Këshilli ushtarak i Sudanit arreston anëtarët e qeverisë së rrëzuar

  • 15 April 2019 - 12:02
Këshilli ushtarak i Sudanit arreston anëtarët e qeverisë së rrëzuar

Këshilli i përkohshëm ushtarak i Sudanit i ka arrestuar anëtarët e qeverisë së rrëzuar dhe ka premtuar se nuk do t’i shtypë protestat.

Një zëdhënës i këtij këshilli ka kërkuar nga opozita që ta caktojë kryeministrin e ardhshëm dhe është zotuar se figura e propozuar nga ta do të miratohet nga këshilli.

Protestat që zgjatën disa muaj në Sudan e sollën rrëzimin nga pushteti dhe arrestimin e udhëheqësit të kahershëm, Omar al-Bashir.

Sidoqoftë, protestuesit kanë thënë se do të qëndrojnë në rrugë derisa pushteti t’i dorëzohet një qeverie civile dhe derisa ushtria të largohet nga qeverisja e vendit.

Gjatë një konference me gazetarë të dielën, zëdhënësi i ushtrisë, Shams Ad-din Shanto, tha se këshilli ushtarak është i gatshëm ta pranojë çfarëdo qeverie civile për të cilën arrijnë marrëveshje partitë opozitare.

“Ne nuk do ta përzgjedhim kryeministrin. Ata do ta zgjedhin atë. Sidoqoftë, përdorimi i armëve nuk do të lejohet”, tha ai, duke bërë thirrje që protestuesit të mos i bllokojnë rrugët në mënyrë ilegale.

Këshilli ushtarak i ka marrë një varg vendimesh që nga marrja e pushtetit, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve të rinj të ushtrisë dhe policisë, zgjedhjen e kryetarit të Shërbimit për Inteligjencë dhe largimin e të gjitha ndalesave për medie, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)