“Lufta” brenda partisë, ky është alarmi për PDK-në

  • 15 April 2019 - 14:30
“Lufta” brenda partisë, ky është alarmi për PDK-në

Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon zgjedhjet brenda Partisë. Por jo gjithçka po shkon ashtu siç është planifikuar. E së fundit, gjatë ditës së djeshme në Skenderaj ka eskaluar situata deri në përleshje fizike mes anëtarëve të PDK-së. 

E sipas analistëve kjo situatë në PDK është e pritshme. Sipas tyre kjo parti po shkon drejt fundit të saj.

“Është e pritshme një situatë e tillë në PDK, për vet faktin se ky subjekt politik ka funksionuar në bazë të grupeve të ndryshme të interesit,ideologjive të ndryshme politike, e fraksionuar në bazë të fuqive që kanë pasur njerëzit e fortë(KOMANDANTËT) në këtë parti që kanë ardhur nga i ashtuquajturi krah i luftës”, thotë për “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, sot ky rrjet duket që ka pësuar plasje dhe kjo prodhon edhe armiqësi në mes ish miqve, drejtues të lartë të PDK-së

“Ajo që dikur i ka mbajtur te bashkuar ''musketarët'' ka qenë ndërtimi i mirë i një rrjeti financiar, ku të gjithë kanë pasur hisen e tyre,sidomos nga uzurpimet e pronës shoqërore, tregtisë së paligjshme, mbajta e gjatë e pushteti përmes formës korruptive dhe manipulimit të proceseve zgjedhore, sot ky rrjet duket që ka pësuar plasje dhe kjo prodhon edhe armiqësi në mes ish miqve, drejtues të lartë të PDK-së. Pra plasja e këtij rrjeti ka filluar me ndarjen nga PDK-ja të Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limaj që pasoi me formimin e NISMA-s, dhe kjo ka shumë mundësi ti rishfaqet serish PDK-së e cila nuk e ka më atë momentumin e saj më të mirë e që grupet rivale do ta shfrytëzojnë në garën brenda partisë për tu pozicionuar sa më lartë dhe sa më mirë në hierarkinë e partisë”, është shprehur më tej Haziri. 

“Duket që PDK-ja edhe me sondazhet e bëra, më nuk do të jetë ajo parti me gjithë atë fuqi që dikur kishte, dhe natyrisht se kjo situatë edhe e bënë më të ashpër luftën brenda saj. Duhet thënë se ky subjekt politik me lidershipin e mëparshëm por edhe këtë aktual më shumë është një sipërmarrje e përbashkët e krimit se sa një subjekt politik, mbase për këtë do ta vërtetoj koha, nëse Gjykata Speciale do të jetë në funksion të misionit të sajë, por edhe të funksionimit të shtetit ligjor në Kosovë”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)