Gjykatat të zgjohen nga agonia dhe t'i trajtojnë me profesionalizëm paditë për dëmet e luftës

  • 15 April 2019 - 08:12
Gjykatat të zgjohen nga agonia dhe t'i trajtojnë me profesionalizëm paditë për dëmet e luftës

Intervistë për gazetën “Kosova Sot” e Jahir Bejtës, kryetar i Shoqatës “Ngritja e Zërit”

Politika kosovare në maje të drejtësisë ka vendosur ekspertë pa kredibilitet moral

“E para, ne si Shoqatë për dëme të luftës sigurojmë palët e dëmtuara që do të jemi pjesë e rrugëtimit të tyre deri në instancat e fundit për të vendosur drejtësinë në vend. E dyta, u kujtojmë përfaqësuesve të institucioneve tona vendore që shteti ynë ka një Kushtetutë, e cila garanton dhe mbron të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në të gjitha segmentet. E, kur bëhet fjalë për dëmet e luftës së fundit në Kosovë, po dua të mendoj që gjykatat tona do t’i thërrasin mendjes, të zgjohen nga agonia dhe t’i trajtojnë me profesionalizëm dhe dinjitet dosjet për krimet e luftës së fundit në Kosovë, e drejtë kjo e garantuar edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, theksoi në intervistën për “Kosova Sot”, Jahir Bejta, kryetar i Shoqatës “Ngritja e Zërit”

“Kosova Sot”: Çka do të ndodhë me dëmet e luftës? Pse për 20 vjet u refuzua të trajtohen krimet e luftës,përfshirë edhe dëmet e luftës që regjimi kriminel i Milosheviqit i bëri në Kosovë?

Jahir Bejta: Mjerisht, edhe Gjykata Kushtetuese në cilësinë e gardianit të drejtësisë është duke i refuzuar kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë. Deri më tani i ka refuzuar afër 100 kërkesa. Në të kundërtën sikur të implementoheshin dispozitat ligjore vendore dhe ndërkombëtare, kishte qenë dashur të miratohen kërkesat, të anulohen aktvendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe kthimi e dosjeve në gjykata Themelore për t’i shqyrtuar dhe për t’i vendosur në bazë të ligjeve në fuqi.

“Kosova Sot”: A do të jetë ky dështimi i radhës nga gjykata kosovare? Si i kanë “hedhur poshtë si të palejuara” gjykatat në Kosovë diku mbi 25,000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës ?

Jahir Bejta: Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar dhe vlerësuar se gjykatat vendore janë kompetente për gjykimin e rasteve që kanë të bëjnë me të drejtën e pronës. Shteti bën shkelje kur nuk nxjerr rregulla të qarta dhe nuk mënjanon paqartësi ligjore rreth të pronës. Pra, shteti i Kosovës ka dështuar t’u dalë në ndihmë viktimave të luftës.

Veprime pa asnjë kriter

“Kosova Sot”: Si mund të kërkojnë kompensimin e dëmeve të luftës qytetarët dhe bizneset po qe se nuk u lejohet qytetarëve dhe bizneseve të ngritin padi në vendin e krimit, në Kosovë, pra aty ku ka ndodhur krimi-dëmet e luftës?

Jahir Bejta: Sa i përket imunitetit të shtetit për shqyrtimin e padive për kompensim dëmi, imuniteti sipas nenit 28, para.3 të LPK-së krijohet në bazë të reciprocitetit, andaj gjykatat e Serbisë nuk kanë imunitet t’i shqyrtojnë paditë për kompensim dëmi. Gjykatat tona kot i udhëzojnë palët paditëse tek gjykatat e Beogradit. Ky veprim, përveçqë është i shëmtuar, është i gabuar edhe juridikisht.

“Kosova Sot”: Pse politika dhe gjyqësori kosovar po veprojnë kundër interesave të qytetarëve dhe vendit të vet dhe në mbrojtje e dobi të Serbisë armike dhe urdhëruesve të tyre, në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe faktet?

Jahir Bejta: Politika kosovare në maje të drejtësisë ka vendosur ekspertë pa kredibilitet moral,për të arritur kështu më lehtë interferimin në mënyrë implicite.

“Kosova Sot”: Pse gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë po tallen me qytetarët duke ua “hedhur poshtë si të palejuara” diku mbi 25,000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës?

Jahir Bejta: Gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë e dinë se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, andaj palët paditëse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë të drejtë t’i drejtohen GJND-së, andaj po veprojnë pa asnjë kriter.

“Kosova Sot”: A është shkelje e të drejtave të njeriut fakti që qytetarëve e bizneseve gjykatat tona fare nuk ua shqyrtojnë drejt e me ligje paditë legjitime e të ligjshme!?

Jahir Bejta: Sigurisht se kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë, me konventa, marrëveshjet dhe principet ndërkombëtare, të cilat përmes nenit 22 të Kushtetutës janë shndërruar në kategori të rendit juridik të brendshëm,madje me përparësi implementimi.

Gjykatat, të zgjohen nga agonia

“Kosova Sot”: Si mund të realizojnë të drejtat e tyre qytetarët në Serbinë ende fashiste, nëse vetë drejtësia kosovare nuk bën punën e saj në detyrim të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit ?

Jahir Bejta: Vendimet eventuale të gjykatave të Serbisë në të gjitha herët do të jenë joefektive. Gjykatat tona janë kompetente në bazë të nenit 28, para.1 të LPK-së në rastet kur nuk ka ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Kompetente për të vendosur janë gjykatat vendore, këtë të drejtë e garanton edhe neni 47,para.1 i LPK-së, pastaj neni 54 i Kushtetutës. Kompetencën për të vendosur për kompensim dëmi në gjykatat vendore,varësisht se ku ka ndodhur veprimi dëmtues, e garanton edhe Principi ndërkombëtar PER loci.

“Kosova Sot”: A do të sjellë një vendim gjykata kushtetuese në favor të qytetarëve dhe si do të veprohej më tutje nëse Gjykata Kushtetuese si garant i të drejtave elementare të njeriut vendos që është në favor të kësaj të drejte të garantuar me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut?

Jahir Bejta: E para, ne si Shoqatë për dëme të luftës sigurojmë palët e dëmtuara që do të jemi pjesë e rrugëtimit të tyre deri në instancat e fundit për të vendosur drejtësinë në vend. E dyta, u kujtojmë përfaqësuesve të institucioneve tona vendore që shteti ynë ka një Kushtetutë, e cila garanton dhe mbron të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në të gjitha segmentet. E, kur bëhet fjalë për dëmet e luftës së fundit në Kosovë, po dua të mendoj që gjykatat tona do t’i thërrasin mendjes, të zgjohen nga agonia dhe t’i trajtojnë me profesionalizëm dhe dinjitet dosjet për krimet e luftës së fundit në Kosovë, e drejtë kjo e garantuar edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

(Kosova Sot)