Qarri: Me hetimin do të zbulohen anëtarët e SHIK-ut, të instaluar në të gjitha partitë

  • 15 April 2019 - 13:52
Qarri: Me hetimin do të zbulohen anëtarët e SHIK-ut, të instaluar në të gjitha partitë

“Ka vite për të mos thënë ndoshta edhe rreth dy dekada që emri SHIK është bërë sinonim i frikës, dyshimit dhe veprimeve e konspiracioneve në vend, prandaj sa herë që është tentuar të damkoset apo demonizohet dikush, është akuzuar se është apo ishte pjesëtar i këtij shërbimi ilegal-privat të PDK-së.

Madje këto ditë edhe Dardan Molliqaj, deri para pak kohësh, edhe vetë eksponent i VV-së, akuzoi Glauk Konjufcën se ishte pjesë e SHIK-ut gjatë periudhës kohore 2000-2001, për të cilin tha se paguhej 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK.

Në këtë mënyrë, përditë e më tepër po dëshmohet sa shumë duhet të turpërohet dhe të japë llogari VV-ja se çfarë njerëz të tipit si Dardan Molliqajt, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut për vite të tëra i ka promovuar me pompozitet në majat e VV-së, e tash të njëjtit i akuzojnë kolegët e tyre për pjesë të SHIK-ut !? Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se pjesëtarë të SHIK-ut ka në të gjitha partitë, asnjëherë nuk u nis një hetim për SHIK-un, nga frika se me hetimin e SHIK-ut do të zbulohen anëtarët e SHIK-ut të instaluar në të gjitha partitë dhe në të gjitha institucionet e shtetit, madje deri edhe në media të caktuara publike.

Ndaj pa hapjen e dosjeve dhe një VETTING-u të vërtet në organet e brendshme të sigurimit shtetëror dhe ato të drejtësisë, është vështirë të dihet ndonjëherë e vërteta se kush ka qenë në SHIK dhe a ka mbetur ndonjë parti e papërfshirë apo të gjitha i kanë pasur njerëzit e tyre në SHIK, të infiltruar në të gjitha partitë, deri në majat e tyre.

Përndryshe, hetimi i njëmendtë i këtij shërbimi, të quajtur nga shumë njerëz të partive tjera edhe si kriminal, do ta trondiste gjithë skenën politike, për shkak se aty do zbuloheshin edhe pjesëtarë të segmenteve të tjera politike, ani pse veprimtaria e tij ishte në shërbim e interes të PDK-së, për të kapur institucionet e shtetit e për të zhvatur buxhetin e asetet e shtetit përmes mafio-oligarkëve të rekrutuar edhe nga partitë tjera nga SHIK-u. Kështu që hetimin e SHIK-ut ende e pengojnë të gjitha partitë e mëdha politike në vend, për faktin se gjenden edhe pjesëtarët e vet, në SHIK (siç thuhet kriminal), të cilin edhe sot e përbejnë krerët e institucioneve kryesore të instaluar në majat e pushtetit dhe shtetit të kapur të Kosovës”, theksoi Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)