Rusët pastrojnë paratë në Kosovë para hundëve të pushtetit

  • 15 April 2019 - 08:20
Rusët pastrojnë paratë në Kosovë para hundëve të pushtetit

Grapci: Shpëlarja e parave përmes OJQ-ve mikrofinanciare po bëhet në Kosovë në mënyrë të hapur

“Kemi rastin e fundit se si një e ashtuquajtur bankë kreditore me prejardhje nga Lituania e Rusia e largët arrijnë të joshin shumë njerëz të varfër e të papunë, që në fillim të marrin kredi kinse pa kamatë, pastaj me pretekstin që nëse nuk keni para të paguani kredinë me datë të caktuar, mund ta paguash që të shtysh datën e caktuar. Kjo është hajni e llojit të vet dhe është e pabesueshme. Lëre që pastaj kamata është e dyfishtë, por edhe është kundër çdo parimi logjik dhe ligjor me të cilat ligje funksionojnë bankat në Kosovë. Kjo s’ka se si të quhet ndryshe veçse krim i llojit të vet”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Driton Gashi

Në Kosovë ka shpëlarje të parave edhe përmes OJQ-ve mikrofinanciare, por analistët dhe ekspertët e ekonomisë thonë se disa nga këto para po vijnë miliona përmes OJQ-ve mikrofinanciare nga Rusia, Lituania etj. dhe po japin kredi me kamata jashtëzakonisht të larta bankare.

Ata thonë se shteti nuk e ka rregulluar me ligj këtë veprimtari dhe ka lejuar këto OJQ mikrofinanciare të fitojnë qindra miliona në dëm të qytetarëve, duke lëshuar kredi me kamata tejet të larta që kanë dëmtuar me të madhe qytetarët,por duke lejuar edhe paratë nga Rusia, Lituania e shtete të tjera të vijnë në Kosovë për t’u shpërlarë. Se a do të marrin fundit ndonjëherë zhvatjet e tilla të këtyre OJQ-ve, dhe shteti të tregojnë aftësinë për të parandaluar gjëra të këtilla kriminale, BQK-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Image
Dardan Grapci

Duhet të merren masa nga AKI-ja

Analisti Dardan Grapci thotë për “Kosova Sot” se shpëlarja e parave përmes OJQ-ve mikrofinanciare po bëhet në Kosovë në mënyrë të hapur, njëra ndër këto banka mikro-financiare është MONEGO, ku BOSSI kryesor është një person i cili po kërkohet nga Amerika, Singapori, Afrika Jugore dhe Veriore për mashtrimin e shumë klientëve dhe për varfërimin e shumë familjeve nëpër botë me kamata shumë të larta, që ne fakt tani është me seli në tërë territorin e Kosovës.

Në Kosovë duhet të marrë masa AKI-ja, duke bërë hetime se nga po vijnë këto OJQ mikrofinanciare dhe kush po qëndron prapa këtyre, dhe pastaj të kërkohet sipas ligjit që këto edhe të mbyllen pa pasur të drejtë ankese në Qeverinë e Kosovës.

Gjithashtu edhe qytetarët e Kosovës duhet ta luajnë rolin e tyre, duke i bojkotuar këto OJQ mikrofinanciare dhe duke bërë presion nga shteti dhe komuna që të mbyllen”, është shprehur ai. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara kompanisë së përmendur nga analisti,ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Image
Driton Gashi

Pa një reagim a hetim paraprak

Analisti Driton Gashi theksoi për “Kosova Sot” se është vërtet e çuditshme se si është e mundur që në Kosovë të vijnë lloj- lloj organizata me kamata jashtëzakonisht të larta bankare dhe nuk ka asnjë reagim dhe as një hetim paraprak për to dhe cila është origjina e tyre.

“Kemi rastin e fundit se si një e ashtuquajtur bankë kreditore me prejardhje nga Lituania e Rusia e largët, arrijnë të joshin shumë njerëz të varfër e të papunë, që në fillim të marrin kredi kinse pa kamatë, pastaj me pretekstin që nëse nuk keni para të paguani kredinë me datë të caktuar, mund ta paguash që të shtysh datën e caktuar. Kjo është hajni e llojit të vet dhe është e pabesueshme.

Lëre që pastaj kamata është e dyfishtë, por edhe është kundër çdo parimi logjik dhe ligjor me të cilat ligje funksionojnë bankat në Kosovë. Kjo s’ka se si të quhet ndryshe veçse krim i llojit të vet, kur këta njerëz kanë gjetur hapësirë në Kosovë, dhe këto hapësira sigurisht që mund të jenë krijuara nga dikush, i cili është në pushtet dhe kanë lidhje me klane mafioze”, është shprehur analisti Gashi.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Asgjë nuk ndodh tek ne rastësisht, pa pasur përfitime politikanë të fuqishëm të Kosovës

“Një shtet jofunksional bëhet parajsë për shpëlarje parash. Ato para mund të jenë para të politikanëve nga Rusia, por edhe të mafisë ruse. Paratë pastrohen kryesisht përmes OJQ-ve mikrofinanciare. Edhe i pastrojnë paratë, por njëkohësisht ato shuma parash i shumëfishojnë përmes kamatave të larta që ofrojnë për qytetarët.

Shteti është në dijeni për çdo gjë, sepse këto aktivitete zhvillohen në mënyrë shumë legale, por ka mundësi që politika përfiton përqindje të mirë nga fitimet e tyre, dhe njëkohësisht edhe bëjnë pastrimin e parave të pista edhe politikanët tanë.

Asgjë nuk ndodh tek ne rastësisht, respektivisht pa pasur përfitime politikanë të fuqishëm të Kosovës. Prandaj edhe nuk i ndërpresin këto aktivitete”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)