartelit të Sinaloas dhe tashmë besohet të jetë në arrati së bashku me djemtë e Guzmanit, të cilët triumfuan në një betejë të brendshme disamujore për kontroll.

Pak ditë pas shfaqjes së këtyre parullave në Guadalajara, vëllai i Damaso Lopez Nunez, ish-krahut të djathtë të Guzmanit deri pak para kapjes dhe dëshmimit kundër tij në SHBA, u vra në shtetin e Sinaloas.

(Kosova Sot)