Grabitja në Rinas, kërkohet servisi që modifikoi furgonin

  • 15 April 2019 - 15:25
Grabitja në Rinas, kërkohet servisi që modifikoi furgonin

Automjeti i djegur në fshatin Dritas nga grabitësit e miliona eurove në Aeroportin e Rinasit, i është nënshtruar ekspertizës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Policia zhvendosi automjetin e djegur ndërsa mësohet se në brendësi të tij nuk u gjetën gjurmë biologjike.

Deri tani, e vetmja provë e hetuesve mbetet automjeti me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, i cili u përdor për të lëvizur bllokun e betonit të vendosur para derës së hyrjes së emergjencës së Aeroportit.

Policia mësohet se ka nisur të verifikojë në disa servise makinash, për të mësuar se ku mund të jetë modifikuar shasia e mjetit, të cilit i ishte vendosur një shinë treni, për të bërë të mundur lëvizjen e bllokut të betonit.

Gjithashtu, po verifikohen edhe disa biznese private të reklamave ku mund të jetë printuar logo “Hetimi Tatimor” i ngjitur në furgon. Është kërkuar edhe informacion mbi vendin ku është porositur maska e përdorur nga Admir Murataj gjatë grabitjes.

(Kosova Sot)